Lajme
DOKUMENT| Shqiptarët e Norvegjisë e kundërshtojnë shkarkimin e ish-ambasadorit Uliks Emra
Demokracia
14:23 | 23 Shkurt 2022

Share:

Këshilli i Organizatave dhe shoqatave të shqiptarëve në Norvegji kanë reaguar pas shkarkimit të Ambasadorit të Kosovës në Norvegji, Uliks Emrës.

Përmes një deklarate për media, organizatat dhe shoqatat e shqiptarëve në Norvegji theksojnë se ambasadori Uliks Emra, jo vetëm që nderoi e afirmoi vlerat e popullit, qeverisë dhe shtetit të Kosovës, por krijoi dhe fuqizoi edhe lidhje të forta mes komunitetit shqiptar dhe komuniteteve të kombeve mike të shqiptarëve që ndodhen në Norvegji.

Ai vuri kontakte të rregullta me të gjitha kryesitë e komuniteteve, shoqatave kulturore shqiptare, shoqatave fetare, klubeve sportive, radiofonike si dhe grupeve të rinisë, grupeve studentore e akademike nëpër Norvegji. z. Emra për herë të parë në Norvegji tregoi një respekt të veçantë dhe organizoi takim me intelektualët dhe profesionalistët tanë të cilët punojnë në departamente të ndryshme shtetërore, spitalet, institucionet profesionale dhe universitare. Z. Emra shtroi idetë e bashkëpunimit të Kosovës me qëllim të sjelljes së investimeve, ndihmës profesionale të biznesmenëve, shkollarëve e profesionalistëve shqiptarë në Kosovë dhe viseve të tjera të atdheut. Është pikërisht kjo punë e palodhshme, ajo e cila për herë të parë filloi të ngritë urat e bashkëpunimit në mes të komunitetit tonë me atdheun, kjo që sot është domosdoshmëri jetike për ekonominë e Kosovës dhe regjioneve të tjera shqiptare”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Organizatave dhe shoqatave të shqiptarëve në Norvegji, raporton Demokracia.com.

Me ndihmën e ambasadorit Uliks Emra, sipas tyre, Këshilli i Shqiptarëve në Norvegji është sot në fazën finale të organizimit, ku po përfshihen shumica e organizative shqiptare në Norvegji, pasi që e konsiderojnë iniciativë të rëndësishme të ambasadorit Uliks Emra./Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme