Diplomati i karrierës, Agron Maloku që u sistemua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Ministrinë e Shëndetësisë, është kthyer sërish në MPJD me vendim të KPMSHCK-së.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka aprovuar ankesën e ish-kryetarit të Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, Agron Maloku, i cili në mënyrë të kundërligjshme u transferua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Komisioni në kuadër të MPJD-së në shtator të viti të kaluar kishte vendosur Malokun në listën për transferim në një ministri tjetër. Me datë 10.11.2022 ai u transferua në Ministrinë e Shëndetësisë.
Demokracia.com e ka siguruar vendimin e KPMSHCK-së, i cili e ka shfuqizuar vendimin e MPB-së dhe MPJD-së.
“Shfuqizohet vendimi Nr.144/2022 i datës 10.11.2022 i Departamentit për Menaxhimin e zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshëm, ndërsa detyrohet Komisioni i Ristrukturimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të nxjerrë raporte meritore lidhur me sistemin e ankuesit në pajtim me legjislacionin në fuqi si dhe pikëpamjet juridike si në arsyetim të këtij vendimi. Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i MPJD-së që të marrë verimet e nevojshme administrative për zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh”, thuhet në vendim.
Në shtator të viti të kaluar Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ) kishte reaguar ashpër pasi Agron Maloku, kryetar i kësaj Shoqate e kishte pranuar një vendim nga MPB përmes të cilit sistemohet në Ministrinë e Shëndetësisë, siç thuhej në kuadër të sistematizimit dhe riorganizimit të ri të MPJD-së.
Në reagimin e tyre thuhej se, Komisioni në kuadër të MPJD-së kishte vendosur Malokun në listën për transferim në një ministri tjetër, duke i dhënë përparësi për sistematizim, siç thuhet në reagim, një zyrtari të Ministrisë së Diasporës, pa gradë diplomatike dhe pa përvojën e nevojshme në shërbimin e jashtëm.
Shoqata Sindikale i kishte bërë thirrje menaxhmentit të MPJD-së dhe MPB-së që të shfuqizojnë këtë vendim, që sipas tyre është i kundërligjshëm dhe kishin bërë thirrje që të kthejnë kryetarin e Shoqatës në MPJD. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: