Shumë punëtorë janë larguar nga puna në Telekomin e Kosovës, pas një marrëveshjeje që kjo e fundit u kishte ofruar për pensionim të parakohshëm apo marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës me benifite.
Demokracia.com ka siguruar marrëveshjen e Telekomit me njërin nga punëtorët me të cilin ka arritur marrëveshje për ndërprerje të kontratës së punës në mënyrë vullnetare. Që nga dita e sotme, ai dhe shumë punëtorë të tjerë kanë shkëputur marrëdhëniet e punës me Telekomin e Kosovës.
Punëtorët e derisotëm të Telekomit të Kosovës do të kompensohen në bazë të pagës bruto.
Sipas nenit 2 “me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, punëdhënësi pajtohet që të punësuarit/es, me rastin e ndërprerjes së kontratës së punës/Marrëdhënies së Punës, t’i kompensojë shumën e pagesës bruto. Kjo shumë është kalkuluar duke marrë për bazë pagën bruto, sipas kontratës aktuale të punës të të punësuarit, e shumëzuar me 24 muaj”, thuhet në marrëveshjen e siguruar nga Demokracia.com.
Po ashtu, sipas kësaj marrëveshjeje, duke iu referuar nenit 6, Telekomi i Kosovës i obligon ish të punësuarit që të mos iniciojnë padi ndaj kësaj ndërmarrjeje.
“Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i/e punësuari/a garanton që nuk ka ndonjë pretendim apo kërkesë të çfarëdo natyre nga marrëdhënia e punës ndaj Telekomit të Kosovës sh.a. dhe nuk do të përdorë asnjë mjet juridik për asnjë lloj pretendimi në organet kompetente kundrejt Telekomit të Kosovës sh.a”, thuhet në marrëveshje.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Telekomin e Kosovës për të marrë më shumë informacione se sa është numri i punëtorëve që do të largohen nga kjo ndërmarrje.
“Procesi i nënshkrimit të marrëveshjes, me secilin të punësuar që ka aplikuar dhe i është aprovuar njëra nga dy pakot, ende nuk është përfunduar”, kanë thënë për Demokracia.com nga Zyra për Media e Telekomit të Kosovës.
Ndonëse në marrëveshjen e re, U.D kryeshefja Burbuqe Hana e ka futur nenin që i obligon punëtorët të mos e padisin Telekomin, dikur ajo vetë e kishte paditur ndërmarrjen, duke kërkuar kompensim prej afër 10 mijë euro.
Sipas padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Hana kërkonte nga Telekomi i Kosovës kompensim prej 9,513.00 euro në emër të diferencës në gradë, raporton Demokracia.com.
Këtë shumë, ajo e kërkonte me pretendimin se Telekomi i Kosovës, pa të drejtë ia kishte zbritur gradën dhe atë nga grada 12 në gradën 11.
Po ashtu, sipas emailit që u është dërguar punëtorëve, pas nënshkrimit të marrëveshjes ata janë të obliguar që t’i dorëzojnë të gjitha asetet dhe të shkarkohen nga të gjitha obligimet ndaj Telekomit.
Ndryshe, punëtorët e kompanisë publike Telekomi i Kosovës, më 25 mars kishin pranuar një e-mail të pazakontë.
Në këtë shkresë elektronike, të titulluar ‘Ofertë me pako vullnetare për punëtorët’, të punësuarve në këtë kompani u ishte ofruar një pako dalëse, e cila përfshin dy mundësi.
a) Pensionimi i parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026;
b) Marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benifitet e përcaktuara për punëtorin/en”.
Ata që firmosin për t’u pensionuar para kohe do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim.
Punëtorët e Telekomit që vullnetarisht ndërpresin marrëdhënien e punës do t’i marrin 24 paga bruto përnjëherë. /Demokracia.com/