Lajme
DOKUMENT| Vazhdon nepotizmi në Shtime, “çlirimtari” rehaton edhe familjarët e asamblistëve
Demokracia
12:27 | 05 Tetor 2022

Share:

Në fushatën zgjedhore për Kryetar të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu premtonte meritokraci dhe depolitizim të administratës komunale. Ndërsa, tani punësimet e njerëzve të tyre nëpër pozita të ndryshme në komunë s’kanë të ndalur.

Pas punësimeve të anëtarëve të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari Qemajl Aliu ka filluar t’i rehatojë edhe familjarët e këshilltarëve të Kuvendit Komunal.

Qemajl Aliu dhe Lëvizja Vetëvendosje në Shtime, në konkurset e fundit publike të Drejtorisë së Arsimit janë kujdesur që të punësojnë edhe familjarë të këshilltarëve të Kuvendit Komunal.

Jetmire Selmani, kunata e asamblistes së LVV-së, Heroina Selmani, është punësuar edukatore në shkollën fillore “Bajram Curri” në fshatin Petrovë.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e Komunës së Shtimes, ku Selmani është përzgjedhur edukatore zëvendësuese në këtë shkollë.

Ndërsa, Mustafë Mustafa, xhaxhai i asamblistes Shkurte Mustafa, është punësuar në shkollën “Hasan Prishtina” në fshatin Godanc.

Demokracia.com ka siguruar edhe vendimin për punësimin e Mustafës.

Demokracia.com ka mësuar se Mustafa dhe mbesa e tij, asamblistja e LVV-së janë miq të vëllait të kryetarit Qemajl Aliu.

Demokracia.com ka raportuar vazhdimisht për punësimet familjare e partiake në Komunën e Shtimes, që nga ardhja në pushtet e kryetarit Qemajl Aliu, i cili e kishte shpallur veten “çlirimtar” të komunës së Shtimes. /Demokracia.com/ 

 

Të ngjashme