Lajme
DOKUMENTE | Afër 10 milionë euro një nënkalim dhe një mbikalim, Komuna e Prishtinës nisë procedurat për dy projekte të mëdha
Demokracia
19:20 | 04 Janar 2024

Share:

Komuna e Prishtinës është shumë prapa në investimet e mëdha kapitale. Më të filluar viti 2024, Prishtinës po i ngutet që t’i nisë disa prej investimeve madhore që i ka paraparë në planin buxhetor të këtij viti, shkruan Demokracia.com.

Nëse i ecin mirë procedurat e prokurimit, një nënkalim dhe një mbikalim në vlerë prej 9.5 milionë euro mund të nisin në gjysmën e parë të këtij viti në kryeqytet.

Nga viti në vit, për disa vjet me radhë u bartën mjetet për ndërtimin e një tuneli në qendër të Prishtinës.

Por, sot Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga kryetari Përparim Rama ka bërë ‘njoftim paraprak‘ për ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani. Vlera e mjeteve të ndara është  6,000,000.00 euro. Ndërsa, njoftimi për kontratë është planifikuar të bëhet më 05 shkurt 2024.

Pos këtij projekti, komuna në ‘njoftimin paraprak’ sot ka bërë njoftim edhe për “Ndërtimin e Ishullit Urban Arbëri – Pallati i Rinisë”, në një vlerë prej 3,500,000.00 euro. Data e paraparë e fillimit të procedurave është 05 shkurt 2024.

“Njoftimi Paraprak” bëhet për procedurat tenderuese të vlerave të mëdha dhe pas përgatitjes së planifikimit final të prokurimit, zyrtari përgjegjës i prokurimit do të verifikojë nëse autoriteti kontraktues synon të bëjë dhënien e kontratave gjatë periudhës së ardhshme 12-mujore. Nga viti në vit, për disa vjet me radhë u bartën mjetet për ndërtimin e tunelit në qendër të Prishtinës. Madje, në vitin 2020, ishte shpallur edhe tenderi për ndërtimin e tunelit në rrugën “Agim Ramadani”, ku parashikohej vlera prej 2.8 milionë euro.

Disa vjet më pas, nënkalimi që parashihet të jetë 300 metra i gjatë, ende nuk ka filluar të ndërtohet, deri sa komuna është e vendosur që këtë vit të nisë punën përfundimisht, shkruan Demokracia.com.

Me këtë projekt parashihet të ketë një tunel që do të përdoret për kalimin e veturave, ndërsa pjesa mbi do të shfrytëzohet si shëtitore, e cila do ta lidh sheshin me pjesën e vjetër të Prishtinës.

Si pjesë edhe e programit të fushatës zgjedhore të Përparim Ramës, ky është njëri ndër projektet më prioritare për Drejtorinë e Investimeve Kapitale.

Ai do të kalojë nga Teatri i Qytetit e deri te komuna e vjetër dhe nga Xhamia e Madhe në drejtim të gjimnazit “Sami Frashëri”. /Demokracia.com/

Të ngjashme