Lajme
DOKUMENT | Vetëvendosje i çon edhe do miliona te bashkëpartiakët, Xhelal Sveçla i ndan 2.5 milionë euro për komunën e “çlirimtarit” të Shtimes
Demokracia
13:21 | 15 Qershor 2024

Share:

Komuna e Shtimes ka hapur një tender në vlerë 2 milionë e 500 mijë euro për ndërtimin e objektit komunal. Këto para janë zotuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Xhelal Sveçla.

Themelet pritet t’i vendosen në muajin korrik të këtij viti, deri sa kulmi kah mesi i vitit 2026.

Në bazë të parashikimeve të bëra nga pushteti, Shtimja pas dy viteve do ta ketë një objekt të ri komunal, shkruan Demokracia.com.

E për ndërtimin e saj janë zotuar hiç më pak se 2 milionë e 500 mijë euro. Kjo shumë e madhe e parave në ketë komunë të vogël të Kosovës, do u shkojë nga Ministria e Punëve të Brendshme që drejtohet nga Xhelal Sveçla.

Ministri Xhelal Sveçla dhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i vetëquajturi “çlirimtar”, janë anëtarë të Vetëvendosjes.

Kjo tregon se pushteti aktual vazhdon t’i çoi paratë nëpër komunat që qeverisin vetë, duke i diskriminuar komunat e tjera që udhëhiqen nga partitë opozitare.

“Ndërtimi i objektit të Komunës. Vlera e parashikuar e kontratës: 2,500,000.00 euro. Fillimi 22.07.2024. Përfundimi 30.06.2026. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 08.07.2024”.

Në tenderin e shpallur nga Komuna e Shtimes është treguar se ky projekt është financuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Por, paratë do të ndahen pjesë-pjesë deri në vitin 2025.

“Ky projekt është financuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në vlerë prej 2,500,000.00 euro, për vitin 2024, 433,333.00€, ndërsa për vitin 2025, 900,000.00 € dhe për 2026, 666 666.00 €, ndërsa komuna participon me 250,000.00 € për vitin 2025 dhe për vitin 2026, 250,000.00 €, sipas marrëveshjes së mirëkuptimit për financim të projektit”.

Komuna e Shtimes i ka vendosur edhe disa kushte për kompaninë që do ta fitojë tenderin.

“OE i cili do të realizojë projektin merr përsipër rregullimin e infrastrukturës, kthimin në gjendjen e mëparshme në rast të dëmtimit jashtë realizimit të punimeve, deklarata duhet të jetë origjinal e nënshkruar dhe e vulosur nga OE dhe duhet të dorëzohet para nënshkrimit të kontratës vetëm nga  kompania fituese. 2. Plani dinamik i realizimit të punimeve, (koha e realizimit të llogaritet në ditë pune. Kompania fituese para nënshkrimit të kontratës duhet të dorëzojë planin dinamik detal”. /Demokracia.com/

Të ngjashme