Lajme
DOKUMENT | Zgjerohet lista e kompanive që ofertuan me dokumente të falsifikuara, shoqëria civile kërkon të hetohen ato
Demokracia
17:43 | 05 Mars 2024

Share:

Ekziston një ‘listë e zezë’ në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Aty futen kompanitë që pretendohet se janë zënë duke ofruar dëshmi të rrejshme gjatë ofertimit të tyre në proceset e prokurimit ose nuk i kanë ofruar dëshmitë e nevojshme as pas nënshkrimit të kontratës. Pas kërkesave nga ana e institucioneve për të futur një kompani në listën e zezë vetëm për dy forma të shkeljes ekziston baza ligjore për sanksionim të shpejtë administrativ, që në rastin e Kosovës është diskualifikimi për pjesëmarrje në tenderim për një kohë të caktuar. Nga 1 janari i vitit 2021 deri më 1 nëntor të vitit 2023, OShP diskualifikoi 30 operatorë ekonomikë nga pjesëmarrja në prokurimin publik, mbi bazën se këto kompani kishin prezantuar të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara. Lista po rritet nga dita në ditë, shkruan Demokracia.com.

LPP parasheh diskualifikimin (pezullimin) e operatorëve ekonomikë, të cilët paraqesin të dhëna të rreme ose falsifikojnë dokumente për aktivitetet e prokurimit për një periudhë deri në një vit.

Ky diskualifikim bëhet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), me kërkesë të autoriteteve kontraktuese, pa pasur nevojë që pretendimet e ngritura të vërtetohen nga gjykata.

Demokracia.com ka parë se OSHP-ja ka marrë dhjetëra kërkesa nga institucionet publike që në listën e zezë të futën kompani të caktuara, që sipas tyre nuk kanë ofruar dëshmitë e nevojshme gjatë ofertimit për të cilat kanë thënë se i posedojnë ose kanë ofruar dokumentacione të falsifikuara. Por, OSHP-ja i ka hedhur poshtë gati të gjitha kërkesat, duke i futur në ‘listën e zeze’ në javën e kaluar vetëm tri kompani. Dy prej tyre vetëm për nga tre muaj dhe një për gjashtë muaj. Pastaj, ato do të mund që përsëri të kthehen në prokurimet publike.

Organizata “Democracy Plus” merret edhe me monitorimin e prokurimit publik në Kosovë.

Ardit Dragusha, monitorues në këtë organizatë, ka thënë për Demokracia.com se “Lista e Zezë” do të duhej të ishte instrument më efikas në luftimin e keqpërdorimeve në prokurimin publik, porqë aktualisht nuk është duke u përdorur sa duhet nga ana e institucioneve publike.

“Në shumë raste, institucionet publike nuk po paraqesin kërkesa të tilla, pavarësisht se falsifikimi dhe prezantimi i të dhënave të rrejshme po evidentohet në forma të tjera, e kjo është problematike se vetëm institucioni i cili është në cilësinë e autoritetit kontraktues e ka të drejtën ekskluzive në inicimin e diskualifikimit”, thotë Dragusha për Demokracia.com.

Ky instrument ligjor, siç është paraparë në Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), sipas tij i ka disa mangësi e njëra prej tyre është kohëzgjatja maksimale e diskualifikimit, e cila është caktuar 1 vit. Kjo, siç thotë Dragusha, është periudhë relativisht e shkurtër që kjo masë të jetë efektive në luftimin dhe parandalimin e kësaj natyre në prokurim publik.

“Në fakt, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), në shumicën e rasteve nuk vendos për diskualifikim maksimal, teksa edhe baza ligjore për diskualifikim është shumë e ngushtë. Kohëzgjatja e shkurtër po ndikon që kompanitë të mos i frikësohen këtij mekanizimi, duke bërë që të përsëritin këto keqpërdorime, siç e ilustron fakti që aktualisht janë tri (3) kompani që janë futur për herë të dytë në Listën e Zezë”, thotë ai.

Në prokurimin publik po ndodhin standarde të dyfishta lidhur më kompanitë falsifikatore. Jo rrallëherë prokuroria publikon komunikata për të treguar se ka nisur hetimet në ndonjë rast për shkak të falsifikimit të dokumentit zyrtar në ofertimin në ndonjë tender.

“Vetëm fakti që një kompani përfundon në këtë listë, do të duhej të ishte pikënisje e hetimeve nga Prokuroria, pasi shkeljet që të çojnë në “Listën e Zezë” janë të parapara me Kodin Penal si vepra penale. Kjo gjë nuk është se po ndodh, pasi në bazë të një hulumtimi që kemi publikuar, vetëm shtatë (7) raste janë iniciuar penalisht nga 30 kompanitë e diskualifikuara për periudhën janar 2021 – shtator 2023”, shtoi Dragusha për Demokracia.com.

Kompanitë po guxojnë të ofertojë me dokumente të falsifikuara edhe tek zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës. Në javën e kaluar, OSHP-ja nxori vendim që të fusë në listën e zezë kompaninë “Creative Desing” për një periudhë vetëm prej gjashtë muajve. Siç ka parë Demokracia.com, fillimisht OSHP-ja mori vendim që kompania të diskualifikohet për një vit, por më pas mori vendim që dënimi të zbres në  gjashtë muaj.

Më 27. 12, 2023, nga Policia e Kosovës në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka dorëzuar në OSHP kërkesë për aplikim të masave sipas nenit 99 te LPP, ndaj OE “Creative Design” me arsyetimin se i njëjti ka ofruar dëshmi të falsifikuara në këtë aktivitet të prokurimit, precizuar si në hyrje të këtij vendimi”.

Komuna e Prizrenit – “Asfalt Group”, është diaskulfikuar për tre muaj nga gara e pjesëmarrjes në prokurimet publike, konkretisht nga 28 shkurt deri më 27 maj 2024.

Komuna e Prizrenit ka bërë kërkesë në OSHP që më datë 23 nëntor 2022 të futet në ‘listë e zezë’ kompania në fjalë, kurse OSHP ka arritur të nxjerrë një vendim për të tek pas më shumë së një viti. Demokracia.com ka gjetur se kompania e njëjtë është shpërblyer me kontrata nga institucionet publike edhe pasi komuna kishte bërë kërkesë në OSHP. Komuna pretendon se kompania në fjalë nuk i kishte dorëzuar disa dokumente të kërkuara, për të cilat në ofertë ka shënuar që i posedon, meqenëse kanë qenë kërkesë e dosjes së tenderit për dhënie të kontratës.

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), me kërkesën e saj është diskualifikuar nga gara kompania “Infra Group”.

Aktualisht në ‘listën e zezë’ të OSHP-së ndodhen veç 14 kompani. Tashmë disa kompani janë larguar nga ajo listë dhe po marrin tenderë lirshëm, anise ishte vërtetuar se kishin ofruar të dhëna të rreme./Demokracia.com/

Të ngjashme