Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Alban Hysenit tenton t’i shesë jashtëligjshëm drutë e konfiskuara
Demokracia
13:39 | 16 Tetor 2023

Share:

Institucionet publike pos që blejnë mallra dhe shërbime me tender, ato nëpërmjet procedurave të prokurimit edhe i shesin asetet e tyre. Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga kryetari Alban Hyseni, po tenton t’i shesë drutë e konfiskuara duke e favorizuar jashtëligjshëm një grup të kompanive. Madje, pos shitjes, asaj i është shfaqur nevoja që ta blejë këtë produkt edhe vetë për ngrohje, por për shkak të dyshimeve të shkeljes së ligjit edhe këtu i ka ngecur tenderi, shkruan Demokracia.com.

Grupi i kompanive që u rekomandua për kontratë nga prokurimi i Gjilanit për blerjen e druve, doli që nuk i plotëson kushtet e Ligjit të Prokurimit. Këtë e ka konfirmuar Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili ndryshe njihet edhe si “Gjykata e tenderëve”.

Kjo gjykatë ka urdhëruar që të prishet vendimi për dhënien e kontratës grupit të kompanive “Rabit Latifi B.I”, “Copmany Zuka Commerce” shpk, në një vlerë prej 64.749.40 euro. OSHP-ja gjeti se lideri i grupit “Rabit Latifi BI” i ka borxhe komunës.

Komuna e ka kthyer në rivlerësim tenderin dhe tash po kërkon nga kompanitë të dëshmojnë edhe një herë çështjen e borxhit. Kjo mund të ngjallë dyshime se ajo mund të paguajë ato dhe të manipulohet tenderi.

Si nisi procesi?

Fillimisht, në gjysmën e majit të këtij viti, komuna ka shpallur ankand publik për shitjen e masës drusore. Kanë ofertuar kompania 1) “Pylla” Shpk, në një vlerë prej 64 mijë e 636 mijë euro dhe 2) Grupi Operatorëve Ekonomik “Rabit Latifi B.I”, “Company Zuka Commerc” Shpk, në një vlerë prej 64 mijë e 749 mijë euro. Sipas prokurimit komunal të dy kompanitë i kanë plotësuar të gjitha kushtet, por konzerciumi është rekomanduar më pas për kontratë, meqë ka ofertuar rreth 100 euro më çmime më të lartë se kompania “Pylla”.

Por, kompania që është diskualifikuar për shkak të çmimit, ka kërkuar qasje në dokumentacionin e kompanisë fituese, të cilës më pas të njëjtës i është ofruar nga komuna. Pos tjerash, ajo ka gjetur se lideri i konzorciumit, tek ‘kërkesat minimale të kualifikimit’, të kërkuara në dosjen e tenderit, Vërtetimin nga Autoriteti Pyjor Komunal se kundër subjektit përkatës nuk ka ngritur procedurë për dëme pyjore dhe se nuk ka obligime të pakryera nga kontratat e mëparme nuk qëndron. Është vërtetuar se lideri grupit “Rabit Latifi B.I”, ka pasur borxh ndaj Komunës së Gjilanit, konkretisht ndaj Drejtoratit për Bujqësinë të këtij institucioni.

Këtë ankesë, komuna e ka refuzuar si të pabazuar. Më pas, kompania ankuese është drejtuar tek Organi Shqyrtues i Prokurimit. Paneli i këtij institucioni ka gjetur se kompania ka borxhe të papaguara, andaj i ka kërkuar komunës që të prishë vendimin e saj për dhënie të kontratës dhe lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Komuna e ka pranuar këtë vendim dhe ka pezulluar vendimin e vet, duke e kthyer në rivlerësim tenderin. Por, nuk është bindur më faktin se kompania ka paraqitur dokumente që ka borxh ndaj saj  dhe paraprakisht ka dërguar pyetje shtesë tek kompania. “Për të vlerësuar tenderin e juaj në mënyrë të duhur, ne kërkojmë që të siguroni sqarimin e tenderit të juaj si në vijim: Komisioni për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve gjatë rivlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të ofertave për të vlerësuar në mënyrë profesionale ofertën tuaj përmes informatave shtesë kërkoni nga ana juaj si Rabit Latifi B.I me nr fiskal 811192020 të dorëzoni dëshmi mbi Vërtetimin nga Autoriteti Pyjor Komunal. Përgjigjet e juaja më shkrim duhet të pranohet prej nesh jo më vonë se 16 tetor 2023.

Kompania nuk është tatimpagues në ATK

Meqenëse autoriteti kontraktues ka publikuar edhe numrin fiskal të kompanisë Rabit Latifi B.I811192020, Demokracia.com ka bërë një kërkim në Administratën Tatimore të Kosovës për të parë nëse ajo është e regjistruar si tatimpaguese. Nga të dhënat e ATK-së del se kompania nuk është tatimpagues i regjistruar për TVSH. Një prej pikave kryesore që është kërkuar në dosjen e tenderit ka qenë edhe se kompania duhet të dëshmojë ‘certifikatën e TVSH-së’- kopje.

Komuna e Gjilanit rrezikon që të futet në dimër pa i blerë drutë për ngrohje. Disa institucione komunale e përdorin këtë lëndë djegëse për ngrohje. Që nga muaji maj i këtij viti po orvatet që të realizojë një tender për furnizimin më dru dhe pelet, por kontratën ka arritur ta nënshkruajë vetëm për pelet. Pjesa e tenderit për dru është duke kaluar nëpër procedura ankimore, ngase kompanitë garuese po konsiderojnë se komuna është duke e shkelur ligjin edhe në këtë rast. Demokracia.com është duke e monitoruar këtë procedurë të prokurimit. /Demokracia.com/

Të ngjashme