Lajme
DOKUMENT| ZRRE në fund të vitit 2021 ia vazhdoi licencën kompanisë GEN-I edhe për pesë vjet
Demokracia
20:11 | 22 Prill 2022

Share:

Një hulumtim i publikuar në mediat sllovene për një skandal të shpëlarjes së parave, ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe ambasadori Martin Berishaj, veç ka filluar të marrë përmasa shumë shqetësuese.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka bartur rreth 600 mijë euro CASH nga Mal i Zi tek politikani slloven Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Paraprakisht, një pjesë prej këtyre mjeteve financiare, kompania MB Consulting në pronësi të Martin Berishajt, i kishte pranuar nga një kompani energjetike GEN-I, dega në Serbi.

MB Consulting është kompania malazeze me pronar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kjo kompani, siç raportuan mediat sllovene, ishte e angazhuar për konsulencë nga kompania energjetike ballkanike me degë në Serbi, GEN-I.

Shërbimi kryesor që MB Consulting me veç një punëtor të regjistruar, vetëm Martin Berishajn, që i jepte kompanisë GEN-I, ishte konsulenca dhe përfaqësimi “në shitjen me shumicë të energjisë elektrike në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë”.

E kjo ka nxjerr në pah edhe shumë të vërteta të tjera, shkruan Demokracia.com.

Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po del se ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik në Kosovë.

Sipas raporteve të shkëmbimit të energjisë elektrike që ka siguruar Gazeta Infokus, Kosova ka blerë energji elektrike në vlerë prej 4.2 milionë euro vetëm në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, kurse ka shitur energji elektrike tek kjo kompani rreth 105 mijë euro.

Demokracia.com, po ashtu, ka mësuar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia ka vazhduar licencën për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike, filialit të GEN-I, dega në Kosovë edhe për pesë vite të tjera.

Më 17 dhjetor 2021, ZRRE i ka vazhduar ndërmarrjes GEN-I Tirana Sh.P.K, Dega në Kosovë, Licencën për furnizim elektrik.

“Licenca e lëshuar me datë 29.12.2009 (nr. i Lic. ZRRE?Li-34/09), e modifikuar me 12.10.2012 (nr.i Lic ZRRE/Li_34/12), e vazhduar deri më 29.1.2016, e vazhduar prapë deri më 28.12.2021, do të vazhdojë të jetë e vlefshme, për një periudhë pesë vjeçare deri më 28 dhjetor 2026”, thuhet në marrëveshjen ndërmjet ZRRE-së dhe GEN-I Tirana.

Kjo licencë, sipas marrëveshjes i është lëshuar kompanisë GEN-I për shitblerje të energjisë elektrike. I licencuari mund të blejë kapacitete dhe energji elektrike nga prodhuesit me çmime të parregulluara. Po ashtu, mund të blejë dhe shes kapacitete dhe energji elektrike nga furnizuesit tjerë me çmime të parregulluara.

I licencuari mund të transitojë, importojë dhe eksportojë kapacitete dhe energji elektrike.

Kush është kompania GEN-I?

Sipas asaj që shkruan në uebfaqen e kompanisë GEN-I, kjo kompani operon në më shumë se 20 vende me filiale të saj, përcjell Demokracia.com.

“Duke operuar në më shumë se 20 vende, ne lidhim vende nga Gjermania dhe Franca në perëndim, deri në Gjeorgji dhe Turqi në lindje. Prania jonë globale në tregjet me shumicë të energjisë elektrike na lejon të arrijmë sinergji të shumta me njohuri të detajuara të tregut, staf të kualifikuar që merret me tregtimin e energjisë elektrike, organizim efikas dhe procese biznesi që përputhen me standardet më të larta”, thuhet në uebin e kësaj kompanie, raporton Demokracia.com.

Kjo kompani figuron se e ka një degë edhe në Kosovë.

Demokracia.com ka gjetur se dega në Kosovë është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë.

Të kontaktuar nga Demokracia.com, zyrtarë të degës së kësaj kompanie në Kosovë kanë thënë se drejtori i tyre është slloven.

“Me një rritje mesatare të të ardhurave prej 20.2% në periudhën 2008-2019, ne jemi një nga kompanitë me rritje më të shpejtë në tregun evropian të energjisë”, thuhet në ueb e kësaj kompanie. /Demokracia.com/

Të ngjashme