Lajme
DOKUMENTE| Gjenerali i shpërblyer nga Vuçiqi i komandonte njësitë serbe që e kryen masakrën në Izbicë
Demokracia
19:39 | 28 Mars 2022

Share:

Masakra e Izbicës ishte një prej masakrave më të mëdha në Komunën e Skenderajt. Në këtë fshat të Drenicës, më 28 mars 1999 ishin vrarë rreth 150 civilë të pafajshëm.

Izbica është në mesin e mbi 40 lokacioneve në Kosovë, që zyrtarët e NATO-s dhe SHBA-së i kishin identifikuar si vende të mundshme për varreza masive. Një ditë para masakrës, forcat serbe e kishin granatuar fshatin, ku së paku 4500 banorë dhe persona të zhvendosur kishin gjetur strehim në një fushë në pjesën skajore të Izbicës.

Të nesërmen ata ishin rrethuar, u ishin afruar, ua kishin mbledhur të gjitha paratë dhe më pas i kishin vrarë dhe masakruar rreth 150 shqiptarë të asaj ane, shkruan Demokracia.com.

Kanë qenë brigada 37 dhe ajo 125 e forcave serbe nën komandën e gjeneralit serb Dikoviq, që kanë marrë pjesë në këtë operacion kriminal.

Në këtë aksion kishin marrë pjesë shtatë çeta të PPJ, prej të cilave dy e kishin pasur për detyrë që aktivitetet e tyre t’i koordinonin edhe me brigadën e motorizuar 37.

Dikoviqi para gjykatës në Hagë së pari kishte mohuar se njësitë e tij kanë pasur kontakt në civilë në zonën e Izbicës, por më vonë në transkripte të dëshmisë së Dosjes së Ljubisha Dikoviqit, ai pohon se në Izbicë “i kanë ndërprerë […] veprimet, i kanë ndarë njerëzit” dhe kishte shtuar se atëherë para tij është gjendur njëfarë njësie e MPB-së, duke e pohuar prapë më vonë kontaktin me civilë në Izbicë, përcjell Demokracia.com.

Në vitin 1999, Ljubisha Dikoviq ishte oficer i Armatës së Jugosllavisë (AJ) me gradën e nënkolonelit dhe komandant i brigadës së 37-të të motorizuar të AJ. Me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të AJ, të datës 29.07.1998, br. 37 mtr. më datën 7.03.1999, ai i është bashkëngjitur korpusit 52 (të Prishtinës) të Armatës së Tretë të AJ.

Nën komandën e Dikoviqit, nga muaji maj i vitit 1988, në br. 37 mtr., shumë oficerë të sigurimit ushtarak, në mesin e të cilëve edhe nënkolonelët Sllobodan Stoshiqi (Slobodan Stošić) dhe Miodrag Gjorgjeviqi (Miodrag Đorđević), i kanë stërvitur dhe ushtruar grupet e vrasësve e kriminelëve. Madje edhe disa dhjetëra vrasës të dënuar të burgut të Mitrovicës së Sremit, përcjell Demokracia.com.

Dosja e plotë e Ljubisha Dikoviqit

Nga korriku i vitit 1998, ata vrasës i kishin sjellë në Kosovë si vullnetarë dhe pjesëtarë të AJ. Shumë nga vrasësit e dënuar, sipas kërkesave të shërbimeve të fshehta ushtarake dhe policore, gjykatat në Serbi i kishin liruar nga pjesa e mbetur e dënimit me burgosje dhe i kishin lëshuar në liri për të luftuar në Kosovë.

Më datën 7.03.1999, koloneli Dikoviq si komandant i br. 37 mtr. nga kazerma në Rashkë, e kishte sjellë Grupin Luftarak (GL 37) në Kosovë, i cili si grup numëronte rreth 400 pjesëtarë, që më pas dyshohen se i kishin kryer shumicën e masakrave në rajonin e Drenicës dhe komunave tjera përreth.

Demokracia.com sjell dokumente zyrtare të Serbisë, ku shihet edhe urdhri i Dikoviqit për “pastrimin e territorit”, ku u zhvarrosën viktimat shqiptare, kryesisht nga Izbica dhe fshatrat përreth.

Shumë prej mbetjeve mortore të viktimave ishin gjetur më pas në fshatin Rudnica në Serbi.

Nga presidenti aktual serb Alekasandar Vuçiq, Dikoviq ishte shpërblyer edhe me detyrën e shefit të shtabit të Ushtrisë Serbe. /Demokracia.com/

Të ngjashme