Lajme
DOKUMENTE| Donika Gërvalla i jep mijëra euro ish-organizatës së zëvendëses së saj, Liza Gashi
Demokracia
17:13 | 13 Gusht 2022

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e udhëhequr nga Donika Gërvalla-Schwarz po ia vazhdon favoret organizatës GERMIN që deri para pak kohësh është udhëhequr nga zëvendësja e saj, Liza Gashi.

Shumicën e projekteve që kanë të bëjnë me diasporën çuditërisht prej ardhjes së Donika Gërvalla-Schwarz dhe Liza Gashit në krye të kësaj ministrie i merr organizata GERMIN.

Së fundmi kjo ministri ka nënshkruar një memorandum me organizatën GERMIN për një program të quajtur “OriginAL” ku MPJD i ka dhënë 10 mijë euro.

Përmes këtij programi MPJD dhe GERMIN po synojnë që të ofrojnë përvojë vullnetare, arsimore dhe kulturore për të rinjtë shqiptarë të Diasporës nga mosha 18 deri në 24 vjeç në vendet e tyre të lindjes, shkruan Demokracia.com.

Në memorandumin e siguruar nga Demokracia.com thuhet se qëllimi i këtij programi është që të forcohet ndjenja e tyre identitare dhe të krijohen lidhje afatgjata, veçanërisht mes tyre dhe bashkëmoshatarëve të tyre në vendet e origjinës.

Sipas memorandumit parashihet që në vitin e parë (2022), “OriginAL” do të sjellë të paktën 40 të rinj shqiptarë nga e gjithë bota për dy javë në Kosovë dhe Shqipëri, për të rritur këtë numër në qindra e më pas mijëra të rinj shqiptarë nga e gjithë bota në pesë vitet e ardhshme.

“OriginAL synon të ofrojë udhëtim edukativ dhe kulturor që përfshinë përvojë vullnetare, që do të motivonte të rinjtë shqiptarë të diasporës për të eksploruar dhe për t’u lidhur me shqiptarët në vendet tona amë. Ne jemi ambiciozë për të krijuar një histori suksesi të lidhjes kuptimplotë të të rinjve shqiptarë me vendet e tyre të origjinës dhe kjo histori fillon tani”, thuhet në marrëveshjen ndërmjet MPJD-së dhe ish-organizatës së zëvendësministres Gashi.

E organizata që dikur udhëhiqej nga zëvendësministrja Gashi është marrë vesh me MPJD-në që të ruajnë konfidencialitetin në lidhje me informacionet dhe të dhënat që do të shkëmbejnë vlefshmërisë dhe/ose zbatimit të kësaj marrëveshjeje, me vendimmarrjen e përbashkët të tyre.

Organizata GERMIN do të jetë përgjegjëse për selektimin e të rinjve të diasporës, organizimin e programit dhe agjendës gjatë udhëtimit dyjavor në Kosovë dhe Shqipëri dhe do të mbulojë mbi 70 për qind të kostove të programit për pjesëmarrësit.

MPJD do të mbulojë në mënyrë të drejtpërdrejtë deri në shumë 10 mijë euro, disa prej shpenzimeve në Kosovë (si p.sh. transporti i pjesëmarrësve gjatë qëndrimit në Kosovë, hapjen (11 gusht) ushqim dhe pije (hotelin për dy net sipas mundësive) pas pranimit të informacionit nga Organizata GERMIN.

Hapja e programi “OriginAL” është bërë më datën 11 gusht, para dy ditësh.

Në hapje ka marrë pjesë edhe ministrja Gërvalla-Schwarz e cila ka thënë se programet e tilla kanë treguar sukses në Izrael e në Armeni – prandaj sipas saj, nuk ka asnjë dyshim që edhe “OriginAL” do të jetë histori suksesi.

Kjo nuk është hera e parë që paratë e qytetarëve të Kosovës shpenzohen për llogari të ish-organizatës së zëvendësministres që po del të jetë më e privilegjuara. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

DOKUMENT| Thellohet skandali milionësh i Gërvallës e Damkës, përfiton edhe ish-organizata e zëvendësministres Liza Gashi

Të ngjashme