Lajme
DOKUMENTE | Ministria e Xhelal Sveçlës po e mbush me militantë të Vetëvendosjes edhe administratën e komunave në veri
Demokracia
15:54 | 22 Maj 2024

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka realizuar disa konkurse për mbulimin e disa pozitave në komunat në veri të Kosovës. Demokracia.com ka gjetur se aty me më së shumti pikë kanë dalë pjesëtarët e Vetëvendosjes që janë pjesë e strukturave të partisë në ato zona.

Bëhet fjalë për konkurset e realizuara ditëve të fundit, në të cilën dolën fitues edhe shumë persona të rinj në moshë, që kryesisht janë të kyçur në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje në veri. Madje, aty u punësuan edhe familjarë të kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Për pozitën Zyrtar për Regjistrimin Civil në Leposaviq është pranuar edhe Driton Hetemi. Demokracia.com ka gjetur se ai është vëllai i kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Është interesante se në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të vitit 2023 për Kuvendin e Komunës së Leposaviqit, si asamblist janë përzgjedhur vëlla e motër. Bëhet fjalë për Driton Hetemin dhe Qëndresa Hetemin, të cilët janë në përkrahje të vendimit të vëllait të tyre, kryetarit Lulzim Hetemi.

Pozitë fitoi edhe Sekretarja Organizative e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Aida Ferati Doli, e cila gjithashtu ka qenë Drejtoreshë në Komunën e Mitrovicës në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Ferati-Doli është asambliste nga radhët e VV-së në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Me kontratë mbi vepër ajo ka qenë e punësuar në MPB, në Qendrën për Pajisje me dokumente. Tash, Ferati-Doli është punësuar si Zyrtare për Regjistrimin në Mitrovicën Veriore.

Përfitues nga ky konkurs është edhe kolegu i Dolit, Shkëlqim Peci, që është kryetar i pikës së VV-së në fshatin Zhazhë.

Peci është punësuar në pozitën Zyrtar për Regjistrimin Civil në Zveçan. “Në mbledhjen e Këshillit të Qendrës u morën edhe disa vendime, përfshirë edhe rinisjen e procesit të brendshëm zgjedhor. Këshilli ka votuar për Kryesuesin e Këshillit dhe Komisionin Diciplinor në nivel të Qendrës. Kryesues i Këshillit u zgjodh Kushtrim Zeneli. Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Mitrovicë u votua në këtë përbërje: Shqipe Latifi, Nazlie Hajdari, Vlora Aliu, Vedat Mehmeti dhe Shkëlqim Peci”, thuhet ndër tjera në një komunikatë të VV-së, dega në Mitrovicë, përcjell Demokracia.com.

Edhe Lulzim Jashari është pranuar në pozitën Zyrtar për Regjistrim Civil në Zubin Potok. Ai është pjesë e strukturave të VV-së në njërën nga degët e saj në veri.

 

Afërdita Mehmeti, po ashtu, ka qenë kandidate për asambliste në zgjedhjet lokale nga radhët e VV-së, por nuk kishte arritur të fitonte. Ajo është përzgjedhur si zyrtare për regjistrimin e automjeteve në Zubin Potokut nga MBP-ja.

Blerinë Beqiri-Mehmeti, bashkë me dy të tjerë është përzgjedhur Zyrtare për Regjistrimin e Automjeteve në Mitrovicën Veriore. Ajo është një militante e VV-së. Të gjitha postimet që publikohen në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Mitrovicë, ajo u rri gati më nga një ‘like’.

Lista e dyshimtë e të pranuarve në punë me konkurs për shërbimin civil përmban edhe emra të tjerë që kanë përfituar vende të punës mbi baza partiake e nepotiste. Konkurset janë në fazën ku kandidatët garues kanë të drejtë ankese. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme