Kosova ka vite që nuk është anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare.
Me marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova ishte pajtuar për një moratorium njëvjeçar që të mos lobonte për njohje të reja edhe anëtarësime në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Por, përkundër që moratoriumi ka përfunduar në shtator të vitit 2021, ende nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, shkruan Demokracia.com.
Jo vetëm që nuk u aplikua për anëtarësime në organizata të reja, por Qeveria Kurti duket se nuk e ka as idenë se në cilat organizata është anëtare Kosova.
Paaftësia e kësaj Qeveria ka arritur deri në pikën kur kryeministri Kurti propozoi që të anëtarësohemi në një organizatë ku Kosova ka vite që është pjesë e saj. Në mbledhjen e së shtunës, Kurti propozoi që të shqyrtohet nisma për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo Konventën e Parisit, raporton Demokracia.com.
Kosova është e anëtarësuar në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave që nga dhjetori i vitit 2015.
Demokracia.com ka siguruar një raport të brendshëm të MPJD-së, ku tregohet se çfarë është bërë në tre muajt e parë të vitit 2022 për anëtarësim në organizata.
Në raportin e Departamentit për Organizata Ndërkombëtare të MPJD-së thuhet se me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese të RKS-së kanë marrë pjesë në takimin, i cili është zhvilluar në mes të kabinetin të MPJD-së dhe GJK-së lidhur me anëtarësim në ACCF (Agjencinë e Gjykatave Kushtetuese Frankofone).
“U dakorduam që roli i MPJD-së të jetë fasilitues në këtë proces. Lidhur me këtë DON është koordinuar dhe me zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, ka zhvilluar takim me përfaqësuesin e Gjykatës Kushtetuese të RKS-së për tu informuar se deri në cilën pikë ka arritur procesi për anëtarësim në ACCF. DON po ashtu në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme kanë komunikuar me ambasadat e RKS-së në vendet frankofone me qëllim të fasilitimit të procesit të anëtarësimit të GJK-së në ACCF. Lidhur me këtë proces DON ka komunikuar në vazhdimësi me përgjegjës të GJK-së për tu koordinuar dhe informuar me të gjitha çështjet që kanë të bëjë me procesin aplikimit të anëtarësimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Asociacionin e Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF)”, thuhet në raportin e siguruar nga Demokracia.com.
Po ashtu, në këtë raport tregohet se ka nisur puna për aplikim edhe në Këshillin e Evropës.
“DON ka marr pjesë në grupin fillestar për vlerësimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të udhëhequr nga zv. ministri z. Kreshnik Ahmeti. Po ashtu, DON me kërkesë të zv.ministrit z.Ahmeti, ka përcjell dokumente si Planin strategjik, Planin e veprimit dhe të gjitha dokumentet e nevojshme për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Lidhur me këtë DON në vazhdimësi ka qenë në komunikim dhe koordinim me Konsullatën e Përgjithshme në Strasburg”, tregohet në këtë raport, përcjell Demokracia.com.
Po ashtu, në këtë raport tregohet edhe se Departamenti për Organizata Ndërkombëtare me rekomandim të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar informacion nga Misionet Diplomatike të Kosovës lidhur më qëndrimet e shteteve përkatëse, si dhe të atyre që mbulojnë si akreditim dytësor, për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Lidhur me këtë çështje, DON ka pranuar informacione nga MD dhe është duke bërë analizimin e tyre.
Unionin Telegrafik Ndërkombëtar (ITU)
DON ka pranuar shkresën e dërguar nga ambasada e RKS-së në Riad, nëpërmjet të cilës Kuvajti ka kërkuar nga Kosova votën përkrahëse për anëtarësim në Unionin Telegrafik Ndërkombëtar (ITU). DON është përgjigjur në kërkesën e Kuvajtit për mbështetje në ITU.
SEEHN
DON është përgjigjur kërkesës së Departamentit për Çështje Rajonale, përkitazi me organizatën “Rrjeti Rajonal për Shëndetësi për Evropën Juglindore” (SEEHN, me këtë rast DON ka përcjell dosjen e kompletuar të departamentit në fjalë).
Euro Geographics
DON me qëllim të koordinimit në lidhje me asociacionin EuroGrafiphics, është takuar me përfaqësuesit nga Agjencia e Kadastrave të Kosovës… DON ka propozuar dy alternativa të adresimit të çështjes së kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe vendosjes së asteriskut në lidhje me asociacionin EuroGrafiphics, duke dhënë edhe kontribut fillestar me disa paragrafë.
Open Government Partnership (OGP)
DON është përgjigjur në kërkesën e zv. ministrit Ahmeti lidhur me iniciativën multilaterale të Open Government Partnership (OGP). Lidhur me ketë DON ka qenë në kontakt me zyrtar të MAPL-së, DON ka përgatitur analizë rreth mundësisë së anëtarësimit të RKS-së dhe gjitha dokumente të nevojshme për organizatën në fjalë.
DON ka komunikuar me Oden Ekonomike të Kosovës në lidhje me sqarimin e disa faturave të përcjella nga Kuvendi i Kosovës. Gjatë komunikimit DON ka identifikuar edhe tri organizata në të cilat Kosova
ishte anëtare, ndërsa nuk figuronin ne listën e organizatave ku Kosova është anëtare. DON së bashku me Departamentin për Diplomaci Ekonomike ka zhvilluar një takim me Oden Ekonomike të Kosovës.
Në takim është biseduar për anëtarësimet e OEK në organizata ndërkombëtare, vështirësitë lidhur me kostot vjetore të anëtarësimeve dhe koordinimi i OEK me MPJD.
DON i është përgjigjur kërkesës për bashkëpunim të Odës së Stomatologëve të Kosovës, lidhur me disa çështje të cilat nuk kanë arrit t’i zgjedhin me Federatën Botërore të Stomatologëve – FDI (World Dental
Federation). Me propozim të DON, është mbajtur një takim ndërmjet DON dhe Odës së Stomatologëve të Republikës së Kosovës. Në takim janë shqyrtuar mundësitë e adresimit të shqetësimeve të Odës dhe
është dakorduar për koordinim dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Obligimet që RKS ka ndaj Organizatave Ndërkombëtare
DON për gjatë këtyre muajve është marrë më kërkesën për kryerjen e obligimeve financiare, ka pranuar kërkesë nga Ambasadat e RKS-së në Paris, Holandë lidhur me pagesën për kontributet vjetore që ka
obligim Kosova për vitin 2022 të anëtarësisë në Frankofoni, Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit. Lidhur me këtë çështje, me kërkesën e Departamentit të Financave janë kërkuar dokumente shtesë që
konfirmon që Kosova është anëtare në këto organizata.
DON është koordinuar dhe me Konsullatën në Strasburg sa i përket obligimeve financiare për organizata CEB dhe Komisionit të Venecias.
DON ka qenë në koordinim me Konsullatën në Gjenevë dhe zyrtarët nga MMPHI për realizimin e obligimeve për vitin 2022 të organizatës Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Përditësimi i dosjeve të Organizatave Ndërkombëtare dhe raporteve të rregullta nga DON.
DON ka përgatitur e raportit vjetor mbi aktivitetet e departamentit për Organizata Ndërkombëtare për vitin 2021.
Ndryshe, për këta gati 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare dhe sportive. Në mesin e tyre janë edhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.
Në plan-programin e Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila është formuar në mars të vitit të kaluar, thuhet se “rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës paraqet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe kultivimi i fqinjësisë së mirë”.
Në fund të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij planifikon që gjatë vitit 2022 të dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Demokracia.com/