Mbi 240 mijë euro do të shpenzohen nga buxheti i shtetit për bileta udhëtimi jashtë vendit për nevojat e zyrës së kryeministrit Kurti. Për këtë, zyra e Kurtit tashmë ka dhënë edhe një tender.
Siç bëhet e ditur në dosjen e tenderit të publikuar në KRPP, zyra e Kurtit do të blejë rreth 680 bileta për udhëtime jashtë Kosovës. Ndërsa, në njoftim nuk janë bërë të ditura relacionet e këtyre udhëtimeve, shkruan Demokracia.com.
Tenderin e ka fituar Grupi i Operatorëve ekonomik, “Prime Tours”, “Travel SH.P.K”, “Airvoyage SH.P.K”, në vlerë prej 241 mijë e 298 euro.
Në dosjen e tenderit tregohet se gjatë periudhës 3-vjeçare, numri i përafërt i biletave do të jetë 680 copë në destinacione të ndryshme të botës.
“Kontrata konsiderohet e realizuar në bazë te sasive të biletave dhe jo vlerës. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një operator ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare që do të autorizohen nga ZKM-ja”.
Po ashtu, zyra e shefit të Qeverisë ka treguar edhe disa kritere strikte që duhet t’i përmbush kompania fituese. Madje, është kërkuar që kompania fituese të jetë në dispozicion 24 orë.
“Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje të sigurojë shërbimet e lartpërmendura, duke përfshirë ofrimin e aviobiletave në çdo kohë 24/7. (që nënkupton edhe gjatë fundjavave dhe festave). Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar Shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, emailat dhe numrin e telefonit kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme)”./Demokracia.com/