Lajme
DOKUMENT | Telekomi lidhi kontratë me Digitalb, por nuk do të ketë transmetim edhe gati tri vjet
Demokracia
22:41 | 12 Shkurt 2024

Share:

Telekomi i Kosovës ditë më parë ka nënshkruar kontratë me Digitalb për blerjen e programeve të këtij operatori. Kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 2-vjeçare, ndërsa pagesa do të bëhet në bazë të dakordimit me çmimin e abonimit. Por, Telekomi nuk ka rrjet shpërndarës për ta çuar transmetimin te klientët e tij potencialë. Madje, nuk do të ketë edhe disa vite, shkruan Demokracia.com.

Një herë u sigurua që të marrë të drejtën televizive nga Digitalb e mandej kur të është ‘kësmet’ do ta shtrijë edhe rrjetin. Kështu ka proceduar kompania publike ‘Telekomi i Kosovës’, në vend që të bëjë të kundërtën.

Ajo tek tash ka hapur tender të quajtur “Modernizimi dhe zgjerimi i rrjetave telekomunikuese optike në tërë territorin e Kosovës”.

Tenderi është i ndarë në 8 lote, po aq sa janë edhe regjione në Kosovë.

Pos në qytete, Telekomi synon ta shtrijë rrjetin edhe në të gjitha fshatrat e Kosovës. Kohëzgjatja e kontratës është paraparë për tri vite dhe për këtë punë janë ndarë plot 15 milionë euro.

“Telekomi i Kosovës synon të zgjerojë dhe modernizojë rrjetin telekomunikues pasiv primar dhe sekondar përmes mediumit optik; si dhe ndërlidhjen e rrjetave mes vete (rrjetit ajror dhe tokësor). Gjithashtu, përmes kësaj kërkese, klientët ekzistues që shërbehen përmes mediumit të bakrit do të migrohen në medium optik. Ky projekt do të përfshijë edhe shtrirjen e rrjetit te brendshëm, brenda objekteve të banimit, deri te klienti”, thuhet në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Tenderi do të jetë i hapur deri më 22 mars 2024.

Ditë më parë, Telekomi ka nënshkruar kontratë me Digitalb për blerjen e programeve të këtij operatori. Shuma e kësaj kontrate për “furnizim me programe të Digitalb” kap shifrën 1 milion e 300 mijë euro.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 2-vjeçare, ndërsa pagesa do të bëhet në bazë të dakordimit me çmimin abonues.

Sipas dosjes së tenderit, përzgjedhja e kanaleve përfundimtare do të bëhet nga Telekomi gjatë fazës së negociatave, ku po ashtu do të merren për bazë edhe kërkesat e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Përveç kanaleve të rregullta televizive, sipas dosjes së tenderit, parashihet që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe opsioni “VOD-kontent”, në të cilën transmetohen filma, dokumentarë, emisione dhe përmbajtje tjetër premium. “Kanalet e filmave duhet të jenë të titruara në shqip ose mundësisht të sinkronizuara në gjuhën shqipe dhe të ketë mundësi që të bëhet zgjedhja e gjuhës origjinal apo e sinkronizuar në gjuhën shqipe. Të ofrohen edhe kanale ndërkombëtare dhe premium sipas mundësive që ka Digitalb” – thuhet në dosje.

Një detaj interesant i draft-kontratës është se është parashikuar që në rast se Digitalb humb të drejtën e transmetimit të ndonjë kanali, Telekomi i Kosovës pajtohet plotësisht me zëvendësimin e atij kanali me një kanal tjetër të së njëjtës cilësi ose me cilësi më të lartë. Në të kundërtën, sipas draft kontratës, lejohet zbatimi i reduktimit me 3% të çmimit për abonent.

DigitAlb kishte arritur marrëveshje për transmetimin e kanaleve të tyre në rrjetin kabllor të Kosovës në maj të vitit 2022, duke lidhur kontratë me operatorin Kujtesa, por ankesa të shumta ishin paraqitur në KPM.

KPM kishte pranuar një ankesë nga një distributor filmash kroat, i cili kishte kërkuar ndërprejen e transmetimit të disa prej kanaleve në territorin e Kosovës. Digitalb dhe Kujtesa nuk depozituan dëshmi për ta hedhur poshtë ankesën dhe kësisoj KPM urdhëroi ndalimin e transmetimit të programeve të DigitAlb. /Demokracia.com/

Të ngjashme