Lajme
DOKUMENTE | Edhe për 6.5 milionë euro rritet vlera për ndërtimin e Rrugës A, komuna nisë tjetër tender
Demokracia
22:00 | 11 Janar 2024

Share:

Ndërtimi i shumëpërfolur i Rrugës A në Komunën e Prishtinës ka nisur në prill të vitit të kaluar dhe kontrata kapte një vlerë prej rreth 8.5 milionë euro. Kontrata nuk pritet të përfundojë sipas planit dinamik, ngase ka pasur disa telashe nga vendimet e lëshuara nga Gjykata Komerciale për ndalje të punimeve. Edhe pse ajo nuk do të përfundojë me kohë, Komuna e Prishtinës po mendon të lidh një tjetër tender të ri për vazhdimin e rrugës, shkruan Demokracia.com.

“Ndërtimi i Rrugës A, faza II, dhe vazhdimi i kolektorit”, kështu do të quhet tenderi, i cili pritet të hapet nga Komuna e Prishtinës më 5 shkurt. Vlera e parashikuar është 6,500,000.00 euro.

Punimet do të vazhdojnë, ndonëse mbarimi i fazës së parë nuk është askund.

Në fazën e parë është duke ndërtuar grupi i operatorëve ekonomik “Sallahu SH.P.K; Altis-Construction LTD”.

Bazuar në njoftimin për nënshkrim të kontratës që ka publikuar Komuna e Prishtinës në e-Prokurimi, vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 8 milionë e 497 mijë e 801 euro.

Kohëzgjatja e kontratës ka qenë 240 ditë.

Tenderi është dhënë me procedurë të kufizuar, që nënkupton se secili operator ekonomik mund të kërkojë të marrë pjesë dhe ku vetëm ata operatorë ekonomikë të ftuar nga autoriteti kontraktues mund të dorëzojnë një tender. Kontrata është nënshkruar më 24 prill dhe nuk pritet të përfundojë në afat, ngase Gjykata Komerciale dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit janë ballafaquar më disa seanca për shkak të dyshimeve se ky i fundit kishte marrë vendim kundërligjshëm në favor të kompanisë së rekomanduar nga Komuna e Prishtinës, duke i lejuar kështu edhe komunës nënshkrimin e kontratës.

Kujtojmë se AVONET, e cila bën monitorimin e procedurave tenderuese kishte monitoruar aktivitetin e prokurimit ”Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë”.

AVONET kishte thënë se gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës ka identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k ka Aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar nga neni 398, par. 2 KPRK- së, me nr. të lëndës PKR. Nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Andaj, bazuar në Ligjin NR. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, përkatësisht në nenin 65, paragrafin 3, i cili përcakton se: “Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile, duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”, kishtë thënë AVONET.

Kjo organizatë, duke parë se OE “Sallahu” sh.p.k me ish pronar z. Naim Sallahu tashmë ka një aktgjykim të formës së prerë sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës, konsideron se këtij operatori ekonomik iu ndalohet e drejta për të marrë (ofertuar) pjesë në aktivitetet e prokurimit ose ekzekutimit të ndonjë kontrate publike, sipas Ligjit NR. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, neni 65, paragrafi 3.

AVONET duke parë dokumentacionin e dosjes së ofertuesit të OE “Sallahu” shpk në aktivitetin e prokurimit të projektit me titull: ”Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” me nr. të prokurimit: 616-22-7096-5-1-2, tek autoriteti kontraktues, konkretisht Komuna e Prishtinës, ka parë që Naim Sallahu është zyrtar i OE “Sallahu” shpk, ku figuron edhe në listat e pagave për vitin 2022 të lëshuar më 05.08.2022, poashtu edhe për vitin 2021, 2020, 2019 dhe 2018 në formularin e deklarimeve vjetore dhe pagesave për tatimin në të ardhurat e korportave, ku figuron si person kontaktues Naim Sallahu. Ai figuron edhe në noterizimin e ISO certifikatës që e ka bërë kërkesën z.Naim Sallahut, të lëshuar në emër të “Sallahu”shpk, që vërteton se ka pozitë udhëheqëse apo pozitë në OE.

Këto dokumente që janë në dosjen e ofertës e kanë plotësuar kriterin e dosjes së tenderit dhe nga kjo rezulton se OE dhe përfaqësuesi i saj z.Lulzim Sallahu dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe deklarimi i rremë nën betim dhe ky veprim është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe është i dënueshëm me nenin 415 të KODIT PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, me NR. 06/L-074: Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe nenin 383, deklarimi i rremë nën betim.

AVONET për të gjeturat nga ky monitorim ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të fillojë hetimet. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Aktakuzë për mashtrim në tender ndaj kompanisë që po ndërton Rrugën A, pronarët e saj njihen për falsifikime

Të ngjashme