Lajme
DOKUMENTE | “Babadimri” Përparim Rama i kënaq me mijëra euro disa OJQ dhe institucione që nuk i takojnë komunës
Demokracia
22:31 | 28 Nëntor 2023

Share:

Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Përparim Rama, e ka hapur ‘kuletën’ duke shpërndarë para në këtë vit, ndonëse për disa individë dhe institucione nuk e ka për obligim, shkruan Demokracia.com.

Individë dhe organizata të shumta po kërkojnë ndihmë financiare nga Komuna e Prishtinës. Ndonëse shumë prej tyre do të duheshin që të trokisnin në nivelin qendror, ata kanë gjetur mbështetje te kryetari Përparim Rama.

Meqë nga viti në viti komuna nuk di s’i të shpenzojë paratë, këtë vit nuk kanë hezituar që ta hapin kuletën për t’i ndihmuar disa organizata e individë që u kanë kërkuar mjete financiare.

Demokracia.com ka parë se OJQ “Brig Minds”, e cila është një organizatë për të drejtat e fëmijëve e regjistruar në Prishtinë, i janë ndarë 90,838.00 euro për realizmin e projektit “Shkolla 3 – Dimensionale Prishtinë”.

Kryetari Përparim Rama e ka hapur zemrën edhe në vend të Ministrisë së Shëndetësisë, duke financuar më 4500 euro Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës.

Po ashtu, Fondacionit “Unë e dua Kosovën” i janë ndarë 20 mijë euro për Garën Kombëtare të Robotikës.

Në pamundësi për ta botuar librin e tij, “Shqipëria një histori në harta”, historiani Bejtullah Destani ka trokitur në derën e Komunës së Prishtinës. Komuna ia ka pranuar propozimin, duke ia ndarë 16.500 euro për botimin e këtij libri.

Për OJQ “The Library Project Kosova” janë ndarë edhe 80 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Ndërsa, aktorit Ardian Morina i janë ndarë 14 mijë euro për projektin “Gjithçka rreth IV”, një bashkëpunim teatror ndërmjet Tiranës dhe Shqipërisë.

Edhe Jusuf Islamit i janë ndarë 4500 euro për organizmin e fushatës humanitare “Vrapo babadimër”, shkruan Demokracia.com.

Benjamin Kolenović i janë ndarë 5000 euro për organizmin e konferencës që ka pasur për qëllim sjelljen e ekspertëve më të mëdhenj të fushës së Marketingut Digjital në Prishtinë. Ky event është mbajtur para pak ditëve dhe nuk pa pasur jehonë të madhe.

Komuna e Prishtinës ka ndarë mjete financiare edhe për dy ndërmarrje publike të saj, Kompaninë  “Sport Marketing” dhe “Pallatin e Rinisë ”. Të parës ia ka ndarë 50 mijë euro për shkak të vështirësive financiare, ndërsa të dytës ia ka ndarë 125 mijë euro.

Të gjitha këto vendime janë miratuar para pak ditëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës. /Demokracia.com/

Të ngjashme