Zyra e Presidencës ka dhënë një tender në vlerë 80 mijë euro në shërbime të marrëdhënieve me publikun. Me këto para do të prodhohen video e fotografi për Vjosa Osmanin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duket se po “vuan” për paraqitje sa më të madhe në publik dhe media.
Që ajo të jetë sa më shumë e pranishme në publik, Zyra e Presidencës ka dhënë një tender të madh për shërbime për marrëdhënie me publikun, shkruan Demokracia.com.
Për këtë shërbim që kryesisht ka të bëjë me video dhe fotografi do të shpenzohen 80 mijë euro.
“Shërbime për marrëdhënie me publikun dhe për mbështetje në organizimin e samiteve, forumeve dhe eventeve. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 07.10.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 4. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata: Purple Consulting SH.P.K.; DAS SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 79,650.00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Në dosjen e tenderit është treguar në mënyrë specifike se çfarë pune do të bëhet me këto 80 mijë euro.
Synimi kryesor është që për Presidencën të ketë prodhim sa më të madh të videove për të gjitha platformat. Po ashtu edhe qindra fotografi.
“Prodhimi dhe editimi i videove profesionale për të gjitha platformat dhe rrjetet sociale. Prodhimi dhe editimi i fotografive (300 foto në javë). Reels sipas kërkesë së ZPRK (7 ditë në javë sipas kërkesës së ZPRK-së). Përgatitja e përmbajtës tekstuale (content) për të gjitha produktet e prodhuara si pjesë e kësaj kontrate. Xhirimi i pamjeve origjinale (përfshirë edhe me dronë) gjatë ngjarjeve të ndryshme dhe xhirimi i videomesazheve të ndryshme. Përgatitja e infografikave statike dhe video animacioneve / infografikave. Rishikimi i brendimit, duke përfshirë të gjitha materialet fizike dhe digjitale dhe propozimi i brendimit të ri/apo ndryshimeve të nevojshme në brendim për prezantimin profesional të punës se ZPRK-së. Trajnim i stafit për përdorimin e pajisjeve për transmetim të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të Presidentes”.
Po ashtu do të bëhet edhe hartimi i planit strategjik të komunikimit (në bashkëpunim me ZPRK).
“Strategjia duhet të përfshijë plane të veçanta të veprimit për çdo platformë të komunikimit të ZPRK, hapa konkretë dhe afate kohore për arritjen e objektivave. Në këtë kontekst, kërkohet planifikimi strategjik, i cili përfshin aktivitetet e përgjithshme të ZPRK-së në periudhën afatshkurtër (12 muaj) dhe afatgjatë (deri në fund të mandatit) dhe planifikimin strategjik për çdo fushatë vetëdijësuese”. /Demokracia.com/