Lajme
DOKUMENTE| 13 asamblistë të Podujevës kërkojnë seancë të jashtëzakonshme dhe Komision Hetimor për ndërtimet pa leje
Demokracia
18:44 | 07 Shtator 2022

Share:

Trembëdhjetë këshilltarë të Kuvendit Komunal të Podujevës kanë parashtruar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për ndërtimet pa leje në këtë komunë.

Ata po ashtu kanë kërkuar që të krijohet një Komision Hetimor për t’i hetuar këto ndërtime.

Seanca është thirrur me iniciativë të asamblistit Gazmend Islami nga Balli Kombëtar Demokrat dhe me mbështetjen e 12 asamblistëve të tjerë.

Islami kërkesën për seancë të jashtëzakonshme e ka bërë duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Kosovës në përputhje me nenin 44.1, që përcakton se “Seanca e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës caktohet me kërkesën e bërë me shkrim nga më së paku 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Kuvendit të Komunës , apo me kërkesë të Kryetarit” dhe nenit 44,2 që thekson se “E drejta për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme gjithashtu përfshinë të drejtën për caktimin e rendit të ditës për seancën e caktuar”.

“Në bazë të nenit 38.1 dhe 38.2 të Statutit të Komunës dhe në mbështetje të nenit 44.3 dhe 44.4 të Rregullores së Kuvendit Komunal, parashtrojmë këtë kërkesë për Seancë të Jashtëzakonshme. Në Anëtarët e Kuvendit Komunal të nënshkruar në këtë kërkesë, kërkojmë thirrjen e një Seance të Jashtëzakonshme, me këtë pike të rendit të ditës: – Ndërtimet pa leje dhe formimi i një Komisioni Hetimor”, thuhet në kërkesën e Islamit, shkruan Demokracia.com.

Një muaj më parë, më datë 5 gusht Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet  rreth pretendimeve të adresuara nga ish-drejtori i Inspektoratit në Podujevë, Besnik Mulliqi, mbi ndërtimet pa leje në këtë komunë. Nisja e hetimeve është iniciuar pak ditë pasi që Mulliqi ka ngritur akuza në llogari të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe të komunës për pengimin e mbrojtjes së zonës së Orllanit nga ndërtimet e egra.

“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe në bazë të kompetencave të saj do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, ka thënë atë kohë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Mulliqi pati thënë se është përballur me presion nga kryetari rreth ndërtimeve pa leje në Batllavë dhe për ndërtime të tjera brenda Komunës së Podujevës.

Qëndrim tjetër kishte shprehur Bulliqi, që ka pretenduar se shkarkimi ka ndodhur pikërisht shkaku i mosveprimit dhe të sabotimit të punës nga ana e Mulliqit përkitazi me ndërtimet.

Një ditë pas shkarkimit të Mulliqit, ka dhënë dorëheqje drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu. E pakënaqësinë rreth zhvillimeve, nëpërmjet rrjeteve sociale, e kanë shprehur këshilltarët komunalë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë. /Demokracia.com/

Të ngjashme