Partia Demokratike në Shtime ka reaguar për planifikimin buxhetor 2023-2025 të qeverisjes së Qemajl Aliut në Shtime, ku është paraparë edhe blerja e veturave në vlerë prej 250 mijë eurosh.
Përmes një reagimi publik, PDK-ja e Shtimes ka thënë se Korniza Afatmesme Buxhetore nuk është hartuar si dokument bazuar në nevojat e qytetarëve dhe të komunës, por në nevojat e miqve, drejtorëve dhe fshatit të kryetarit Qemajl Aliu, shkruan Demokracia.com.
Ky subjekt politik në Shtime i ka bërë thirrje qeverisjes së Aliut që ta ndryshojë qasjen tendencioze ndaj opozitës dhe të punojë për përmbushjen e nevojave të qytetarëve.
Ky është reagimi i plotë i PDK-së, Dega në Shtime:
REAGIM
Të nderuar qytetarë të komunës së Shtimes,
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit, një ndër pikat kryesore të kësaj mbledhje ishte Korniza Afatmesme Buxhetore 2023 – 2025. Anëtarët e PDK-së, në Kuvend kanë dhënë sqarime të hollësishme, propozime konkrete për përmirësim të këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për qytetarët e komunën, i cili përpos që kishte gabime të ndryshme të cilat i kemi prezantuar, ndër të tjerash kemi konstatuar se ky dokument nuk është hartuar në bazën e nevojave të qytetarëve të Shtimes dhe prioritetet që janë, mirëpo është hartuar si dokument i miqve, drejtorëve dhe fshatit të kryetarit, kërkesa luksoze siç planifikohet blerja e veturave në vlerë prej 250 mijë € e planifikuar për tri vite 2023-2025.
Ndër mangësi të tjera të paraqitura nga ana e anëtarëve të PDK-së në Kuvend janë edhe këto:
• Kostoja e projekteve e ulët dhe jo e përshtatur me çmimet e tregut të tanishëm,
• Lënia anash e fshatrave më të mëdha me numër më të madh të banorëve dhe më së paku projekte,
• Buxheti i koncentruar vetëm në fshatin e kryetarit,
• Asnjë projekt që ka të bëjë me buxhetimin gjinor si dhe sigurinë e qytetarëve, Kryetari i Komunës dhe përfaqësuesit e pozitës (ekzekutivit), merreshin me çështje krejtësisht të parëndësishme duke shpërfaqur arrogance, fyerja ndaj opozitës dhe mosdije.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Shtime, i bënë thirrje ekzekutivit që të ndryshojë qasjen tendencioze ndaj opozitës dhe të punojë brenda kornizave dhe nevojave të qytetarëve, përndryshe kjo qasje do të dërgojë qytetarin e Shtimes në falimentim në këto kushte të rënda ekonomik-sociale.
Ne do të reagojmë për çdo parregullsi që do të vërejmë me qëllimin e vetëm, ofrimin e alternativave për përmirësim të qeverisjes. /Demokracia.com/