Lajme
DOKUMENT: U doli fatura e drekës së famshme të Bordit të SHSKUK-së në Gjakovë, i hakmerren Drejtorit të Administratës në Spitalin e Gjakovës
Demokracia
16:09 | 15 Gusht 2023

Share:

Është ndëshkuar Drejtori i Administratës së Spitalit të Gjakovës, Zejnel Morina, pas daljes në media të faturës së drekës që kishte shpenzuar Bordi i SHSKUK-së.

Zejnel Morinës, Drejtor i Admistratës së Spitalit të Gjakovës, siç ka mësuar Demokracia.com, i është shqiptuar vërejtje përkundër që ai nuk e kishte bërë publike faturën e drekës në vlerë 455 euro që Bordi i SHSKUK-së e kishte shpenzuar në Gjakovë.

Shqiptimin e vërejtjes e ka konfirmuar edhe vetë drejtori Zejnel Morina.

Demokracia.com ka mësuar se është diskutuar edhe suspendimi nga puna i tij, por deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim i ri.

Një drekë në vlerë 455 Euro ishte paguar nga buxheti i Spitalit të Gjakovës, pasi drejtori Jeton Zarari e kishte qerasur Bordin Drejtues më datën 2 korrik. Zarari disa ditë pas kësaj dreke ua vendosi drynin sallave të operacionit me arsyetimin e temperaturave të larta.

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda”, kishte marrë vendim që nga data 7 korrik të ndërpresë punën në sallat operative, përveç rasteve urgjente.

Mirëpo, arsyetimi ishte i çuditshëm nga ana e spitalit, ku një ndër arsyet e ndërprerjes ishin cekur edhe temperaturat e larta dhe pushimet vjetore nga ana e stafit.

“Të ndërpritet puna në sallat operative, për programin e ftohtë (të planifikuar) duke filluar prej datës 07.07.2023. Ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale në punë. Prej datës 07.07.2023 në sallat operative pranohen vetëm rastet urgjente, deri në një vendim tjetër”, thuhej në vendimin e spitalit “Isa Grezda”.

Spitalin e Gjakovës më 2 korrik e kishte vizituar Kryesuesi i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovë, Naim Bardiqi, i cili njëherësh është edhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe u.d. Drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Narqize Arenliu – Hoxhaj.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, pas raportimit për punën dhe mangësitë e këtij spitalit kishte ofruar drekë për mysafirët nga Prishtina.

Për këtë drekë, drejtori i Spitalit të Gjakovës ka paguar 455 euro. Ku mysafirët kishin porositur pije dhe ushqime nga deti.

Vlen të theksohet se sinjalizuesit që i raportojnë keqpërdorimet nëpër institucione publike mbrohen edhe me ligj. /Demokracia.com/

Drejtori skandaloz i Spitalit të Gjakovës qerasi me drek Bordin e SHSKUK-së në vlerë 455 Euro

 

Të ngjashme