Lajme
DOKUMENT| Shoqëria Aksionare e ish-punëtorëve të KEK-ut ia shiti afër 2 milionë euro thëngjill një kompanie serbe
Demokracia
19:18 | 23 Maj 2022

Share:

Dyshime se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po e shet thëngjillin me çmim më të ulët dhe përmes kontratave dytësore po e nxjerr atë jashtë vendit me çmime më të larta, muaj më parë janë ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës.

Pas raportimit për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në skandalin financiar rajonal, ku mediat sllovene kishin publikuar dokumente që dëshmonin se Berishaj kishte përfituar mijëra euro nga dega në Beograd e kompanisë energjetike GEN-I, opozita e kishte akuzuar Qeverinë Kurti edhe për shitje të dyshimtë të thëngjillit, duke favorizuar grupe të interesit dhe ndërmjetës të përzgjedhur nga menaxhmenti i KEK-ut dhe Qeveria.

Demokracia.com ka arritur të sigurojë një marrëveshje ndërmjet “Kosova Thëngjill” e përfaqësuar nga Sylejman Hajdini, e cila më 28 prill të këtij viti ka arritur marrëveshje me kompaninë serbe “Lider Pro” nga Mitrovica e Sremit, për shitjen e mijëra tonëve të thëngjillit.

Në marrëveshjen që e ka siguruar Demokracia.com, e cila është në gjuhën serbe, thuhet se shitësi (Kosova Thëngjill) obligohet që në bazë të marrëveshjes të sigurojë thëngjill për territorin e Serbisë në sasi prej 36,000 tonë thëngjill të papërpunuar dhe 24,000 tonë thëngjill të thatë.

Po ashtu, në këtë marrëveshje janë specifikuar edhe përmasat e thëngjillit dhe çmimi për një ton, raporton Demokracia.com.

Një ton thëngjill i papërpunuar është shitur në Serbi me 20 euro e 48 centë, ndërsa për thëngjillin e thatë (i gatshëm për përdorim), një ton është shitur për 49 euro e 87 centë.

Afati kohor i realizimit të porosisë është shtatë muaj sipas kësaj marrëveshjeje.

Demokracia.com ka tentuar të flasë me menaxhmentin e “Kosova Thëngjill”, por ata nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Një ton thëngjill i papërpunuar, siç mëson Demokracia.com nga burime brenda KEK-ut, Kosova Thëngjill e blen nga KEK-u me rreth 12 euro në ton pa TVSH.

Vlera e përgjithshme e këtij pazari të eksportit të thëngjillit në Serbi është 1,934,160.00 euro.

Në vitin e kaluar, saktësisht në mbledhjen e mbajtur më 24 gusht 2021, Komisioni i Auditimit (KA) të KEK-sh.a, kishte alarmuar për shitje të thëngjillit në mënyrë të dyshimtë dhe pa procedura edhe në KEK.

Në këtë mbledhje ishte thënë se për disa raste të veçanta të shitjes së thëngjillit e kishin njoftuar edhe Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, pasi që ishte konstatuar se shitja po bëhej në kundërshtim me procedurat e prokurimit dhe kishte dyshime të shumta për keqpërdorime.

KOSOVA THËNGJILLI- SH.A. është zyrtarisht kompani e 365 ish-punëtorëve të KEK-ut, që aty operojnë si aksionarë. /Demokracia.com/

Të ngjashme