Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Gjilanit e shkel ligjin, kompania që rezulton e shuar në ARBK fitoi tender 50 mijë euro
Demokracia
18:30 | 28 Dhjetor 2023

Share:

Komuna e Gjilanit, e cila drejtohet nga kryetari Alban Hyseni, ka shkelur Ligjin për Prokurimit Publik duke e shpërblyer me tender një kompani që nuk ekziston, shkruan Demokracia.com.

Ndriçimi publik në një pjesë të Gjilanit do të bëhet nga një kompani që nuk ekziston.

Për kontratën “Ndriçimi publik në P.RR.U. Livadhet e Arapit”, e cila është nënshkruar sot, është rekomanduar kompania N.T.P. “Toni – Goni”. Bazuar në uebfaqen e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës – ARBK, kjo kompani e ka statusin e firmës së shuar.

Bazuar në dosjen e tenderit për këtë aktivitet të prokurimit, tek rubrika “dëshmia e kërkuar dokumentare”, është kërkuar që kompanitë ofertuese të dërgojnë edhe certifikatat e regjistrimit të bizneseve/kopje që janë ndërmarrje aktive.

Pos kësaj, kompania ekziston e çregjistruar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës. Edhe për këtë në dosjen e tenderit është kërkuar që kompanitë të dërgojnë si dëshmi certifikatën e TVSh-së (kopje), që janë tatimpagues të rregullt.

Numri i telefonit që është i paraqitur në “njoftimin për dhënie të kontratës” i kompanisë N.T.P. “Toni – Goni”, nuk ka pasur qasje në kohën kur Demokracia.com ka tentuar të flasë më pronarët e kësaj kompanie për të mësuar me çfarë certifikate të biznesit kanë aplikuar në këtë rast.

Vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender ka qenë 41,112.50 euro, por oferta e rekomanduar për kontratë është mbi 8 mijë euro më e lartë ose fiks 49,418.60 euro.

Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës, data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës është 28.12.2023.

Pjesëmarrës në këtë tender ka qenë edhe konzorciumi “Plus trade” LLC; “ NNP ATC.COM SHPK”; “Gurse&Bajram Sylejmani”. Kjo kompani ka pasur çmim më të lirë se kompania fituese për mbi 7 mijë euro, por Komuna e Gjilanit ka konsideruar se kompania nuk i ka plotësuar një serë kërkesash./Demokracia.com/

Të ngjashme