Lajme
DOKUMENTE | Kompania paralajmëroi kallëzim penal kundër Përparim Ramës për përzierje në tender, kryetari ia nënshkruan më pas kontratën
Demokracia
20:00 | 03 Janar 2024

Share:

Më 1 janar 2024, ndonëse nuk ishte ditë pune për institucionet publike, në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) u publikuan disa informacione për realizimin e disa aktiviteteve të prokurimit. Edhe tek prokurimet e Komunës së Prishtinës u publikua një aktivitet, shkruan Demokracia.com.

Pas shumë zvarritjeve, me të nisur viti në KRPP u publikua njoftimi për nënshkrimin e dhënies së kontratës për tenderin “Master Plani për Rigjenerimin e Lagjes Kolovicë”. Fituese është kompania “Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë – Insi” Sh.p.k.

Fillimisht, ky institut ishte shpallur si operator i papërgjegjshëm që nuk i plotësonte kushtet. Por, vetëm pak ditë pasi kompania paralajmëroi kallëzim penal ndaj kryetarit Përparim Rama se po përzihet në këtë tender, kompania nga pozicioni “nuk i plotëson kushtet” kaloi në pozicionin “i plotësoi kushtet”. Kontratën në fund të dhjetorit ia nënshkroi vetë kryetari Rama. Të gjitha këto veprime përmbajnë dyshime që mund të nivelohet edhe prokuroria e shtetit.

Si nisi procesi?

Fillimisht, thirrja për këtë procedurë të prokurimit është bërë më 24 maj 2023.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 400,000.00 euro.

Më 23 qershor, Komuna e Prishtinës ka hapur ofertat. Nga dokumentet e ngarkuara në KRPP, Demokracia.com ka parë se kanë garuar dy kompani, përkatësisht “Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë -Insi” Shpk, i cili ka pasur ofertë 169,000.00 euro dhe kompania tjetër “Gm Architecture” Shpk, me çmim 185,500.00 euro.

Komuna e Prishtinës e ka mbajtur tre muaj në vlerësim dhe më 28 shtator ka bërë “njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues”, ku ka eliminuar të dy ofertat nën arsyetimin se asnjëra nuk i ka plotësuar kushtet e vendosura në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë, shkruan Demokracia.com.

“Nuk janë përmbushur kërkesat e kapacitetit teknik dhe profesional. Tenderi juaj është refuzuar për këto arsye: Ju si OE-ik nuk keni dorëzuar dokumentacionin e kërkuar konform DT-së dhe njoftimit për Kontratë për kërkesën: Master të Juridikut minimum 3 vite përvoja pune pas diplomimit. Ju si OE-ik për këtë kërkesë nuk keni dorëzuar Diplomën e nostrifikuar pēr personin të cilin e keni paraqitur për këtë pikë të kërkesës. Po ashtu edhe për kërkesën tjetër: Master i shkencave shoqëror biologji-drejtimi i ambientit ju keni paraqitur dokumentacionin pēr bashkëpunëtorin tuaj, por nuk keni paraqitur dëshmi sipas kërkesës Kontrata e punës për vitet paraprake (mungojnë dëshmitë e referencave), andaj për këto arsye jeni eliminuar”, thuhet në arsyetimin e eliminimit për Institutin “Insi”.

Me këtë vendim nuk është pajtuar kompania ”Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë – Insi”, e cila ka bërë kërkesë për rishqyrtim tek komuna, duke paraqitur faktet e veta se prokurimi e ka pasur gabim kur e ka eliminuar.

Kërkesën e saj ankimore e ka hedhur poshtë Komuna e Prishtinës dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vet.

Paneli OSHP-së nuk e gjykon lëndën, ua lë palëve në dorë marrëveshjen

Më 17 tetor, “Insi” ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit kundër vendimit të komunës për anulimin e tenderit, duke pretenduar se i ka plotësuar kërkesat dhe komuna ia ka bërë të padrejtë. OSHP-ja, më pas e ka autorizuar ekspertin e vet shqyrtues, Idriz Cufajn, për të shoshitur provat.

Eksperti e ka dorëzuar raportin e ekspertizës më 6 nëntor 2023. Cufaj e kam miratuar ankesën e kompanisë ankuese dhe ka rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.

Eksperti me të përfunduar raportin, Komuna e Prishtinës nuk e ka pritur fare vendimin e panelit dhe ka rënë në ujdi më kompaninë që lënda të kthehet në rivlerësim.

Konform ligjit, Paneli Shqyrtues është mbledhur më 14 nëntor. Bordi i OSHP-së nuk e ka gjykuar fare lëndën, rrjedhimisht nuk e ka shqyrtuar fare raportin e ekspertit, nëse ka apo jo të drejtë kompania, ashtu siç ndodh rendom.

“Përfundon procedura e shqyrtimit në këtë çështje administrative, për shkak të pajtimit të arritur mes palëve, “KK Prishtinës” nga cilësia e autoritetit kontraktues dhe Operatorit Ekonomik “Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë Insi SH.P.K.” lidhur me aktivitetin e prokurimit “Master plani për rigjenerimin e lagjes Kolovica- Ritender”, me numër të prokurimit 616-23-5145-2-1-1”, ka shkruar Bordi në vendimin e vet final.

Pas kësaj, Komuna e Prishtinës e ka kthyer në rivlerësim tenderin dhe duke e mohuar vendimin e parë të vetin, e ka shpallur fitues institutin “Insi”.

“Insti” paralajmëroi kallëzim penal ndaj Ramës deri sa tenderi po gjykohej nga OSHP

Rrallëherë ndodh që autoriteti kontraktues të pajtohet më kompaninë ankimore, pasi eksperti të nxjerrë raporte dhe më pas nga pajtimi ta shpall fituese kompaninë ankuese. Rëndom ndodh deri sa kjo të jetë në proces të gjykimit nga eksperti. Dhe në rastet më të shpeshta ndodh që vetë kompania të tërhiqet nga ankesa, ndonëse më pas nuk fiton asgjë.

Në kohën sa lënda ishte në OSHP, instituti “Insi” kishte paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal ndaj kryetarit Përparim Rama.

Ky kërcenim i tij ishte publikuar edhe në media.

Sipas Periskopit, i cili e ka publikuar edhe letrën e kompanisë më 7 nëntor 2023, aty thuhet se Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë, INSI, ka paralajmëruar Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama se së shpejti do të bëjnë kallëzim penal ndaj tyre.

“Për këtë, INSI, ditë më pari i ka dërguar një email Komunës dhe Kryetarit, në të cilën kërkohet që të njoftohet dhe sqarohet se pse ky Institut po përjashtohet, sipas tyre, pa të drejtë nga disa tenderë të Komunës së Prishtinës”.

Përpos fajësimit të kryetarit Përparim Rama, se personalisht ka gisht në përjashtimin e INSI-it nga tenderët, në emalin e INSI-it përmenden edhe shkaqet e tjera që po e detyrojnë këtë institut të mendojë kallëzimin penal ndaj Rames dhe Komunës së Prishtinës.

Eliminimi nga gara për arsye banale, zvarritjet e shkeljet ligjore të vazhdueshme gjatë vlerësimit të tenderëve ishin shkaqet për të cilat INSI po përgatiste kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Rama.

“Shkeljet dhe padrejtësitë që na janë bërë neve si Institut nga Komuna e Prishtinës, përbejnë vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës”, thuhet mes tjerash në emalin e INSI-t.

Nga ana tjetër, më 19 dhjetor, kryetari Përparim Rama e ka hedhur firmën në kontratën e nënshkruar me institutin “Insi”.

A ranë në ujdi Komuna e Prishtinës e “Insi” edhe për një tjetër tender?

Në ditën që komuna e ka shpallur fituese “Insi”-n për tenderin “Master Plani për Rigjenerimin e Lagjes Kolovicë”, të njëjtën ditë e ka shpallur fituesin e tenderit “Shërbime Këshilluese për Planifikim, Promovim dhe Funksionalizim të Parkut Industrial në Prishtinë”. Kjo kontratë është nënshkruar më kompaninë Manag&Development Assiciates LLC”, e cila është në pronësi të vëllait të shefit të stafit të kryemisnitrit Kurti, Luan Dalipit.

Pjesëmarrës në këtë tender ka qenë edhe Instituti “Insi”. Fiks 0.51 për qind ose gjysmë pike ka qenë dallimi në mes kompanisë fituese dhe kompanisë në garë që është radhitur në vendin e dytë “Insi”. Duke parë këtë diferencë kaq të ngushtë, pothuajse e paparë në prokurimet publike, Demokracia.com ka kërkuar qasje në raportin e vlerësimit të këtij tenderi për të parë sesi janë mbledhur pikët në tenderin, i cili ka qenë me poentim.

Komuna e Prishtinës nuk ka lejuar qasje, duke pohuar se ai është dokument i brendshëm dhe nuk ka nevojë të jetë në dispozicion për palët e jashtme. Por, ajo që duhet të theksohet është se kompania “Insi” nuk ka bërë ankesë në këtë tender, anise ishte më e lirë dhe dallimi ishte për gjysmë pike më fituesin. /Demokracia.com – Mentor Buzhala/

Të ngjashme