Lajme
DOKUMENTE | Ministria e Albulena Haxhiut e pazonja ta ndëshkojë kompaninë, lidh kontratë me çmime 300 për qind më të shtrenjta
Demokracia
12:07 | 08 Dhjetor 2023

Share:

Ministria e Drejtësisë, e cila udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, do të lidh kontratë më një kompani, çmimet e të cilës janë 300 për qind më të shtrenjta se ato të tregut. Këtë e ka konstatuar vetë ministria në një shkresë drejtuar Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Demokracia.com sjell detaje…

Kompania “EraMed” dhe Ministria e Drejtësisë do të lidhin nesër ose në fillim të javës së ardhshme kontratë për “Servisimin, kalibrimin dhe vertilimin e certifikuar të instrumenteve GC-MS dhe HS-GC FID të laboratorit të toksikologjisë”. Kontrata do të jetë për nevojat e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Por, para pak javëve, Ministria e Drejtësisë i ishte drejtuar Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për ndihmë, për të ndërmarrë hapa ndaj kësaj kompanie për shkak që siç konsideronte ministria, i kishte fryrë çmimet shumë.

Në dokumentin që e ka parë Demokracia.com, Autoriteti i Konkurrencës më datë 08.11.2023 ka pranuar ankesë/kërkesë për kufizim të konkurrencës përmes abuzimit me pozitën dominuese/monopol në tenderin publik të Institutit për Mjekësi Ligjore. Divizioni i Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, më datë 29.09.2023 ka shpallur tender për Institutin e Mjekësisë Ligjore për shërbimet e kërkuara në procedurën me titull të kontratës: Servisimi, kalibrimi dhe vertilimi i certifikuar i instrumenteve GC-MS dhe HS-GC FID të laboratorit të toksikologjisë.

“Me datë 17.10.2023, është bërë hapja e ofertave dhe kemi pranuar vetëm 01 ofertë, oferta e N.T.P. Era Med. Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore kryerësi i shërbimit duhet të jetë i autorizuar nga kompania AGILENT- USA, me arsyetimin se vetëm ajo kompani e cila është e autorizuar mund ta kryen shërbimin përfshirë edhe furnizimin me pjesë rezervë të markës AGILENT, dhe pajisjet kontabël nuk mund të përdoren. Divizioni i Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë gjatë fazës së vlerësimit ka analizuar çmimet e ofruar nga të dhënat e Operatorit ekonomik të lartshënuar, ku mendon se çmimet e ofruara janë dukshëm më të larta (deri në 300%) në raport me çmimet e tregut”, ka shkruar Ministria e Drejtësisë në arsyetimin e saj drejtuar AKK-së.

Produktet të cilat nuk prodhohen në Kosovë dhe të drejtën ekskluzive e ka vetëm ky operator ekonomik, sipas dyshimit nga divizioni i prokurimit të ministrisë ky operator ekonomik ka krijuar monopol.

“Të drejtën ekskluzive për ofrimin e shërbimeve, furnizimin me pajisje e ka vetëm ky operator ekonomik i cili ka ofertuar, ku edhe në të kaluarën ka pas kontratë për servisimin, mirëmbajtjen e instrumenteve. Çmimet e larta te ofruara në disa produkte (pajisje), nëse verifikohen në internet janë dukshëm më të larta se ato të paraqitura në ofertë, në raport me çmimet e publikuara në internet në web faqen e AGILENT”, ka arsyetuar MD-ja, përcjell Demokracia.com.

Por, më datë 29 nëntor 2023, Autoriteti i Konkurrencës pas shqyrtimit të vlerësimit paraprak të situatës në tregun përkatës, ka konstatuar se nuk ka kushte për të filluar procedurën ndaj ndërmarrjes N.T.P. ”Era Med” sipas nenit 36 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës Nr. 08/L-056 2.

“Kushtet e hapjes së tenderit, të cilat në thelb kanë të bëjnë me të drejtën për të marre pjesë, përkatësisht me kushtet e aftësisë së konkurrenteve, zbatimi dhe interpretimi i të cilave nuk është brenda kompetencës dhe fushëveprimit të AKRK-së, është çështje e mbikëqyrjes së organeve të administratës shtetërore/qendrore, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) bazuar në rregullore të veçanta që rregullojnë një çështje të caktuar, si institucioni qendror për politiken e prokurimit publik, kompetent për mbikëqyrjen administrative mbi zbatimin e Ligjit për Prokurimin Publik”, ka konsideruar AKK.

Arsyetim Iniciativa për fillimin e procedurës nga AKK:

Por, Demokracia.com ka gjetur se gjatë ditës së sotme, ministria e ka autorizuar për nënshkrim të kontratës kompaninë “Eramed”, anipse konsideronte që ka fryrë çmimet.

Kjo kompani është mjaft prezente në prokurimet publike që disa vite, madje edhe në vitet e fundit të qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme