Lajme
DOKUMENT| Zyrtarizohet seanca për shkarkimin e Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Shtime
Demokracia
13:12 | 05 Shtator 2023

Share:

Kuvendi i Shtimes nesër do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për shkarkimin e Kryesuesit të Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Ademi.

Demokacia.com ka siguruar vendimin për mbledhjen e jashtëzakonshme, e cila do të mbahet nesër, me datë 6 shtator. Mbledhja për shkarkimin e Kryesuesit të Kuvendit pritet të nis në orën 11:00.

Lidhur me thirrjen e seancës për shkarkimin e Ademit Demokracia.com ka raportuar edhe javën e kaluar.

Siç kishte raportuar Demokracia.com, kërkesa për shkarkimin e Ademit ka ardhur për shkak të “dështimeve në udhëheqjen dhe menaxhimin e mbledhjeve si dhe trajtimin jonjerëzor të anëtarëve të Kuvendit të Komunës, veçanërisht atyre të opozitës”.

“Anëtarët e Kuvendit të Komunës, parashtrues të kërkesës për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, pas dështimeve të vazhdueshme në udhëheqjen dhe menaxhimin e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, duke përfshirë edhe përfaqësimin e saj nga Kryesuesi Ademi si dhe duke marrë për bazë nivelin e performancës së tij në këtë funksion nga zgjedhja e tij e deri në periudhën vijuese deri më sot, vlerësojnë se i njëjti duhet të vihet para përgjegjësisë dhe shkarkimit, sepse në mënyrë të vazhdueshme ka dështuar të tregoj aftësi për menaxhimin e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, duke përfshirë edhe trajtimin jonjerëzor të anëtarëve të Kuvendit të Komunës, veçanërisht atyre të opozitës”.

Po ashtu, siç ka mësuar Demokracia.com, “çlirimtari” i Shtimes pritet ta humb edhe shumicën e deritashme me numër të asamblistëve në Kuvendin Komunal në Shtime. /Demokracia.com/

DOKUMENT| Pritet shkarkimi i Kryesuesit të Kuvendit në Shtime, opozita thërret seancë të jashtëzakonshme

 

Të ngjashme