Kryeministri Albin Kurti duket se i ka të gjitha punët me urgjencë vetëm sa për të rritur efektin në publik, por pa ndonjë përmbajtje që rregullon jetën e kosovarëve.
Zyra ligjore e Kurtit sot me urgjencë ka kërkuar nga drejtorët e ministrive që lidhur me pikat e rendit të ditës t’i dërgojnë projekt-aktet nënligjore që burojnë nga Ligji i Pagave në Sektorin Publik.
“Ju shkruaj në koordinim me Zv/Sekretarin e Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit përkitazi me pikat e rendit të ditës, respektivisht, projekt-aktet nënligjore që derivojnë nga Ligji Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, e të cilat priten të miratohen në mbledhjen e sotme të Qeverisë”, thuhet në kërkesën urgjente të Zyrës së Kurtit për ministritë që e ka siguruar Demokracia.com.
Megjithatë, sot nuk ka pasur ndonjë njoftim se do të mblidhet Qeveria, marrë parasysh edhe faktin se Kurti ndodhet për vizitë në Turqi.
Po ashtu në këtë kërkesë kërkohet nga drejtorët e ministrive që projekt-aktet nënligjore të dërgohen deri në fund të orarit të formatizuara në tri gjuhët, me qëllim që, pas miratimit të tyre në mbledhjen e Qeverisë, Zyra Ligjore t’i përgatis për nënshkrim nga kryeministri dhe më pas dërgimin e tyre për publikim në Gazetën Zyrtare.
“Këtë adresim po e bëjmë pasi që nuk i posedojmë draftet e akteve nënligjore në word në tri kolona, e për rrjedhojë, të njëjtat nuk mund të përgatitën për nënshkrim nga Kryeministri dhe për publikim”, thuhet në fund të kërkesës, përcjell Demokracia.com.
Por, urgjenca për t’i aprovuar të gjitha aktet nënligjore që kanë dalë nga Ligji i Pagave pa asnjë procedurë dhe pa konsultim paraprak publik për 15 ditë është edhe shkelje ligjore.
Ligji i Pagave është miratuar muaj më parë, mirëpo vetëm këtë javë Kurti e tregoi vlerën e koeficientit.
Më 105 euro për koeficient të përcaktuar nga Qeveria Kurti, punonjësit që paguhen nga shteti në masë të madhe janë shprehur të pakënaqur, duke kërcënuar se ligjin do ta dërgojnë në Kushtetuese përmes Avokatit të Popullit.
Me këtë koeficienti më së shumti ka pësuar drejtësia, ku pagat janë ulur gati në përgjysmim për prokurorët dhe gjyqtarët. /Demokracia.com/