Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Podujevës hap konkurs për furnizim me mëshqerrat që do t’i blejë nga “Apetiti”, diskriminon fermerët e vegjël
Demokracia
11:23 | 06 Prill 2024

Share:

Një skandal ka plasur së fundmi në Shqipëri. Pretendohet se kompania “Apetiti Group” nga Kosova po shet atje mish Brazili, në emër të mishit të freskët nga Kosova. E gjithë kjo, sipas mediumit në Shqipëri është ndihmuar nga shteti i Kosovës, konkretisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Por, kjo e fundit ka urdhëruar ndaljen e lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin “Apetit sh.p.k”. Kjo kompani është shpërblyer nga Komuna e Podujevës me një tender në javën e kaluar, shkruan Demokracia.com.

Pas realizmit të tenderit, Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi, ka hapur thirrjen për fermerët për furnizim me nga një mëshqerrë, të cilat do të blihen te kompania “Apetiti”. Megjithatë, aty janë vendosur kritere që përjashtojnë fermerët e vegjël.

Afati i aplikimit është deri më 24 prill 2024. Aty janë vendosur edhe kushtet që duhet të plotësohen. Konkurrenti/ja duhet t’ia japë komunës 30 për qind të parave për mëshqerrën.

Pos dokumenteve të rëndomta, si letërnjoftimi, certifikata e bashkësisë familjare dhe vërtetimi i tatimit në pronë, është kërkuar që fermeri të posedojë edhe vërtetim të lëshuar nga AVUK për numrin e krerëve të lopëve i lëshuar nga praktikat veterinare dhe çertifikatë e regjistrimit të fermerit NIF-it (Të jetë i regjistruar si fermer para datës se thirrjes për aplikim). Ky kritere, sikurse edhe ai paraprak, janë shumë diskriminues ndaj fermerëve që kanë stalla të vogla me gjedhe, ndërkaq favorizon vetëm ata që merren me tregti të qumështit dhe mishit, të cilër përkrahen direkt edhe nga Ministria e Bujqësisë.

Kushtet e tjera për pjesëmarrje janë edhe që fermeri/ja duhet të posedojë stallë adekuate që i plotëson kushtet sipas standardeve dhe stalla duhet të jetë në territorin e Podujevës. Edhe ky kriter nuk është i qartë, sepse nuk është cekur sipas cilave standarde duhet të jetë stalla.

Kriteret e plota:

Në javën e kaluar, komuna që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, e ka shpërblyer me tender kompaninë “Apetiti” Shpk.

Bëhet fjalë për tenderin “Furnizim me mëshqerra”.

Në garë kanë qenë dy kompani: “Apetiti” me ofertë 413,925 euro dhe “Riki Invest” me ofertë 415,492 euro. Por, ka fituar oferta e kompanisë së parë, pasi kriter kryesor ka qenë “çmimi më i lirë”, raporton Demokracia.com.

Komuna po synon që nga kompania e lartpërmendur të blejë mëshqerra.

Në dosje të tenderit është shkruar se mëshqerrat duhet të jenë të racës ” (kuq e bardh), me veti të kombinuara (qumësht – mish) dhe të ardhura nga importi (BE).

Mbetet të shihet se nga cili vend i BE-së janë blerë këto kafshë.

Në njoftimin për kontratë, vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 385,714 euro në total.

270.000.00 euro nga buxheti i komunës

115.714.00 euro nga bashkëfinancimi 30%. Por, siç shihet, kompania e shpërblyer ka pasur ofertë 30 mijë euro më të lartë sesa vlera e kontratës. Në këtë rast, kaq para do të detyrohet të marrë nga projektet tjera që të destinojë në këtë projekt Komuna e Podujevës.

Para pak ditësh një institucion publik e ka anuluar krejt një tender me arsyetimin se ofertuesit kanë tejkaluar vlerën e parashikuar të kontratës, ani pse ofertat kanë qenë të përgjegjshme. Kjo pasi Ligji i Prokurimit rekomandon që në raste të tilla të anulohet aktiviteti i prokurimit.

Artikulli i plotë i publikuar në Top Story

“Shkrije 24 orë para e s’kuptohet”, mishi i Brazilit shitet si mish i freskët Kosove

Çështja që trajtojmë sot është një skandal i përmasave të frikshme, pasi ka të bëjë me ushqimin e të gjithëve ne. Mishi me origjinë nga Brazili, importohet nga Kosova nga kompania “Apetit shpk”. Më pas në etiketë shkruhet, se është mish i freskët nga Kosova. Sipas burimeve tona vetëm për vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kg mish nga kompanitë shqiptare nga kompania “Apetit shpk”. Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë ne UBT,Kapllan Sulaj na shpjegon, sesi funksionon industria e mishit, siguria ushqimore sipas standardeve të BE-së dhe karakteristikat, që identifikojnë mishin e freskët nga mishi i ngrirë me origjinë nga Brazili. Ne u informuam, se në Shkozet të Durrësit, një biznes në emër të Ilir Gjonit, shet mish të ngrirë brazilian, që hyn nga Kosova përmes “Apetit shpk”.Ky tregtar na tregon si ta shkrijmë mishin 24 orë përpara dhe ta servirim si mish të freskët Kosovë. Me kamera të fshehtë, morëm rolin e biznesmenit të hotelerisë dhe porositëm 1 ton mish nga “Apetit shpk” në Kosovë. Por dokumentet u bënë sikur 1 ton mish fileto vici ishte mish i freskët nga Kosova, i therur në janar 2024. “Apetit” me ndihmën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë me inspektor Qenan Maxhuni bënë të mundur falsifikimin e origjinës së mishit nga Brazili në Kosovë.

Stop/ Një ton mish Brazili hyn nga Morina si i therur në Kosovë në janar

Tre ditë, pasi porositëm 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit shpk”, sasia e filetos së vicit erdhi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës, duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit. “Apetit shpk” kishte falsifikuar edhe çmimin, për të mos paguar detyrimet në baze të çmimit real prej 15 eurosh për 1 kg mish fileto vici. Për këtë skandal ne shkuam në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku zëdhënësi për mediat, pasi u njoh me problemin, tha, se do të nisë një hetim nga ky institucion në bashkëpunim edhe me institucione të tjera ligjzbatuese për dënimin e këtij fenomeni, që dëmton konsumatorin dhe ekonominë./Demokracia.com/

VIDEO nga minuta e 9-të

Të ngjashme