Lajme
DOKUMENTE | OSHP dhe ministria e Sveçlës bashkëvepruan kundërligjshëm në një tender 743 mijë eurosh, ku e përfshirë është kompania e udhëheqësit të prokurimit qendror
Demokracia
13:46 | 30 Janar 2024

Share:

Njerëzit që po udhëheqin me prokurimin e shtetit kanë hapur kompani ose janë bërë bashkëpronarë në to dhe tash po përfitojnë nga tenderët publik, shkruan Demokracia.com.

Behgjet Rrukiqi është zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik (AQP). Në fillim të vitit 2023, ai është bërë pronar i kompanisë EURO – SERVICES SH.P.K. Vetëm tre muaj pasi ishte bërë pronar në kompani, ai ka garuar bashkë me disa kompani të tjera për një tender të madh në QKUK dhe tash është rekomanduar për kontratë. Po ashtu, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar përmes E-Prokurimit se kompania e Rrukiqit ka dalë sot fituese në tenderin “Ndërtimi SHFMU në Pozharan – Komuna e Vitisë – vazhdimi i punimeve”.

Faktikisht, “Euro-Services” ka qenë në konzorcium edhe më dy kompani, ku lider i grupit është kompania “AAG Projekt” Shpk dhe pjesë e tyre është edhe “Ac ing” Shpk. Çmimi i ofertës është 743, 609.12 euro.

Kontrata do të lidhet me këtë grup të kompanive, pasi kështu ka urdhëruar edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit në gjykimin e fundit që ka lëshuar për këtë aktivitet të prokurimit.

Tri vendime të ndryshme ka nxjerr OSHP për të njëjtin aktivitet të prokurimit. Madje, ka pranuar të shkelë mbi një vendim të vetin, ku çështja ishte gjykuar.

Në garë kanë qenë edhe katër konzorciume të tjera:

  1. Grupi kompanive “Global Holding” Shpk; “BM Group” Shpk, më çmim 785, 494.34 euro.
  2. EBK Shpk Bujar Godeni N, më çmim 829, 819.09 euro.
  3. Grupi i operatorëve “Termomontimi”; “Rexha”, më çmim 857, 901.62 euro.
  4. Grupi operatorëve ekonomik “Nika PrO-Ing” Shpk; NNPT “Enginnering”; NNP “Art Projekt”, më çmim prej 938, 993.07 euro.

OSHP dhe ministria bashkëvepruan kundërligjshëm

Siç ka gjetur Demokracia.com, ky tender po mundohet të realizohet që rreth një vit e gjysmë ose saktë, MPB-ja e ka hapur atë më 26.08.2022.

Në shtator 2022, prokurimi i ministrisë kishte hapur ofertat dhe pasi i kishte futur në vlerësim ato, kishte konstatuar se asnjë nuk i plotëson kërkesat dhe e kishte anuluar krejt këtë aktivitet të prokurimit. Në OSHP janë ankuar dy kompani kundër vendimit të ministrisë për anulim.

OSHP-ja në janar të vitit 2023 ka nxjerr vendim që e mbështetë vendimin e ministrisë së Xhelal Sveçlës. Andaj kishte nxjerr vendim për anulimin e krejt aktivitetit të prokurimit.

MPB-ja e ka anuluar në janar 2023 krejt aktivitetin e prokurimit, mbi bazën e rekomandimit të OSHP-së.

Por, pas një jave, më 31 janar 2023, ministria kishte marrë një ankesë nga OE “AAG Projekt SH.P.K & AC ing SH.P.K & Euro Services”, kundër vendimit për anulimin e tenderit.

Pasi OSHP-ja kishte dhënë mendim përfundimtar kur kishte nxjerr vendimin nr. 569, 579 22 të dt. 19.01.2023, anulohet ky aktivitet i prokurimit, MPB-ja në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik ka qenë e obliguar ta zbatojë dhe më mos të trajtojë asnjë ankesë të operatorëve ekonomikë.

Por, prokurimi i ministrisë, kundërligjshëm e ka marrë në trajtim ankesën e kompanive dhe të njëjtën e ka hedhur poshtë duke e lënë në fuqi vendimin e vet.

Më pas kompania është ankuar në OSHP dhe ministria e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit.

Ende pa nxjerr vendim OSHP-ja, ministria e ka kthyer në rivlerësim tenderin dhe më datë 04.08.2023 e ka rekoamndaur për kontratë grupin e kompanive OE “AAG Projekt SH.P.K & AC ing SH.P.K & Euro Services”.

Përsëri është ankuar një kompani në ministri dhe ankesa i është hedhur poshtë. E njëjta është ankuar më pas në OSHP.

Çuditërisht, Paneli i OSHP-së, në vend që të nxjerrte vendim, ku do ta urdhëronte ministrinë që të respektohej vendimi i saj i parë, që aktiviteti prokurimit të anulohej në tersi, Paneli më datë 11 tetor 2023 ka nxjerr vendim duke e aprovuar ankesën e kompanisë që lënda të kthehet në rivlerësim, pasi ishte gjetur se ministria e kishte shkelur ligjin gjatë rivlerësimit.

Meqenëse OSHP-ja kishte hapur rrugën që më të mos anulohej tenderi, por të kthehej në rivlerësim, ministria e kishte rivlerësuar përsëri tenderin dhe pasi i kishte kërkuar disa sqarime shtesë nga grupi i kompanive “AAG Projekt SH.P.K & AC ing SH.P.K & Euro Services”, të njëjtin e kishte rekomanduar për kontratë edhe një herë.

Përsëri ka pasur ankesa në OSHP. Por, Paneli i këtij institucioni tash ka nxjerr vendim përfundimtar, ndryshe nga dy të mëparshmet, tash i ka dhënë të drejtë ministrisë kur ka rekomanduar për kontratë grupin e kompanive pjesë e të cilit është edhe kompania e Behgjet Rrukiqit.

Ligjërisht, pas këtij vendimi më nuk ka të drejtë ankese në ministri dhe as në OSHP, pasi çështja konsiderohet e gjykuar, ndonëse ajo ishte konsideruar e mbyllur qysh në vendimin e parë të “Gjykatës së tenderëve”.

Krejt çka mund të bëjnë kompanitë tash është se mund dhe në fakt duhet t’i drejtohen gjykatës komerciale për shkelje esenciale të Ligjit të Prokurimit nga të dy institucionet, OSHP dhe MPB.

Para pak ditëve, Demokracia.com ka raportuar se Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), pas shumë zvarritjeve i ka shpallur fituesit e tenderit “Ndërtimi i objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji”. Nëse gjithçka shkon mirë dhe nuk do të ketë ankesa, kontrata është paraparë të nënshkruhet në fillim të muajit shkurt. Për kontratë është rekomanduar grupi i kompanive “AAG PROJEKT; TOP PROJEKT SH.P.K.; Euroservices shpk; EGO ELSA SH.P.K”.

Demokracia.com kishte parë se njëra nga kompanitë, “EURO – SERVICES SH.P.K”, ishte në pronësi të udhëheqësit të AQP-së, Behxhet Rrukiqi. Deri në janar të vitit të kaluar, ajo ka qenë në emrin e dy vëllezërve të tij.

Tenderi ishte hapur qysh më 14 mars 2023, por për shkak të ankesave prej kompanive është zvarritur për disa muaj. Pastaj, siç ka gjetur Demokracia.com, vetë autoriteti kontraktues kishte bërë gabime në dosjen e tenderit që në start dhe më pas e kishte korrigjuar atë katër herë të ndryshme, duke e vonuar procesin.

Behgjet Rrukiqi ka qenë edhe Drejtor i Përgjithshëm në AQP. Bazuar në të dhënat e ARBK-së, ai posedon 100 për qind të aksioneve te kompania në konzorcium, e cila ka dalë fituese në tenderin e QKUK-së, ndërsa drejtor i kompanisë është Ekrem Sadiku. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

DOKUMENT | Udhëheqësi i prokurimit qendror fiton tender 4.3 milionësh në QKUK

Të ngjashme