Policët e Kosovës nuk do të mund t’i veshin rrobat dhe t’i mbathin këpucët e reja edhe për një kohë të gjatë. Blerja e tyre nuk po mund të kryhet assesi, pasi tenderët milionësh po dështojnë disa herë më radhë. Ngjashëm ka ndodhur edhe tani.
Blerja e disa uniformave të reja për policët e Kosovës nuk po mund të bëhet realitet assesi.
Tenderi për blerjen e tyre është duke dështuar tash e më shumë se një vit.
Anulimi i këtij tenderi është bërë edhe sot, shkruan Demokracia.com.
Policia e Kosovës, sipas tenderit të shpallur vitin e kaluar, saktësisht më datën 10.06.2021, ka bërë plan që për “uniforma për detyra taktike” t’i shpenzojë 1 milion e 515 mijë euro.
“Vlera e parashikuar e kontratës: 1 515 905,00. Qëllimi i këtij aktiviteti të prokurimit është furnizimi me uniforma për detyra taktike. Gjithsej 7 artikuj me sasinë sipas dosjes së tenderit. Data e përgatitjes së njoftimit: 10.06.2021”, thuhej në njoftimin e shpallur, përcjell Demokracia.com.
Mirëpo, tash kur jemi në muajin e nëntë të vitit 2022, blerja e këtyre rrobave ende nuk është bërë.
Policia ka treguar se anulimi bëhet për shkak të një dispozite në Ligjin e Prokurimit Publik.
“Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit; Data e vendimit mbi anulimin e procedurës 22.08.2022. Numri i tenderëve të pranuar 2”, bëhet e ditur në njoftimin për anulim, përcjell Demokracia.com.
Për këtë tender nuk kanë shkuar punët mirë edhe muaj më parë, kur ishte kërkuar që të zgjatet afati për sigurimin e tij.
““Ju njoftoj se për arsye objektive projekti “Furnizim me uniforma për detyra taktike” me numër të prokurimit 214-21-3676-1-1-1, 214/21/0044/111 nuk është finalizuar, në mënyrë që të vazhdohen procedurat e prokurimit kërkoj nga ana juaj që të zgjatni sigurimin e tenderit për një periudhë prej “120” ditësh nga data 09/05/2022”, thuhej në njoftim.
Në dosjen e tenderit janë dhënë detaje se janë paraparë të blihen mijëra xhaketa, pantolla, këmisha dhe kapela.
“Xhaketa Taktike, Copë 1150. Pantolla Taktik Veror, Palë 3500. Pantolla Taktik Dimëror, Palë 3500. Këmishë Taktike me Mangët e Shkurta, Copë 4250. Këmishë taktike me menge te gjata verore, Copë 4210. Kemish Taktike me menge te Gjata Dimerore, Copë 4206. Kapela Taktike, Copë 2577”, thuhet në dosje.
Edhe tenderi për furnizim më këpucë ka pasur të njëjtin fat, pasi që edhe ky nuk po arrin të realizohet kurrë.
Ky tender ka nisur në fillim të këtij viti, por është anuluar përsëri këto ditë, pasi edhe këtu ka pasur shkelje të Ligjit të Prokurimit.
“Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit. Data e vendimit mbi anulimin e procedurës 22.08.2022. Qëllimi i këtij aktiviteti te prokurimit është furnizimi me këpucë standarde për Policinë e Kosovës. Pjesa 1 dhe pjesa 2, Furnizim me këpucë për uniforme solemne për femra dhe meshkuj”.
Vlera e këtij tenderi është mbi 654 mijë euro, derisa në dosjen e tij është treguar se janë paraparë të blihen 470 palë këpucë për meshkuj dhe 100 palë për femra.
“Furnizim me këpucë për PK-në. Furnizim me këpucë solemne për femra, Palë 100. Furnizim me këpucë solemne për meshkuj, Palë 470. Këpucë me lidhëse model Derby me nivel te ulët, me sistem ajrosje dhe rezistues ndaj ujit I mbështjellë me shtresë TPU – PUR ( Thermoplastic Polyurethane ) ose ekuivalent, antistatike , ngjyra e zezë. Lëkura e këpucës duhet te jete natyrale. Gjatësia e lidhësve te këpucëve duhet te jete 80 deri ne 100 cm dhe te jene rezistuese ndaj ujit”.
Në dosje është treguar se numrat e këpucëve duhet të jenë nga 35 deri në 48 me standarde të BE-së./Demokracia.com/