Lajme
DOKUMENT| Thellohet skandali milionësh i Gërvallës e Damkës, përfiton edhe ish-organizata e zëvendësministres Liza Gashi
Demokracia
19:44 | 03 Qershor 2022

Share:

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, duket se nuk është thjesht një zëvendësministre si kolegët e saj të tjerë në Qeverinë Kurti. Gashi që dikur e udhëhoqi organizatën “GERMIN” dhe lobonte për Lëvizjen Vetëvendosje në diasporë, përkundër që mori pozitë drejtuese në Qeverinë e Albin Kurtit, ajo nuk po e harron organizatën në të cilën punoi e loboi shumë për agjendën politike të shefit të saj.

Shfrytëzimi i rrjetit të saj që Lëvizjes Vetëvendosje ia solli gjithsej 44 mijë e 252 vota nga diaspora, si duket e bënë edhe më speciale zëvendësministren Gashi, shkruan Demokracia.com.

Duke e përdorur afërsinë me kryeministrin Kurti dhe ministren Donika Gërvalla-Schwarz, ajo po vazhdon ta favorizojë edhe si zëvendësministre vazhdimisht organizatën “GERMIN”.

Gashi, e cila e shoqëroi kryeministrin Kurti në vizitën e tij të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shihet pranë tij në çdo takim me diasporën.

Por, hetimit lidhur me skandalin që u përfshinë ministrja Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministri Fikrim Damka, lehtësisht mund t’i bashkohet edhe zëvendësministrja Liza Gashi.

Në memorandumin e nënshkruar me Caritas-in zviceran, në bazë të të cilës buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro, figuron edhe organizata “GERMIN”, si organizatë partnere e MPJ-së, të cilën zotohet se do ta mbështesë.

Kjo marrëveshje tashmë është duke u realizuar, por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas pëlqimit zyrtar, të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove.

“MPJD do të mbështesë CACH dhe organizatën e saj partnere GERMIN në vendosjen e kontakteve me diasporën e Kosovës në vendet e synuara. Për më tepër, ajo do të ofrojë mbështetjen dhe ekspertizën e saj institucionale për të përmirësuar aplikacionin Helpdesk për diasporën”, thuhet në këtë memorandum, me të cilin tashmë po merren hetuesit policorë, raporton Demokracia.com.

Memorandumi është nënshkruar më 16 gusht 2021, nga ana e ministrit Fikrim Damka dhe përfaqësuesve të Caritasit zviceran (CACH), ku statusi ligjor i këtij të fundit është Organizatë Joqeveritare (OJQ), e regjistruar si e tillë në Ministrinë e Administratës Publike të Republikës së Kosovës.

Në këtë rast, Ministria e Zhvillimit Rajonal, jo vetëm që nuk kishte autorizim ligjor, por është e ndaluar me legjislacionin në fuqi që shpenzimi i buxhetit shtetëror të bëhet në mënyrën siç është vepruar në këtë proces, mbi të gjitha të nënshkruhet marrëveshje për ndarje fondesh publike me një Organizatë Joqeveritare, pa pasur shpallje publike e pa iu nënshtruar kritereve për të cilat shteti e ka vlerësuar si interes në atë shpallje.

Ky “Memorandum Bashkëpunimi”, nga dy ministrat e qeverisë Kurti është iniciuar dhe trajtuar sipas Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare, me qëllimin që të trajtohet si “Marrëveshje për Bashkëpunim Ndërinstitucional”, shkruan Demokracia.com.

Marrëveshje të tilla mund të lidhin ministritë vetëm me shtetet e huaja ose organizatat ndërkombëtare dhe vetëm nëse marrëveshjet e tilla nuk përmbajnë obligime të detyrueshme për Qeverinë.

Organizata “GERMIN”, që deri sa u emërua zëvendësministre ishte drejtuar nga Liza Gashi, aktualisht zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ditë më parë e ka organizuar edhe Forumin e Bizneseve të Diasporës, ku mori pjesë gati i tërë lidershipi i vendit.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë me përfaqësuesit e organizatës “GERMIN” në numrin e publikuar si kontakt në faqen e tyre zyrtare në rrjetet sociale për t’i pyetur nëse deri më tani kanë pranuar mbështetje financiare nga MPJD, por ata nuk janë përgjigjur.

Ky organizim i këtij forumi iu besua organizatës që deri para se të bëhej zyrtare e shtetit e drejtoi për shumë kohë vetë Liza Gashi, duke e lënë nën hije tërësisht kështu edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shkruan Demokracia.com.

Më 27 maj, “GERMIN” ka njoftuar në faqen e saj se Forumi i Bizneseve të Diasporës u organizua nga Degët Evropiane të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe USIAD Kosovo Compete Activity në bashkëpunim me organizatën “GERMIN”.

Hapjen e forumit e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili sapo ishte kthyer nga vizita e gjatë në SHBA, ku u shoqërua edhe nga Liza Gashi.

Demokracia.com ka dërguar muaj më parë një kërkesë për qasje në dokumentet zyrtare të projekteve që i janë dhënë organizatës “GERMIN”, por MPJD edhe pse e ka obligim ligjor, nuk ka lejuar qasje sot e asaj dite.

Dokumentin e plotë rreth kësaj marrëveshje mund ta lexoni në këtë link MZHR-CARITAS_compressed-1_compressed-1_compressed.

Që nga emërimi i saj si zëvendësministre e MPJD, në këtë dikaster qeveritar vazhdimisht janë avancuar bashkëpunëtorët e Liza Gashit, përfshirë këtu edhe Behar Ismën, i cili aktualisht është zëvendësues i sekretarit të MPJD-së dhe njeri shumë i afërt me Gashin. Po ashtu, pa konkurs të brendshëm, Isma më pas e kishte bërë udhëheqës të Divizionit për Buxhet dhe Financa, Mizbah Mustafën, gjithashtu ish-zyrtar i Ministrisë së Diasporës, si dhe ish-zyrtarin tjetër Hamdi Bërbatovcin, si udhëheqës të Njësisë së Auditimit të Brendshëm. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme