Lajme
DOKUMENT| U emërua si përfaqësues në Kroaci para tre muajsh, Rrahman Rama ende i pa akredituar
Demokracia
10:01 | 23 Shkurt 2022

Share:

Po bëhen gati tre muaj që kur ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, i detyruar nga presioni politik dha dorëheqje.

Pak pas dorëheqjes së tij, Rama nga Ministria e Punëve të Jashtme u caktua përfaqësues i Republikës së Kosovës në organizatën “Qendra për Bashkëpunim të Sigurisë” (Center for Security Cooperation) – RACVIAC, me seli në Rakitje, Zagreb të Kroacisë, shkruan Demokracia.com.

Por, ndonëse kanë kaluar gati tre muaj pas caktimit të tij në këtë pozitë, Rama nuk e ka filluar punën, sepse ende nuk është akredituar nga kjo organizatë.

Demokracia.com ka tentuar të kontaktojë me Ramën, por ai ka qenë i pa qasshëm.

Ky vendim ishte nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, më 30 nëntor të vitit të kaluar.

Në vendimin e Gërvallës të cilin e ka siguruar Demokracia.com, thuhet se Rrahman Rama caktohet përfaqësues i Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare “Qendra për Bashkëpunim të Sigurisë” (Centre for Security Cooperation) – RACVIAC, me seli në Rakitje/Zagreb, Republika e Kroacisë.

Sipas këtij vendimi, Rrahman Rama do të duhej ta fillonte realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij nga data 1 dhjetor 2021, me mandat trevjeçar.

“Të ardhurat personale të Rrahman Rama, gjatë ushtrimit të kësaj detyrë janë të barazvlefshme me gradën diplomatike Ambasador. Kjo ekuivalencë nuk nënkupton marrjen e gradës diplomatike Ambasador, sipas Ligjit nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në vendimin e ministres Gërvalla.

E për problemet që mund t’i dalin Ramës, Demokracia.com kishte raportuar edhe muaj më parë.

Bazuar në statutin e kësaj organizate, shtetet aty mund të përfaqësohen vetëm nga zyrtarët civilë dhe jo nga ushtarakët e deleguar apo të emëruarit politikë.

Demokracia.com nuk ka arritur të mësojë nëse Rama ka dalë në pension të parakohshëm, pasi që si ushtarak ai nuk mund të akreditohet në këtë organizatë të sigurisë.

Që nga anëtarësimi i Kosovës në organizatën e sigurisë RACVIAC, në tetor të vitit 2014, shteti ynë është përfaqësuar gjithmonë vetëm nga zyrtarët civilë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Kosova fillimisht ishte përfaqësuar në RACVIAC nga zyrtari i MPJ-së, Bujar Maxhuni. Ndërsa, më pas edhe nga zyrtari tjetër i MPJ-së, Berat Jashari, pasi që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kishte marrëveshje me Forcën e Sigurisë për dërgimin e personelit të saj në RACVIAC.

Vlen të theksohet se edhe nëse Rrahman Rama konfirmohet si i pranueshëm në RACVIAC, Ministria e Mbrojtjes duhet të ketë marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Jashtme sikurse për atashe të sigurisë.

Kosova ka atashe të sigurisë në Zagreb, aty ku është selia e RACVIAC-it, prandaj dërgimi i ish-komandantit të ushtrisë së Kosovës në një nivel kaq të ulët në këtë organizatë, edhe sikur të ishte i pranueshëm në RACVIAC, nga ekspertët e sigurisë është parë si mungesë e respektit për kuadrot ushtarake dhe për vetë shtetin tonë. /Demokracia.com/

Të ngjashme