Lajme
DOKUMENTE: Autoriteti i Konkurrencës nuk nxjerr vendim për gjobë ndaj MTS-së së Serbisë, ia ndalon blerjen e aksioneve të NET PLUS
Demokracia
13:45 | 18 Dhjetor 2023

Share:

Nëse vërtetohet se kompania MTS d.o.o. ka blerë ilegalisht së paku katër operatorë kabllorë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, do të gjobitet deri në dhjetë për qind të fitimit të përgjithshëm të realizuar kudo në botë gjatë vitit të fundit. Kështu kanë thënë para pak javëve për Radion Evropa e Lirë (REL) nga Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës, i cili për punën e tij raporton në Kuvend. Por, AKK-ja nuk e ka nxjerr ende një vendim për këtë, ndërkohë ia ka ndaluar kompanisë serbe më bazë në Kosovë, që të blejë aksionet e Net Pluss doo, shkruan Demorkacia.com

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, më 07.04.2023 ka pranuar kërkesën për njoftim të Përqendrimit lidhur me blerjen e aksioneve nga MTS D.0.0. mbi NET PLUS D.O.O.

AKK më 05.06.2023, me Nr. Prot. 264/23-01//D, ka hapur Konkluzion për fillimin e procedurës për vlerësim të Përqendrimit ndaj ndërmarrjeve MTS D.O.0. dhe Net Plus D.O.O. Ndërsa, në fund të muajit nëntor të këtij viti, siç ka parë Demokracia.com., AKK-ja ka nxjerr vendim për ndaljen e blerjes së aksioneve më arsyetimin se krijohet monopol.

MTS d.o.o. është kompani në pronësi të plotë te Telekom Serbia a.d. me adresë të regjistruar në: Takovska 2, 11000 Beograd, Serbia. Operatori i shpërndarjes MTS, me seli në Mitrovicën Veriore, operon në këto komuna: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveqan, Vushtri, Novobërdë, Gjilan, Partesh, Shtërpcë, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.

Operatori MTS D.O.O. është themeluar në tetor të vitit 2015, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Planin e Veprimit nga sfera e telekomunikacionit, me qëllim të kryerjes së aktivitetit të telekomunikacionit në territorin e Kosovës. Marrëveshja u dakordua që Kosova të marrë kodin e saj të zonës 383 dhe që Telekom Serbia të regjistrohet në sistemin e Kosovës dhe të aplikojë për licencë të telefonisë mobile në mënyrë që, sipas palës kosovare, të vazhdojë përkohësisht të operojë në Kosovë.

Telekom Serbia a.d. Beograd është themeluesi i kompanisë së sipërpërmendur të biznesit dhe anëtari i vetëm i saj me 100% të aksioneve.

Më 12 tetor 2015, kompania e re “MTS” D.O.O., Kompani me Përgjegjësi të Kufizuara, është themeluar dhe regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Kompania gjendet në Mitrovicë, Kosovë. Aktiviteti kryesor i biznesit të kompanisë është ofrimi i shërbimeve të telekomunikacionit.

Nga ana tjetër, NET PLUS D.O.O., me adresë të regjistruar në rugën: Car Llazari p.,n, 10500 Graçanicë, Kosovë. NET PLUS është kompani në pronësi të Boban Načič, shtetas i Kosovës me adresë në Çagllavicë. NET PLUS është kompani aktive në tregun e internetit dhe televizionit kabllor në komunën e Graçanicës dhe këto shërbime ofrohen përmes kabllove optike (pjesa dërmuese) dhe rrjetit HFC (rrjet hibrid i bazuar në kabëll të kombinuar fiber dhe koaksiale), në nivel më të ulët në vetëm 3 fshatra rreth Graçanicës. Konkretisht, rreth 90% e konsumatorëve të NET PLUS marrin shërbime përmes kabllove optike, ndërsa rreth 10% përmes rrjetit HFC. Bazuar në të dhënat e ARKEP, kompania ka në total 833 konsumatorë.

Arsyeja pse AKK-ja konsideroi se krijohet monopol

Në arsyetimin që Demokracia.com e ka parë, Autoriteti i Konkurrencës ka publikuar bazën e saj juridike, që e ka ndaluar blerjen aksioneve. Shprehimisht, AKK-ja ka shkruar se:

Baza juridike:

Sipas nenit 13 të Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, pērmbushet detyrimi për të bërë njoftimin e Përqendrimit pasi që: 1.1. pjesëmarrësit në përqendrim kanë mbi njëzet (20) milionë euro qarkullim të përbashkët në tregun ndërkombëtar dhe njëri pjesëmarrës në përqendrim ka mbi një (1) milion euro qarkullim në tregun e brendshëm. Po ashtu, ndërmarrjet plotësojnë edhe kriterin sipas paragrafit 1.2, sepse palët në përqendrim janë të regjistruara dhe kanë aktivitetin e tyre në Republikën e Kosovës.

  1. Qarkullimi i pjesëmarrësve në përqendrim llogaritet sipas raporteve financiare të vitit financiar që i paraprin vitit të përqendrimit. Nëse parashtruesit nuk kanë arritur të mbyllin raportet financiare vjetore para se të parashtrojnë kërkesën për lejimin e përqendrimit, qarkullimi i pjesëmarrësve Ilogaritet sipas raporteve financiare të vitit të fundit financiar për të cilin janë mbyllur raportet financiare.
  2. Nëse pjesëmarrësi i përqendrimit i përket një grupi ndërmarrjesh të lidhura, për qarkullim merren të ardhurat e të gjitha ndërmarrjeve të grupit. Nuk merren parasysh të hyrat nga shitja e mallrave ose shërbimeve brenda grupit.
  3. Parashtruesit e kërkesës kanë për qëllim të ekzekutojnë Marrëveshjen lidhur me shitblerjen e 100% të aksioneve mbi ndërmarrjet Net Plus d.o.o.
  4. Kërkesa për përqendrim është bërë për arsye se aplikuesit kanë degë të regjistruar në Republikën e Kosovës.

Analiza e Konkurrencës

Në bazë të nenit 4, Paragrafi 1 të Ligjit 08/L-056 per Mbrojtjen e Konkurrencës Tregu, përkatës i produktit/shërbimit pērcaktohet tregu që pērfshin të gjitha mallrat ose shërbimet që vlerësohen si të këmbyeshme ose të zëvendësueshme nga konsumatori për arsye të karakteristikave, çmimeve dhe përdorimit të synuar.

Tregu gjeografik do të përcaktohet në bazë të zonës gjeografike ku operon tregu që përfshin zonën në të cilat ndërmarrjet përkatëse përfshihen në furnizimin dhe kërkesën e mallrave dhe shërbimeve në të cilën kushtet e konkurrencës janë mjaft homogjene dhe mund të dallohen në zonat fqinje”.

Gjithashtu, sipas udhëzimit administrativ nr. 02/2018 për Përcaktimin e Tregut Përkatës, tregu përkatës përcaktohet veçmas për çdo rast konkret.

Nga sa u tha më lartë, vlerësohet se transaksioni i propozuar do të shkaktojë efekte negative përkitazi me konkurrencën në treg, përkatësisht konsumatorët në zonën në të cilën operojnë ndërmarrjet MTS D.O.O. dhe NET Plus D.O.0., për arsye se nga ky transaksion tregu në këtë zonë do të pësojë përqendrim të lartë dhe rrjedhimisht ndërmarrja blerëse do të forcojë tutje pozitën e saj dominuese në tregun pērkatës, në këto zona nuk ka numër të madh të operatorëve, të cilët ofrojnë shërbime të internetit dhe kabllovikut.

Vlerësimi i Konkurrencës

Struktura dhe Shtrirja e Tregut Relevant është percaktuar duke iu referuar Udhëzimit Administrativ për mënyrën dhe kriteret e pērcaktimit të tregut përkatës Nr. 02/2018:

Tregu gjeografik – do të konsiderohet komuna e Graçanicës.

Tregu i produktit – do të konsiderohen Shërbimet e Telefonisë Mobile, Internet, Kabllor Optik, Shërbimet e Telefonisë Fikse dhe shpërndarja e shërbimeve mediale audio dhe audiovizule, të cilët operojnë me shërbimet e TV kabllore.

Efektet e konkurrencës në tregun përkatës, nga transaksioni i realizuar

Transaksioni i propozuar, do të realizohet në tregun gjeografik të Graçanicës, kërkesa për njoftim të përqendrimit është bërë për arsye se, pala blerëse dhe shitëse janë kompani të regjistruara në Republikën e Kosovës, të cilat operojnë në sektorin e ofrimit të shërbimeve internetit dhe kabllor. Sipas vlerësimit të përqendrimit, ky transaksion mund të ndikojë në krijimin dhe forcimin e pozitës dominuese, e cila mund të dëmtojë ndjeshëm konkurrencën. Nga të dhënat e ofruara konsiderojmë se implementimi i transaksionit mund të këtë efekt negativ në tregun përkatës dhe si i tillë ka mundësi te kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës në treg.

Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës vlerëson se Ndalimi i Përqendrimit i paraqitur sipas kërkesës për vlerësimin e përqendrimit për blerjen e 100% të aksioneve ndërmjet MTS d.o.o. (blerës) z. Boban Nicic (shitës) mbi NET PLUS d.o.o., është në pajtim me nenin 12 të Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, pasiqë nga i njëjti do të ketë për pasojë krijimin dhe forcimin e pozitës dominuese.

***

AKK-ja nuk po guxon të nxjerr vendim për ndëshkim të MTS-së

Nëse vërtetohet se kompania MTS d.o.o. ka blerë ilegalisht së paku katër operatorë kabllorë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, do të gjobitet deri në dhjetë për qind të fitimit të përgjithshëm të realizuar kudo në botë gjatë vitit të fundit.

Kështu kanë thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) nga Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës, i cili për punën e tij raporton në Kuvend.

Në fund të muajit nëntor të vitit 2022, ky autoritet ka nisur hetimet sipas detyrës zyrtare për shkak të dyshimeve se kompania MTS d.o.o. nuk i ka raportuar transaksionet e saj, siç kërkohet me ligj në Kosovë.

MTS d.o.o. ka për kompani amë operatorin shtetëror të telekomunikacionit, Telekomi i Serbisë, i cili është themeluar në tetor të vitit 2015 në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka sqaruar për REL se ka marrë informacione se MTS d.o.o. bleu aksione të kompanive të tjera që ofrojnë shërbime telekomunikacioni në zonat serbe në Kosovë, pa e raportuar një gjë të tillë.

Ajo pretendon se një gjë e tillë nuk është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës në Kosovë.

“Transaksionet e kryera pa njoftim sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës paraqesin formë të kufizimit apo shtrembërimit të konkurrencës nga kompanitë në territorin e Republikës së Kosovës apo jashtë saj, nëse veprimet e tyre ndikojnë në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Siç është specifikuar, MTS-ja në Kosovë ka blerë operatorë kabllorë në veri dhe në jug të lumit Ibër: VGN Net nga Mitrovica e Veriut, Lika nga Zveçani, Ivan Radosavljeviq nga Leposaviqi dhe Herc International në Shtërpca.

Radio Evropa e Lirë konfirmoi se MTS d.o.o. është në mesin e dhjetëra kompanive me adresa të kontestuara. Në një listë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës MTS-ja në Mitrovicën e Veriut është e regjistruar si kompani në “territorin e Serbisë”.

Kjo ministri theksonte se të dhëna të tilla nuk mund të tolerohen dhe bëhet e ditur se do t’u hiqet licenca e punës, si në rastin e televizionit Klan Kosova, të cilit në dokumentet e regjistrimit janë shënuar dy qytete në Kosovë – Pejë dhe Gjakovë – por si pjesë të Serbisë.

Ndërkohë, emri i kompanisë MTS d.o.o. u gjet në listën e kompanive, të cilave mund t’u ndalohet veprimtaria e të bërit biznes, sepse në formularin e regjistrimit shkruan se ndodhet në territorin e Serbisë, përkatësisht shkruan “Mitrovica e Kosovës (Kosovska Mitrovica), Republika e Serbisë”. /Demokracia.com/

Të ngjashme