Lajme
DOKUMENTE | Mbi 3000 persona hoqën dorë nga të shtetësia e Kosovës në vitin 2023
Demokracia
15:51 | 17 Shkurt 2024

Share:

Shtetësia është statusi që përcakton përkatësinë shtetërore të individëve. Nocioni i shtetësisë paraqet lidhjen juridike të qytetarit me shtetin. Mirëpo, që nga janari e deri në dhjetor 2023, në Kosovë janë mbi 3 mijë qytetarë që kanë kërkuar të heqin dorë nga shtetësia. E njëjta u është aprovuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Demokracia.com.

Obligim, dëshirë apo “trend”, çfarëdo qoftë e sido që ta quajmë, fiks 3141 persona hoqën dorë nga të qenit shtetas të Republikës së Kosovës në vitin 2023. Këto statistika kanë dalë nga një raport i publikuar rishtazi nga MPB-ja për vitin 2023.

Gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2023, në Divizionin e Shtetësisë kanë aplikuar 3,108 persona për lirim nga shtetësia dhe janë marrë 3,143 vendime për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës: 98.6% vendime pozitive, 1.4 % vendime negative.

Për cilat shtete hoqën dorë kosovarët nga shtetësia?

Më së shumti aplikime ka pasur për heqje dorë nga shtetësia për t’u bërë gjermanë, me gjithsej 2507 aprovime. Pastaj për shtetësi të Austrisë hoqën dorë 413 persona. Për Slloveni, hoqën dorë 96 kosovarë, për Malin e Zi hoqën dorë 25 kosovarë, për Kroaci 16 etj., raporton Demokracia.com.

Mundimi për t’u pajisur me një vizë, mosliberailizimi, rrethanat politike, sociale, ekonomike e personale, janë vetëm disa nga arsyet pse çdo vit, mijëra qytetarë të Kosovës heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Për dallim nga heqja dorë nga shtetësia, numër shumëfish më i vogël kanë aplikuar për t’u pajisur me shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, në 2023 kanë aplikuar 1,259 persona për fitim të shtetësisë dhe janë marrë 1,453 vendime për fitim të shtetësisë së Republikës së Kosovës: 48.7% vendime pozitive, 51.3% vendime negative. Më së shumti shtetësinë e Kosovës e fituan qytetarët nga Serbia, 202 persona. Kjo me gjasë për shkak të martesave të serbëve të veriut të Kosovës, me persona nga ana tjetër e kufirit. Turq, 111 persona. Gjermanë 120, maqedonas 80, shqiptarë nga Shqipëria 46, etj.

Ripranimi dhe kthimi

Gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2023, në pikat kufitare janë kthyer 579 persona të ripranuar nga shtetet e ndryshme. Prej tyre, me forcë 452 (78%), vullnetarë 60 (10%) dhe vullnetarë të asistuar nga IOM 67 (12%). /Demokracia.com/

Të ngjashme