Afër 10 milionë euro nga projekti CREP i Bankës Botërore janë ridestinuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ndërmarrje të mesme dhe të vogla. Ky projekt ishte anuluar nga ana e MINT-it në Qeverisjen Kurti I. Ndërsa, mjetet prej mbi 7 milionë euro që ishin dedikuar për Agjencinë e Metrologjisë dhe 2.8 milionë për Agjencinë KIESA u ridestinuan me kërkesë të ministres Rozeta Hajdari për MNVM, pa dijeninë e këtyre dy agjencive, të cilat në raportet e tyre pretendojnë se ka pasur shkelje në parim nga PIU, që udhëhiqej nga koordinatori Gazmend Mejzini dhe konsulentja e prokurimit Afërdita Selmani.
Kjo kredi e butë nga Banka Botërore e ndarë për grante nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që si kompani menaxhuese e projektit ishte “Prishtina REA”, u është ndarë kryesisht kompanive private për makineri prodhuese me rreth 5 milionë euro dhe 5 milionë euro të tjera si grante për standarde dhe certifikime të produkteve me ISO, laboratorë e digjitalizim.
Agjencia e Metrologjisë dhe ajo e KIESA-s kishin kuptuar se marrëveshja ishte ndryshuar vetëm pasi ajo ishte nënshkruar nga Ministri i Financave dhe Banka Botërore, me kërkesë të MINT-it.
Marrëveshja nuk ishte modifikuar, por ishte ndryshuar rrënjësisht dhe ishte anuluar programi i metrologjisë prej mbi 7 milionë euro. Raportet e Metrologjisë që i janë dërguar ministres Hajdari, i janë dërguar edhe ish-ministrit Vesel Krasniqi, por nuk janë marrë parasysh dhe krejt kjo ka ndodhur kur Banka Botërore në Kosovë nuk ka pasur drejtor.
Demokracia.com ka kontaktuar me drejtorin e ri të Bankës Botërore, Marco Mantovanelli, për ta pyetur nëse ka qenë në dijeni rreth këtij procesi dhe nëse ka pranuar raport nga ish-kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë për shkeljet e bëra, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
Për të gjitha këto shkelje që ishin bërë gjatë procesit, ministrja Hajdari kishte marrë shkresa nga ish-kryeshefi i Agjencisë se Metrologjisë, Ferki Fejza.
Fejza ka sqaruar për Demokracia.com se krejt ky proces ishte kryer pa dijeninë e tij.
Ai pretendon se ka pasur shkelje të mëdha gjatë ridestinimi të këtyre fondeve, për të cilat konfirmon se e kishte njoftuar edhe ministren Rozeta Hajdari.
Sipas ish-kryeshefit Ferki Fejza, mjetet janë ridestinuar për mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme.
“Aty e kanë pasur terrenin, e kanë pasur hapësirën për keqpërdorim. Mendoj se më këtë duhet me u marrë prokuroria, sepse ka shkelje të renda edhe në proces të ridestinimit, por edhe tutje”, ka thënë Fejza për Demokracia.com.
Sipas tij, çështja për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme ka qenë një proces i ndërlidhur mes kabinetit të ministres Hajdari, sekretarit dhe KIESA-s.
Sidoqoftë, Demokracia.com ka mësuar se edhe KIESA pa dëshirën e saj ishte hequr, përkundër që me marrëveshjen e 2017-ës e kishte stafin e saj menaxhues të konsulentëve në kuadër të marrëveshjes së projektit CREP për udhëheqjen e programit MGP.
Këtij stafi ua kishin shkëputur kontratat e punës, pa pëlqimin e tyre, menjëherë pas ndryshimit të marrëveshjes, duke i hapur rrugë kështu kontraktimit të një kompanie konsulente për ofrimin e shërbimeve, e cila vetëm për një vit i kushtoi buxhetit me qindra mijëra euro për të menaxhuar më programin MGP.
“Fondet kanë qenë për furnizimin me laboratorë të Metrologjisë, për ngritjen dhe fuqizimin e Metrologjisë. Në vitin 2020 kur ka ardhur Qeveria Kurti I, ato fonde janë tjetërsuar, janë ridestinuar pa dijeninë time në atë kohë sa isha kryeshef i Agjencisë së Metrologjisë. Pastaj ato fonde kanë kaluar, janë ridestinuar për mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme, më aprovimin e ministres aktuale, që ishte edhe në Qeverinë Kurti I, Rozeta Hajdari, si dhe me aprovimin në atë kohë të Ministrit të Financave, Besnik Bislimit. Krejt ky proces është mbajt i fshehtë. Unë e kam kuptu për këtë transferim tek pasi ka ra Qeveria Kurti I. Në atë kohë i kam bërë shkresë ministrit që kishte ardhur në Qeverisjen e re, Vesel Krasniqi. E kam informuar për procesin dhe më ka thënë se është kryer, se tashmë fondet ishin ridestinuar. Sa ka qenë Qeveria Kurti I, e kam informuar me e-maila për të gjitha procedurat dhe shkeljet që janë bërë. Asnjëherë nuk kam marrë përgjigje nga Hajdari. E kam informuar që ka pasur shkelje në procedurat e mëparshme, e kam informuar edhe kur ka ardhur herën e dytë në qeverisje Hajdarin. Asnjëherë nuk kam marrë shkresa ose përgjigje për këtë. Ajo çka është më e rënda është se kjo kredi e butë e Bankës Botërore ka qenë e destinuar kur është aprovuar në Parlament, për ngritjen dhe fuqizimin e Metrologjisë, gjegjësisht për furnizimin e laboratorëve. Në proces ka pasur tendencë me u shpërdoru fondet. Kemi pasur takime zyrtare në atë kohë, që veç u futëm në pandemi, më përfaqësues të Bankës Botërore. Edhe këta kur e kanë pa që ka pengesa në këtë drejtim kanë bërë ridestinim të mjeteve, gjë që për mendimin tim kanë qenë shkelje e rëndë, pasi kredia e Bankës Botërore është aprovuar në Parlamentin e Kosovës për ngritjen e kapaciteteve të metrologjisë”, ka thënë Fejza për Demokracia.com.
Demokracia.com ka siguruar raporte, ku ish-kryeshefi Fejza kryesisht jep detaje me pretendimin se PIU e projektit, me koordinatorin e saj Gazmend Mejzini dhe konsulenten e prokurimit Afërdita Selmani kishin interferuar dhe penguar vazhdimisht proceset e programit të Metrologjisë. Madje, sipas tij, duke iu shmangur edhe procedurave të Bankës Botërore dhe duke e anashkaluar e mos e njoftuar për çështje të caktuara Kryeshefin e Metrologjisë.
Gazmend Mejzini ka thënë për Demokracia.com se ristrukturimi i këtij projekti ka qenë subjekt i negociatave dhe marrëveshjeve që i ka bërë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me Ministrinë e Financave dhe Bankën Botërore.
Ai ka thënë se projekti është ndryshuar nëpërmjet Kabinetit të Ministres dhe Zyrës së Sekretarit të MINT-it, Irfan Lipovica, pasi i njëjti kishte qenë edhe drejtor i projektit.
“Mu tash nuk po më kujtohen ato detaje. Faktikisht, kjo është vendosur në nivelin më të lartë, dmth në Zyrën e Sekretarit, i cili ka qenë faktikisht edhe drejtor i projektit. Të gjitha marrëveshjet me Bankën Botërore janë bërë nëpërmjet Zyrës së Sekretarit dhe Kabinetit të Ministres. Ne jemi implementues të projektit. Ne implementojmë, por nuk kemi as autoritet dhe as përgjegjësi që ju po i përmendni. Marrëveshja financiare ka qenë e tillë dhe projekti ka qenë i dizajnuar në fillim, ashtu siç ju po e përmendni, por më vonë kur është ristrukturuar projekti, ajo ka qenë faktikisht subjekt i negociatave dhe marrëveshjeve që i ka bërë MINT me Ministrinë e Financave dhe Bankën Botërore. Ka qenë në kuadër të kompetencave të Njësive Implementuese. Vetë fjala Njësi Implementuese është për ata që implementojnë e ndihmojnë, por nuk marrin vendim”, ka thënë Mejzini për Demokracia.com.
Mejzini ka deklaruar se nuk ka pasur kontakte me kompaninë “Prishtina REA & WEglobal”.
“Unë nuk kam pasur kontakte, as dikush tjetër me këtë kompani. Për procesin e përzgjedhjes së prokurimit mund ta pyesni Afërdita Selmanin”, ka thënë Mejzini.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me konsulenten e prokurimit në MINT, Afërdita Selmani. Përkundër që Selmani ka thënë se përgjigjet rreth kësaj çështje i ka dërguar në zyrën për media, nga kjo zyre nuk kanë kthyer asnjë përgjigje në adresë të Demokracia.com.
Ndërsa, ish u.d. kryeshefi i Agjencisë KIESA, Nol Buzhala, nuk ka dashur të prononcohet rreth kësaj çështje, ani pse kjo agjenci ishte implementuese e programit MGP sipas marrëveshjes së 2017-ës.
Në dy raportet e agjencisë, po ashtu, thuhet se nuk dihet sesi kanë rrjedhur të dhënat për ndryshim-propozim për amendamentimin e marrëveshjes CERP, pasi ato detaje nuk përkojnë me realitetin.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me menaxheren e Bankës Botërore në Kosovë, Blerta Qerimi, e cila, po ashtu, nuk ka dashur të prononcohet.
Për menaxhimin me rreth 10 milionë euro, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në nëntor të vitit 2020 kishte hapur tenderin për aplikim për rekrutimin e një kompanie konsulente për menaxhimin e këtyre mjeteve.
Tenderin për menaxhimin e këtyre mjeteve e kishte fituar konsorciumi “Prishtina REA & WE global”, edhe pse e njëjta ishte renditur e treta pas përzgjedhjes nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas vlerësimit që u kishte bërë ministria me njësinë e saj koordinuese, kompania “Consortium Recura & Shita Associates LLC”, ishte përzgjedhur si kompania e parë, ndërsa “Consortium Deloite & ICK” ishte përzgjedhur si kompania e dytë.
Ndërsa, konsorciumi “Prishtina REA & WE global” në fund kishte menaxhuar me projektin edhe pse ishte përzgjedhur si kompania e tretë.
Për ofrimin e shërbimeve të konsulencës për një vit, ky konsorcium kishte përfituar kontratë prej rreth 239,465.00 euro. Nga kjo kompani kanë thënë për Demokracia.com se i gjithë procesi ka shkuar përmes MINT-it dhe Bankës Botërore, duke mos dhënë detaje.
“Krejt këto shkojnë përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Bankës Botërore, na nuk kemi qenë të involvuar”, kanë thënë nga kjo kompani.
Nga kompania “Consortium Recura & Shita Associates LLC”, kanë konfirmuar për Demokracia.com se janë tërhequr nga projekti, megjithëse nuk kanë treguar sa ka qenë çmimi që u është ofruar atyre nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Ju faleminderit për pyetjen tuaj. Informata e juaj është e saktë se konsorciumi ynë është përzgjedhur fillimisht si ofertuesi i parë dhe si rrjedhojë ne jemi ftuar për negocimin e kontratës. Pas diskutimeve të modaliteteve kontraktuale dhe buxhetit në dispozicion, konsorciumi ynë ka vlerësuar se angazhimi i kërkuar tejkalon nivelin e buxhetit në dispozicion dhe për ketë arsye jemi tërhequr dhe nuk kemi nënshkruar marrëveshjen. Ne nuk kemi pasur asnjë çështje apo problem rreth rezultatit të vlerësimit apo cilës do pjesë të procesit, i cili ka qenë korrekt. Arsyeja e tërheqjes tonë ka qenë e ndërlidhur vetëm me pamjaftueshmërinë e buxhetit të përcaktuar për angazhimin e kërkuar”, thuhet në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.
Ndërsa, nga “Consortium Deloite & ICK” nuk i janë përgjigjur interesimit të mediumit për këtë çështje.
Po ashtu, për menaxhimin e këtij programi kishte konkurruar edhe Kolegji për Biznes dhe Teknologji (UBT), si kompania më së paku e vlerësuar nga PIU dhe ministria, e cila është kontaktuar gjithashtu lidhur me këtë çështje.
Nga UBT kanë thënë për Demokracia.com se nuk janë ftuar fare në negociata nga ministria. Madje, ata edhe kishin dërguar ankesë në këtë ministri dhe në Bankën Botërore, por përgjigjja e pranuar u kishte tingëlluar e çuditshme.
Si u mbajtën të fshehta kompanitë përfituese të granteve?
Në korrik e gusht të vitit 2021, MINT kishte lansuar thirrjen e dytë për grante të menaxhuar nga “Prishtina REA dhe WE Global”.
Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë dhe “Prishtina REA & WE global” u është dashur plot 4 muaj deri më 30 dhjetor 2021, që të vlerësojnë rreth 500 kompani aplikuese për grante, ku kanë përfituar 142 prej tyre.
Po ashtu, siç ka gjetur Demokracia.com, pas ridestinimit të mjeteve, 5 milionë euro u janë dhënë grante kompanive vendore për të blerë makineri prodhuese, gjë që nuk parashihej as në marrëveshjen e parë 2017-s dhe as në marrëveshjen e dytë të 2020-ës. Pjesa tjetër prej 5 milionë euro është dhënë për aktivitete të tjera, kryesisht me qëllim të rritjes së eksportit.
Demokracia.com ka gjetur se nga 9.8 milionë euro grante që kanë përfituar kompanitë e përzgjedhura, që i bie se mesatarisht do të marrin afër 70 mijë euro grante, emrat e tyre nuk janë bërë fare publik, por vetëm numrat e protokolleve.
Rrjedhimisht, qytetarët nuk e dinë se kush ka përfituar grante nga kjo ministri.
Edhe ish-kryeshefi i Metrologjisë, Ferki Fejza, ka konfirmuar për Demokracia.com se ministria kishte kontraktuar një kompani për udhëheqjen e procesit të këtyre granteve dhe këto fonde, sipas tij, janë shpërndarë vitin e kaluar në heshtje totale, pa e ditur askush se cilat biznese po mbështeten.
“Është kontraktuar një kompani fiktive, e cila ka pas për detyrë me e udhëheq procesin, e cila sipas informatave që i kam është paguar diku 1 milion euro, një proces që ka mujt me udhëheq një komision brenda ministrisë. Ato fonde janë shpërdoruar nën siglën e mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme, ndërsa metrologjia veç është shkatërruar dhe ka shku teposhtë. Kjo është një shkelje e madhe për të cilën edhe ministrja, edhe personat përgjegjës, duhet me dhënë përgjegjësi. Unë e di që është kontraktuar një kompani për më udhëheq procesin e këtyre granteve për biznese të vogla dhe mesme. Dhe, sipas informatave jo zyrtarisht, këto fonde janë shpërndarë vitin e kaluar në heshtje totale, pa e ditur askush cilat biznese po mbështeten”, ka thënë Fejza.
Demokracia.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me procesin e ndryshimit të kësaj marrëveshjeje, megjithatë nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ky dikaster qeveritar.
Po ashtu, Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nëse kanë qenë në dijeni të krejt këtij procesi.
Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, ka thënë për Demokracia.com se komisioni nuk ka informata rreth kësaj çështje dhe e njëjta do të ngritët në komision dhe Kuvend.
“Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, z. Ferat Shala, nuk ka informata lidhur me çështjen e ngritur. Në momentin që do të ketë informata, do të njoftohen mediat dhe opinioni, sepse këtë çështje do ta ngrisë në komision dhe Kuvend ditëve në vijim”, thuhet në përgjigjen e Shalës, të përcjellë nga zyra për media e Kuvendit për Demokracia.com.
Ndryshe, projekti CREP i Bankës Botërore, i nënshkruar nga Ministria e Financave dhe implementuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2017.
Nga kredia e butë e Bankës Botërore, mbi 7 milionë euro ishin ndarë për ngritjen dhe fuqizimin e Metrologjisë, përkatësisht për pajisje me laboratorë. Ndërsa, 2.8 milionë (të parapara për tri thirrje me programin MGP) për Agjencinë KIESA. /Demokracia.com/