Lajme
DOKUMENTE| Ministria e Nagavcit i jep militantit të Vetëvendosjes tenderë 1.2 milionë euro
Demokracia
17:29 | 07 Tetor 2023

Share:

Ministria e Arsimit, e cila udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, detyroi prindërit të blejnë libra për shkak që këtë nuk deshi ta realizojë si rëndom me tender. Por, ajo nuk po heziton të lidhë kontrata më kompanitë e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka nënshkruar tri kontrata për ndërtimin e çerdheve në Prizren, Milloshevë të Obiliqit dhe në Deçan. Për ndërtimin e kësaj të fundit është lidhur kontratë më kompaninë e militantit të Lëvizjes Vetëvendosje që vjen nga Suhareka, Naim Sopajt. Bëhet fjalë për kompaninë ”SOPI group SHPK”. Po të njëjtën ditë, kjo kompani ka nënshkruar kontratë më MASHTI-n edhe për ndërtimin e një shkolle në Rahovec. Dy kontratat kapin vlerën rreth 1.2 milionë euro.

Bazuar në kontratën e lidhur për ndërtimin e çerdhes, të cilën e ka parë Demokracia.com, ajo kap vlerën prej 708.902.58 euro. Tenderi ishte hapur në maj të këtij viti, por ai ka arritur të finalizohet më 28 shtator.

Në fakt, kompania fituese “Sopi group SHPK” ka qenë në konzercum më kompaninë “Roza Komani BI”.

Naim Sopa ka hequr dorë nga të qenit drejtor dhe aksionar në kompaninë Sopi në qershor të këtij viti, duke e mbyllur kompaninë N.N.P. “Sopi” dhe të njëjtën ditë që e ka shuar këtë, e ka hapur kompaninë “Sopi group SH.P.K”.

Tash në këtë kompani është veç person kontaktues, ndërsa aksionet i ka ndarëse tek dy fëmijët e tij, Samiu dhe Abdyli. Pra, kompania e re është hapur para 4 muajve dhe menjëherë ka arritur të marrë tender.

Sopi e kishte mbyllur kompaninë menjëherë pasi ishte diskualifikuar nga një tender në Ministrinë e Ambientit. Bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i digave – Sistemi i monitorimit të digave ekzistuese dhe studimi i fizibilitetit për 3 diga të reja”. Në fakt, ai kishte arritur të shpallej fitues i njërës nga tri kontratat për këtë projekt, por pas një vlerësimi të tenderit që ishte bërë edhe një herë për shkak të ankesave, ishte verifikuar se nuk i plotësonte kushtet teknike për kontratat e ngjashme të realizuara në tri vitet e fundit siç ishte kërkuar dhe ishte skualifikuar nga gara, duke e hapur më pas kompaninë e re.

A i ka plotësuar kushtet sipas dosjes së tenderit kompania edhe për këtë tender?

Tek ndërtimi i çerdhes, të cilën Sopi e ka fituar vetëm lot 1, në dosjen e tenderit tek pika III. 2.3) “Kapaciteti ekonomik dhe financiar” është kërkuar: Dëshmia e kërkuar dokumentare: Operatori ekonomik duhet të ketë realizuar gjatë tri viteve të shkuara (2020, 2021, 2022) një xhiro totale në EURO të barabartë ose më shumë në vlerë prej për; – Llot I – 1.600,000.00 euro.

Këtë dëshmi, Sopi nuk e ka pasi si kompani është hapur para pak muajve, por për ta mbështetur më letra, me staf profesional e makineri, ai ka lidhur konzercium me kompaninë që është prezente viteve të fundit në tenderët në Komunën e Gjakovës, “Roza Komani BI”.

Megjithëkëtë, Demokracia.com ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare për këtë tender në MASHT, për të parë nëse janë plotësuar këto kritere.

Të njëjtën ditë që është hedhur firma mbi kontratë për ndërtimin e çerdhes nga ana e ministres Nagavci, ajo ka firmosur edhe tenderin “Ndërtimi i SHFMU “Milaim Krasniqi” në fshatin Pastasel – Rahovec”, çmimi i të cilit kap vlerën 509, 880. 81 euro. Fitues të kësaj kontrate janë kompania “Sopi group SH.P.K” dhe kompania në konzercium më të “Roza Komani BI”.

Naim Sopaj është militant i kamotshëm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo shihet edhe nga dy llogaritë që i ka të hapura në rrjetin social ‘Facebook’. Faqet e tij janë të mbushura me aktivistë të partisë dhe shpeshherë me fyerje e sharje në drejtim të figurave të partive të tjera./Demokracia.com/

      

Të ngjashme