Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Xhelal Sveçla, muaj më parë i shpalli dy kompani gjermane të papërgjegjshme në tenderin e pasaportave. Por, ditë më parë, vetë Sveçla ia ka bërë një kërkesë absurde këtij shteti, duke i kërkuar hyrje me pasaporta të skaduara.
Edhe viti 2023 ka nis me telashe për qytetarët që kanë nevojë të pajisen me pasaporta.
Pavarësisht kontratës së firmosur për pasaporta dhe dokumente të tjera në dhjetorin që lamë pas, ende nuk ka startuar pajisja e qytetarëve të Kosovës me to për shkak të mungesës së materialit.
E, për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës, që u ka skaduar pasaporta, shkruan Demokracia.com.
Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës, të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.
Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë deri në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese.
“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar”, vazhdon letra që mban datën 21 dhjetor 2022.
Mirëpo, muaj më parë vetë Ministria e Punëve të Brendshme që drejtohet nga Xhelal Sveçla i shpalli dy kompani gjermane të papërgjegjshme në tenderin e pasaportave.
Për tenderin në fjalë kishin aplikuar vetëm dy kompani.
“Augentic GmbH; IN Groupe shpk, me vlerën e ofertës prej 12329261, 27 euro, dhe Grupi i kompanive 1, “Muhlbauer ID Services GmbH; Ymako SHPK, me vlerë të ofertës prej 12456071, 43 eurove. Ky grup i kompanive, ndonëse ka ofertuar çmim pak më të lartë se grupi tjetër, ka qenë më i kompletuar me dokumentacion.
Grupi ‘Muhlbauer’ është i vetmi partner teknologjik në mbarë botën për prodhimin dhe personalizimin e kartave, pasaportave dhe aplikacioneve RFID që ofron gjithçka nga një burim i vetëm.
Ka rreth 3500 punonjës dhe qendrat teknologjike i kanë në Gjermani, Malajzi, Kinë, Sllovaki, SHBA dhe Serbi.
Ofertat ishin hapur në qershor të vitit 2022, por MPB-ja kishte vendosur që t’i hedhë të dyja poshtë, shkruan Demokracia.com.
Kësisoj kishte anuluar në tersi këtë aktivitet të prokurimit. Por, pas këtij vendimi kishte marrë ankesa nga dy kompanitë, të cilat nuk janë pajtuar që të shpallen të papërgjegjshme. Ministria në afatin ligjor ka shqyrtuar ankesat e tyre dhe i ka hedhur poshtë të dyja, duke lënë në fuqi vendimin e vet.
Sipas dokumenteve që janë të ngarkuara në E-prokurim, oferta e “Augentic GmbH; IN Groupe shpk është vlerësuar si e papërgjegjshme për një sërë arsyesh.
Ankesa e “Muhlbauer ID Services GmbH; Ymako SHPK” që e ka bazën e prodhimit edhe në Serbi është hedhur poshtë më arsyetimin se: “Nuk keni dorëzuar në pajtueshmëri më kërkesat në dosjen e tenderit të specifikimit teknik pika 7.4 Hardueri për qendrën e procedimet, nuk është dorëzuar fare oferta teknike, janë bashkangjitur dhe katalogët nga të cilat nuk janë identifikuar kapacitete qe janë kërkuar sipas specifikacionit teknik në Aneksin 1 të Dosjes së Tenderit”.
Bazuar në kërkesën e madhe për pasaporta, ministria ka shkuar me procedurë të hapur. Kjo procedurë nuk është aspak transpartente, por i lejon autoritet kontraktuese që ta aplikojnë në rastet emergjente te furnizimet.
Bazuar në praktikat e deritashme, tenderi i është dhënë kompanisë gjermane “Veridos” GmbH, e cila e ka degën e saj edhe në Kosovë me përfaqësues Reinhard Hilarius. Me këtë kompani, MPB-ja kishte lidhur procedurë të negociuar edhe në vitin e kaluar për furnizim më dokumente të identifikimit.
Katër milionë euro i janë ndarë një kompanie gjermane për furnizim me material për dokumente nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Kompania e quajtur “Veridos GmbH” do të bëjë furnizimin e ministrisë me dokumente blanko, pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë.
Nënshkrimi i kontratës është bërë më 14 dhjetor të vitit 2022, ndërsa do të vlejë vetëm 1 vit.
Tash e disa muaj, qytetarët e Kosovës s’kanë mundur të pajisjen me dokumente nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike për shkak të mungesës së materialit.
Për herë të fundit, Kosova është furnizuar me material për pasaporta në qershorin e këtij viti.
Pas këtij furnizimi, lëshimi i pasaportave në mënyrë të rregullt u bë deri në fillimin e shtatorit.
Ministria e Punëve të Brendshme edhe pse ka disa muaj që nuk ka material të mjaftueshëm për lëshimin e pasaportave, nuk ka dalë me sqarim për opinionin publik.
Një muaj më parë, ky institucion kufizimin e prodhimit të pasaportave e lidhte me pandeminë dhe inflacionin.
“Për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar. Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19”.
Në Kosovë përdoren shpesh tenderët e negociuar dhe një pjesë e tyre jepen me çmime me të larta se çmimet në tenderë të rregullt. Ndonëse ekziston një praktike e tillë, ligji e parasheh ndryshe.
MPB-ja edhe në të kaluarën ka pasur probleme me lëshimin e dokumenteve personale. Në vitin 2020, ky institucion kishte ndaluar lëshimin e letërnjoftimeve për rreth 4 muaj. Edhe atëherë arsyetim ishte dhënë mungesa e materialit./Demokracia.com/