Lajme
DOKUMENTE | Albin Kurti ua jep milionat e shtetit hua, drejtuesit e Telekomit blejnë Iphone 13-të  
Demokracia
11:32 | 13 Janar 2023

Share:

Telekomi i Kosovës vazhdon të jetë në krizë financiare. Madje, mbijetesa e kësaj ndërmarrje varet çdo herë nga parat e shtetit. Kryeministri Albin Kurti javë më parë ia ka dhënë 20 milionë euro hua. Por, drejtuesit e Telekomit nuk e kanë këtë hall, ata duan telefona të rinj.

Kriza financiare në të cilën ishte dhe është Telekomi i Kosovës, nuk po u banë fare përshtypje drejtuesve të kësaj ndërmarrje publike.

Ndonëse Telekomi mbijeton me para hua, menxhmenti ka vendosur që disa euro ti shpenzojë në telefona, shkruan Demokracia.com.

Në tenderin e fundit të shpallur nga kjo ndërmarrje, është treguar se kanë blerë dy telefona “IPhone 13 pro Max”.

Për këtë blerje janë shpenzuar hiç më pak se 2 mijë e 171 euro.

“Apple IPhone 13 pro Max ose ekuivalent. Internal: 128GB 6GB RAM. Ngjyra: nuk ka rendësi. Garancioni: 12 muaj. Paketimi origjinal nga prodhuesi me të gjitha pajisjet përcjellës (nuk pranohen  paketime të kombinuara). Telefonat duhet ti përmbajnë të gjitha karakteristikat teknike të parapara nga  prodhuesi për tregun Evropian”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Bëhet me dije se kontrata mes kompanisë fituese dhe Telekomit është nënshkruar më  29.12.2022.

“Furnizim me Smart PHone. Data e nënshkrimit te kontratës: 29.12.2022. Numri i tenderëve te pranuar: 4. Emri zyrtar i kompanisë fituese “Infinitt”. Vlera e përgjithshme e kontratës 2,171.20 euro”.

Kujtojmë se gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 20 milionë eurove si hua për ndërmarrjen publike, Telekomi i Kosovës.  Këto mjete, sipas Qeverisë do të përdoren kryesisht për investime infrastrukturore.

“Telekomit të Kosovës i ndamë 20 milionë euro hua të cilat do të përdoren për investime kapitale. Sivjet, për herë të parë nga viti 2015, kjo ndërmarrje publike ka bilanc financiar pozitiv”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

Kurse, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të kësaj mase mbështetëse (hua) për Telekomin, pati thënë se për këtë vit fiskal do t’i jepen në shfrytëzim 5 milionë, ndërsa 15 milionë tjera do t’i ofrohen gjatë vitit 2023./Demokracia.com/.

 

Të ngjashme