Lajme
DOKUMENT| Zbulohet çfarë u kishte thënë Lajçak, Kurtit e Bislimit, në takimin e parë në Bruksel
Demokracia
10:01 | 26 Tetor 2022

Share:

Në prill të vitit të kaluar, Qeveria e Albin Kurtit kishte zhvilluar takimin e parë në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Nga 27 deri më 29 prill të vitit të kaluar, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, kishte qëndruar për herë të parë në Bruksel për t’u takuar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Demokracia.com ka siguruar letrën që Besnik Bislimi ua kishte dërguar për herë të parë krerëve institucional dhe partiakë, më 4 maj të vitit të kaluar, si raportim pas takimeve që kishte zhvilluar atje.

Duket se entuziazmi që ai u vu në krye të dialogut, bëri që ai të bëhej kaq i kujdesshëm dhe përgjegjshëm, por kjo ishte hera e parë dhe e fundit që raportoi në këtë mënyrë.

“Duke qenë se pas marrjes së detyrës si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëri nga sektorët e mbuluar është edhe dialogu me Serbinë, prioritet i parë ka qenë grumbullimi i data bazës së informacionit dhe dokumenteve të prodhuara si në fazën përgatitore ashtu edhe përgjatë negociatave me palën serbe. Fatkeqësisht, në zyrat e kryeministrisë kemi gjetur ZERO dokumente në këtë fushë. Njëkohësisht nuk ka ndodhë transferimi i dokumentacionit që sipas personave të përfshirë si brenda dhe jashtë Kosovës ka qenë i grumbulluar nga ish-kryeministri Hoti me idenë e transferimit tutje tek kryeministri Kurti. Ish-kryeministri ka përcjellë vetëm dy-tri dokumente jo parësore që kanë trajtuar pozicionin e Kosovës për ndonjërën nga temat e trajtuara, apo marrëveshje bashkëpunimi që nuk lidhen drejtpërdrejt me procesin negociator”, thuhet në letrën e Bislimit, raporton Demokracia.com.

Bislimi, sikurse edhe në paraqitjet e tij publike asokohe, por edhe përmes kësaj letre, ishte ankuar se kur kanë ardhur në pushtet nuk kanë gjetur asnjë dokument në lidhje me procesin e dialogut.

Por, për këtë pretendim, Bislimi ishte demantuar nga vetë ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili kishte thënë se të gjitha dokumentet i janë dorëzuar Qeverisë Kurti.

Sipas Bislimit, për shkak të mungesës së dokumenteve ai ishte detyruar të udhëtonte më herët në Bruksel dhe të takohej me Lajçakun dhe anëtarë të tjerë të zyrës së tij.

“Si rezultat, jemi detyruar të shfrytëzojmë burime alternative për grumbullimin e të dhënave, përfshirë këtu mekanizmat joinstitucional të përfshirë në faza të ndryshme të dialogut, kurse disa nga materialet janë dorëzuar nga përfaqësues të misioneve diplomatike prezentë në Kosovë. Paralelisht kam vendosur kontakte me figura publike që në periudha të caktuara kanë pasur rol të rëndësishëm në procese negociatore, përfshirë këtu z. Skënder Hyseni, z. Veton Surroi dhe z. Blerim Shala. Znj. Edita Tahiri ka rezistuar të takohet me brengën se punët e dialogut janë të ndjeshme. Natyrisht se një burim i rëndësishëm i informatave është i grumbulluar edhe nga vetë institucioni që ka marrë përsipër ndërmjetësimin në dialog, në këtë rast Bashkimi Evropian. Në këtë kontekst kisha dakorduar me z. Lajçak që unë të udhëtoj një ditë më herët, sepse pjesa tjetër e delegacionit të mbajmë takime informuese, ku z. Lajçak dhe i gjithë ekipi i tij do të informonin për të gjitha detajet e takimeve, progresin e arritur dhe do të përgatisnin edhe dosje mbi të gjitha dakordimet e arritura. Në këtë drejtim, me datën 27 prill kemi pasur dy takime të ndara me z. Lajçak dhe gjithë ekipin e tij, secili në kohëzgjatje prej 90 minutash. Qëllimi kryesor i këtyre takimeve në asnjë rast nuk ka qenë diskutimi apo pozicionimi i palës kosovare për tema të caktuara, por thjeshtë shkëmbim i informatave për të kaluarën e procesit. Me mua në të dy takimet kanë qenë prezent i ngarkuari me punë si ambasador i Republikës së Kosovës, z. Astrit Zemaj, dhe sekretari i parë i ambasadës, z. Fitor Murati”, thuhet në letrën e Bislimit, të cilën e ka siguruar Demokracia.com.

Sipas Bislimit, në këtë takim ishte diskutuar për ndërrimin e bordit të ZRRE-së, arritjen e marrëveshjes me Elektroseverin, për të pagjeturit, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, hapjen e arkivave të UÇK-së, për të cilat Serbia pretendon se ka kryer krime në territorin e saj, paraqitjen e Kosovës pa fusnotë, marrëveshjen finale me Serbinë, etj.

Më poshtë, Demokracia.com ju sjell të gjitha pikat që Bislimi i kishte paraqitur në raportimin e tij të parë dhe të fundit të kësaj natyre, që sipas tij, kanë qenë tema që janë diskutuar në takimin e parë, por që i ka paraqitur në pika të shkurtra.

Më poshtë një përmbledhje të shkurtër rreth ecurisë së takimeve:

1. Fillimisht z. Lajçak ka dorëzuar një dosje që ka brenda të radhitura të gjithë marrëveshjet e arritura që nga fillimi i dialogut në vitin 2011. Dhe njoftoi për disa dinamika që priten gjatë dy muajve në vijim nëpër komisione të ndryshme të Komisionit Evropian, që në ndonjë mënyrë mund të ndërlidhen edhe me procesin e dialogut.

2. Zonja Ana Maria Boura nga zyra e z. Lajçak informoi për fazat e deritanishme të dialogut, nisur nga ai teknik nën udhëheqjen e z. Tahiri deri te momenti i emërimit të z. Lajçak si përfaqësues special. U shpjegua formati i diskutimeve, temat teknike të ngritura sipas listës së para-dakorduar, diskutimet paralele mes grupeve teknike. U shpjegua si ka ndodhur deri tek kalimi i dialogut nga ai ‘teknik’ në ‘politik’ me kërkesë të z. Thaçi (me arsyetimin se në dialogun teknik, bisedimet po zgjasin shumë), dhe emërimi i Blerim Shalës si koordinator politik. U përmend edhe kronologjia e marrëveshjes së vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015 mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe.

3. Rifillimi i dialogut në vitin 2020 shihet në një masë edhe si kundërpërgjigje ndaj përfshirjes së ambasadorit Richard Grenell dhe ideve të tij (përfshi mos-koordinimin me BE). Për t’i dhënë peshë procesit është vendosur caktimi i një personi që ka dialogun si angazhim të vetëm dhe atë me orar të plotë, do me thënë zotit Lajçak. Kontrata me z. Lajçak sipas referimit ka dy komponentë, angazhimin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e jo segmente të caktuara të dialogut, dhe përcjellja e implementimit të marrëveshjeve të deritanishme. Ideja e Serbisë që të shkohet segment pas segmenti, është refuzuar sepse është vlerësuar me qëllim jo të mirë të zvarritjes në pafundësi të procesit. Dialogu (sipas referimit) ka vetëm një synim dhe kuptim, një marrëveshje përfundimtare që ka brenda saj njohjen reciproke, njohjen nga 5 vendet e mbetura të BE, anëtarësimin në UN dhe shkëmbimin e misioneve diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë.

4. Sipas konceptit të mësipërm, është vendos një listë e temave për diskutim dhe është dakorduar që të fillohet me temën e personave të pagjetur dhe atyre të zhvendosur, për të vazhduar pastaj me ato të bashkëpunimit ekonomik. Sipas referimit, në këto fusha ka pasur progres dhe ka draft të dakordimeve, por të cilat bëhen relevante vetëm kur arrihet marrëveshja e përgjithshme dhe ligjërisht e obligueshme (sipas principit, asgjë nuk është dakorduar përderisa gjithçka nuk dakordohet). Pas kësaj ishte dakorduar të hapet çështja e asociacionit dhe kërkesave financiare, por negociatat nuk kanë mund të vazhdojnë meqë Hoti ka njoftuar se nuk gëzon më mbështetje politike dhe rrjedhimisht nuk mund të shkojë për negociata. Në draftet për personat e zhdukur dhe ata të zhvendosur, BE është kujdesur që të specifikohen detaje në mënyrë që të mos ketë hapësirë për interpretime të ndryshme nga palët. Po ashtu u fol për raportimet e rregullta që bëhen në BE për implementimin e deritanishëm të marrëveshjeve të nënshkruara më herët (që janë të përfshira në MSA).

5. Në këtë fazë unë vetëm potencova që ne nuk mendojmë që palët janë trajtuar njësoj deri më tani. Nuk do të pranojmë të ulemi në tavolinë me agjendë të paracaktuar (nëse jemi pjesë e dialogut dhe jemi pjesë e agjendës). Nuk e pranojmë as sekuencimin, sepse nuk do të pranojmë të flasim për bashkëpunimin ekonomik me Serbinë pa e përmbyllur në tërësi temën e dëmshpërblimeve dhe kompensimeve tjera financiare. Po ashtu u dakorduam që të trajtojmë sërish si dokumentin e dakorduar për personat e zhdukur ashtu edhe atë për personat e zhvendosur. Sidomos te pjesa për personat e zhvendosur (temë kontroverse që si duket është futur dhe importuar nga Serbia) ka nevojë për ndërhyrje. Dialogu duhet të ridefinohet si dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo mes Beogradit dhe Prishtinës, meqë as unë as kryeministri nuk jemi përfaqësues të qytetit të Prishtinës.

6. Z. Lajçak radhiti disa nga të arriturat nga dialogu për palën kosovare (kodi ndërkombëtar i Kosovës, integrimi i strukturave paralele, shtrirja e politikave tatimore, kalimi nga UNMIK në Kosovë i disa strukturave të tjera. Po ashtu u përmend si synim final i BE përmirësimi i jetës së qytetarëve. U dha zotimi që BE asnjëherë nuk do të përpiqet që palëve tua imponojë ndonjë zgjidhje. U tha që princip i tyre është që secila marrëveshje e arritur të jetë në dakordim të plotë me legjislacionin e Kosovës.

7. Tek tema e personave të pagjetur u tha që kuptohet se është temë shumë e ndjeshme, që sipas vlerësimeve të Kryqit të Kuq kanë mbetur ende 25% e personave që nuk janë gjetur. U fol për një ekip të përbashkët ku nga pala kosovare është Ibrahim Makolli, që grupi ka punuar mjaft por që i mungon mbështetja politike, meqë mungon vullneti politik. Kjo sidomos nga pala serbe e cila në vazhdimësi reagon vrazhdë duke kërkuar që të hapen arkivat e UÇK-së ku do shiheshin edhe krimet e shqiptarëve. U thamë që kjo temë duhet të rihapet, që nga Serbia nuk duhet kërkuar vetëm hapja e arkivave, por thjesht prezantimi i informatave të sakta se ku ndodhen varrezat masive (meqë gjithçka ka qenë e përcjellë me logjistikë ushtarake dhe e evidentuar nga ana e tyre). Pala serbe duhet të kërkojë informata nga Kosova për çfarëdo krimi që UÇK mund të ketë bërë mbi territorin e Serbisë, ngjashëm me krimet që policia, ushtria dhe paramilitarët serbë i kanë bërë në territorin e Kosovës. Po ashtu kam njoftuar se këtë tematikë do e trajtojmë edhe tek pjesa financiare, meqë dëmi jo-material është shumëfish më i madh tek familjet e personave të pagjetur sesa tek familjet e dëshmorëve.

8. Temë tjetër rreth së cilës u informuam ishte edhe ajo e përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës, për elementet e marrëveshjes rreth fusnotës dhe faktin që aty është dakorduar që fusnota të vlejë për marrëveshjet e reja ku Kosova përfaqësohet, por nuk i prek ato të mëhershmet. Kjo do të thotë që ekipi ynë ka pranuar që edhe më tej të përfaqësohet nga UNMIK në marrëveshje si për shembull CEFTA apo Komuniteti i Energjisë. Kjo tanimë është avancuar në problem, meqë Kuvendi i Kosovës po refuzon të ratifikojë amendamentet në këto marrëveshje me kërkesën që fillimisht të largohet UNMIK-u si palë. U thamë që nuk mund të bëhet progres pa këto ndryshime dhe që Serbia ka shkelur këtë marrëveshje meqë vazhdimisht ka penguar anëtarësimin e Kosovës në iniciativa regjionale apo ndërkombëtare. Po ashtu e përmendëm që kompromisi në fakt nuk ka qenë kompromis, meqë është arritur nën nivelin minimal të mundshëm. Andaj përpjekjet dhe mbështetja nuk duhet të jenë vetëm në drejtim të heqjes së UNMIK-ut por edhe të fusnotës. Nëse fusnota është kompromis mes vendeve që kanë njohur Kosovën dhe atyre që nuk kanë bërë këtë, atëherë kompromisi është dashtë të kërkohet mes “Republika e Kosovës” dhe “Republika e Kosovës*”. Vetëm në këtë rast fusnota do të mund të nënkuptonte që disa shtete nuk e njohin Kosovën si shtet.

9. Tema e energjisë po ashtu u diskutua si fokus i marrëveshjeve të mëhershme dhe tek implementimi i të cilës ka probleme. U cilësua si temë shumë e nxehtë, dhe u cek urgjenca në emërimin e bordit të ZRRE, por edhe nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje tranzitore për të evituar tensione eventuale në veri. U tha që Elektroseveri sipas tyre ka përfunduar me sukses aplikimin në ZRRE dhe që ka aplikuar si për shërbime të furnizimit ashtu edhe të shpërndarjes. Nga Lajçak u përmend edhe opsioni që kur të rifillon dialogu, tema e energjisë të jetë e para në diskutim. David Cullen tha që për palën kosovare nuk do të duhej të ishte problem i madh mbështetja e përkohshme e financave për të mbuluar koston deri në gjetjen e zgjidhjes finale sepse përveç tensioneve mund të dalin edhe telashe të mëdha me KOSTT pas anëtarësimit në ENTSOE. Ana Maria Boure e paraqiti marrëveshjen rreth energjisë si një kompromis shumë të mirë meqë largon strukturat paralele në veri. Nga ana jonë u potencuan diferencat e marrëveshjes, insentivat perverse që i krijon kjo te pala serbe, problemet me aplikimin e Elektroseverit, faktin që Elektroseveri në asnjë rrethanë nuk do licencohet për shërbime të shpërndarjes dhe që ata në fakt nuk e kanë seriozisht as aplikimin, dhe që detyrimi i Kosovës për të paguar është i pakuptimtë dhe thyen mes tjerash edhe principet buxhetore. “Gatishmëria” e Serbisë për të nënshkruar këtë marrëveshje nuk duhet të shihet si kompromis i tyre, por Serbia duhet të gjendet fajtore për dëmet që i ka shkaktuar duke pamundësuar zgjidhjen deri më tani.

10. Tek vizitat zyrtare u përmendën detajet e marrëveshjes dhe problemet në implementim. Komenti ynë ishte se marrëveshja si e tillë vetëm hap dyert për angazhime me qëllime provokimi, dhe që afati prej 72 orësh për aplikim mund të respektohet sepse kërkon angazhim mbiproporcional të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe trajtim me prioritet që ne nuk jemi të gatshëm ta bëjmë. Në të ardhmen vizitat do duhej të paralajmërohen minimumi ditë më herët.

11. Temë tjetër e ngritur ishte edhe çështja e marrëveshjes në fushën e integrimit të sistemit të drejtësisë, dhe refuzimit për implementimit nga ana e KGJK së Kosovës. BE e sheh këtë marrëveshje si instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, dhe u kërkua që pala kosovare të angazhohet për emërimin e paneleve të përziera me gjykatës në komunat me shumicë serbe (sipas marrëveshjes). Po ashtu u përmend marrëveshja e vitit 2013 për njohjen e vlefshmërisë së vendimeve të gjykatave paralele para marrëveshjes për gjyqësinë dhe në fazën e tranzicionit. Problem u pa sidomos pjesa e tranzicionit e cila në vend të disa muajve ka zgjatur plot 5 vite.

12. Tema e fundit për të cilën u raportua ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ku u tregua për atë sesi sipas marrëveshjes pritet të duket asociacioni, trupat, statuti, vendimmarrja, fushat e përgjegjësitë, financimi. U n që do të ishte sipas legjislacionit në Kosovë dhe diçka ngjashëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Pa u futur në diskutim, vetëm i njoftuam me principet inkluzive nën të cilat operon AKK (nuk mund të përjashtojë asnjë komunë për shkak të etnisë) dhe faktin që nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive dhe që nuk ka vendim nga gjykata kushtetuese që e konsideron AKK në kundërshtim me kushtetutën”.

“Këto kanë qenë në tërësi temat për të cilat ekipi ynë është informuar nga ekipi i z. Lajçak. Rastet kur nga ana jonë ka pasur përfshirje në diskutim, ato kanë qenë të natyrës shpjeguese e assesi negocim apo pozicionim. Edhe në të ardhmen do vazhdoj me të njëjtin princip të informimit të detajuar të partive politike parlamentare me ecurinë e vizitave në Bruksel”, thuhej në letrën e Bislimit.

Që nga 4 maji i vitit 2021, Bislimi nuk i ka raportuar më asnjëherë partive parlamentare për procesin e dialogut dhe takimeve që ka zhvilluar. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024