Lajme
DOKUMENTE| Komuna e Qemajl Aliut i shpërndan grantet investive te familjarët e pushtetarëve dhe aktivistët e LVV-së
Demokracia
13:02 | 07 Maj 2022

Share:

Grante investive nga Komuna e Shtimes dhe organizata “HELP” kanë përfituar kushërira e kryetarit Qemajl Aliu, bashkëfshatarë të kryetarit nga fshati Godanc i Ulët që dalin të jenë aktivistë të LVV-së, gruaja e nënkryetarit të LDK-së në Shtime dhe disa të tjerë.

Më 26 prill 2022, në ambientet e sallës së Kuvendit të Komunës së Shtimes, organizata “HELP” dhe Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në Shtime, në prani të kryetarit Qemajl Aliu kanë bërë nënshkrimin e 22 kontratave me përfituesit e granteve investive.

Përmes këtij projekti ofrohen pajisje në mënyrë që përfituesit të mund të fillojnë biznese të reja apo t’i zhvillojnë bizneset aktuale të tyre, raporton Demokracia.com.

Vlera mesatare e një granti investiv për një përfitues është 2 mijë euro në formë të pajisjeve, ndërsa Komuna e Shtimes i ka ndarë 12 mijë euro për këtë projekt.

Në njoftimin publik të Komunës së Shtimes dhe nga fotografitë e shpërndara vërehet se grante nga kjo komunë dhe nga organizata “Help” kanë marrë shumë bashkëfshatarë të kryetarit të Komunës së Shtimes nga fshati Godanc i Ulët, duke përfshirë këtu edhe kushërirën e kryetarit Qemajl Aliu, Fatime Aliun, me kompaninë e saj D.P.T. Rrobaqepësia “Arta”, raporton Demokracia.com.

Fatime Aliu ka qenë e pa qasshme, ndërsa kryetari Qemal Aliu nuk është përgjigjur në telefon kur është kontaktuar nga Demokracia.com.

Lidhur me ndarjen e këtyre granteve, Demokracia.com ka kontaktuar me disa prej personave që janë implikuar në këtë proces.

Drejtoresha e organizatës “Help Kosova”, Shqipe Breznica, ka thënë për Demokracia.com se vlerësimi është bërë nga vetë organizata dhe sipas saj në komision nuk ka qenë askush nga Komuna e Shtimes.

“Fondi është i Qeverisë gjermane, kemi kriterin social dhe ekonomik”, ka thënë ajo.

Breznica ka mohuar se në ndarjen e këtyre granteve ka pasur ndikim politik.

“Jo, asnjë. Na e bëjmë vlerësimin. 12 mijë euro kanë qenë të Qeverisë Kosovës, në këtë rast qeverisjes komunale, të tjerat janë të qeverisë gjermane. Qytetarëve të Kosovës u intereson paraja publike në këtë rast”, u shpreh Breznica, duke e mbrojtur kështu kryetarin Aliu.

Kur është pyetur si ka rastisur që përfitues të granteve të jenë njerëzit e partive në pushtet, ajo ka thënë se ndoshta ata të PDK-së nuk kanë aplikuar.

“Po nuk e di, qata kanë apliku. Nashta ata të PDK-së nuk kanë apliku”, ka thënë drejtoresha Breznica.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Kastriot Shabanin, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Shtimes, i cili është munduar të distancohet tërësisht, duke thënë se përfituesit as që i njeh.

“Na vetëm kemi qenë participues. Unë nuk i njoh as kush janë, se na nuk i kemi përzgjedhur”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Nga këto grante ka përfituar edhe bashkëshortja e nënkryetarit të LDK-së në Shtime, Tafil Hasani, parti kjo që është në koalicion qeverisës dhe udhëheqë me disa drejtori në Komunën e Shtimes.

I kontaktuar nga Demokracia.com, Hasani e ka konfirmuar se bashkëshortja e tij ka përfituar grant, por e ka mohuar të ketë ndikuar ai.

“Po, ka përfituar. Na kemi aplikuar në nëntor të vitit të kaluar për këtë grant. Absolutisht nuk kam pasur kurrfarë ndikimi në këtë punë”, ka thënë Hasani për Demokracia.com.

Gjithashtu, përfituese tjetër është edhe bashkëshortja e aktivistit të LVV-së, Latif Lata, nga fshati i kryetarit Qemajl Aliu, Godanci i Ulët.

Edhe Lata e ka konfirmuar për Demokracia.com se kanë përfituar grant investiv.

“Kryetarin e kemi kojshi, bashkëvendas jemi të një fshati. Me kryetarin nuk më lidh kurrgjo. Unë jam i një mahalle, ai është i një mahalle tjetër. Qikaq.”, ka thënë Lata.

Për më shumë, grant ka përfituar edhe aktivisti i LVV-së nga fshati Zborc, Florim Sahiti.

Komuna e Shtimes përfshihet me 30 për qind të shumës në këtë projekt, HELP Kosovo me 50 për qind dhe me 20 për qind përfshihet vetë personi që përfiton grant investiv.

Vlera mesatare e një granti për një përfitues është deri në 2 mijë euro, shumë kjo që përfshin edhe kontributin nga përfituesit prej 20 për qind.

Nga gjithsej 22 përfitues, 9 përfitues janë nga fshati prej nga vjen kryetari Qemajl Aliu, Godanci i Ulët, ku në mesin e tyre është edhe kushërira e tij dhe disa aktivistë të LVV-së, 5 përfitues janë të komunitetit ashkali dhe 8 të tjerë janë nga qyteti i Shtimes dhe fshatrat e tjera.

LISTËN E TË GJITHË PËRFITUESVE TË GRANTEVE E GJENI NË KËTË LINK –  Perfituesit-Help-Kosovo

Shoqëria Civile dhe opozita në Shtime kanë bërë thirrje që keqpërdoruesit e pushtetit t’i kthejnë paratë që ua kanë marrë qytetarëve dhe ato të shkojnë te përfituesit realë, derisa kanë kërkuar që Prokuroria të veprojë në këtë rast për t’i hetuar përfituesit në bazë të nepotizmit dhe marrëveshjeve politike. /Demokracia.com/

Të ngjashme