Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” është nën ombrellën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe shërbimet e veta i ofron për pesë komuna (Pejë, Deçan, Istog, Klinë dhe Junik). Demokracia.com ka gjetur se ndaj kësaj kompanie publike, e cila nuk është shumë e ekspozuar në media, është shqiptuar një gjobë me arsyetimin se në disa konkurse për inspektorë ka favorizuar persona të caktuar që nuk kanë përmbushur kriteret.
Më 24 nëntor 2023, “Hidrodrini” kishte publikuar rezultatin final të konkursit për tetë pozita “Inspektor”.
Lidhur me këtë konkurs, disa kandidatë në garë kanë shprehur pakënaqësi lidhur me vendimin e kompanisë kur ka shpallur fituesit. Ata kanë konsideruar se u është bërë e padrejtë nga ana e kompanisë dhe se disa nga emrat e rekomanduar nuk i kanë përmbushur kriteret. Ankesë kanë adresuar kandidatët Agron Lajqi, Ardian Hajdaraj e Bashkim Daci.
Siç ka parë Demokracia.com, Inspektorati i Punës ka autorizuar inspektorin Musa Lufaj për të shoshitur pretendimet ankimore.
“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve sipas konkursit të publikuar më datë 24.11.2023 për vendin e punës Inspektor është përgjegjës për cenimin e disa dispozitave. Për shkeljen e nenit 8, të Udhëzimit Admistrativ nr 07/2012 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, i shqiptohet një gjobë në lartësi prej 1000 euro. Obligohet Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, që gjobën e shqiptuar t’a paguaj në afat prej 8 ditësh”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.
Po ashtu, një gjobë në vlerë prej 1500 eurosh, kësaj kompanie i është shqiptuar edhe për shkak dallavereve që ka bërë në një tjetër konkurs.
Kjo kompani para pak muajve është paditur nga një punëtore në Gjykatën Themelore për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Gjykata e ka urdhëruar ndërmarrjen që t’ia bëjë kompensimin pagave dyfish më shumë në bruto.
“APROVOHET pjesërisht e bazuar kërkesëpadia e paditëses Vjollca lmami nga Peja, kundër Kompania Rajonale “Hidrodrini” dhe ANULOHET Vendimi i të paditurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të paditëses Vjollca Imami nga Peja si i KUNDERLIGJSHEM, ashtu që DETYROHET e paditura Kompania Rajonale “Hidrodrini” me seli ne Peje qe paditeses në emër te kompensimit për ndërprerjen e kundërligjshme te marrëdhënies se punës me date 18.08.2023, te i paguaje dyfishin e pagave bruto për periudhën e kontratës së punës nga data 18.08 2023 deri me dt.31.12.2023”, thuhet në aktgjykimin që e ka parë Demokracia.com.
Kryeshef Ekzekutiv i KRU ‘Hidrodrini’ është Dri Cena.
Kompania Rajonale për Ujë dhe Kanalizim ‘Hidrodrini’ është themeluar në tetor të vitit 2004 në bazë të marrëveshjes së përbashkët ndërmjet Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) dhe pesë komunave. Nga data 31.05.2007, K.R.U. “Hidrodrini” Sh. A., nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik është pajtuar të zhvillojë aktivitetin me numër të ri të biznesit 70432209. Kompania si Shoqëri Aksionare është e organizuar sipas rregullit ekzistues të ligjeve të Kosovës. Sipas Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrje Publike janë nën Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës si Ndërmarrje Publike Qendrore. K.R.U. “Hidrodrini”Sh. A. është institucion publik profesional i licencuar nga Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit, për ofrimin e shërbimeve bazë të furnizimit me ujë të pijshëm dhe shërbimet e kanalizimit. /Demokracia.com/