Lajme
DOKUMENT| Shërbyesit civilë reagojnë kundër Projektligjit për Zyrtarët Publik: Po shkatërrohet ajo që është ndërtuar për 20 vjet
Demokracia
12:03 | 26 Tetor 2022

Share:

Projektligji për Zyrtarët Publik për të cilin Demokracia.com kishte raportuar se synon që t’i bëjë lehtësisht të ndikueshëm ndaj çdo Qeverie që vjen pushtet, po kundërshtohet ashpër edhe nga vetë zyrtarët publikë.

Përfaqësues të shërbyesve civilë konsiderojnë se nëse ky projektligj miratohet, ai do ta rrënojë tërë atë që është bërë për 20 vjet.

Demokracia.com ka siguruar komentet e Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civilë të Institucioneve Qendrore.

Ali Sefaj, përfaqësues i kësaj sindikate, ka thënë se Projektligji për Zyrtarët Publik, sipas draftit të publikuar në konsultime publike e kthen administratën shtetërore nga administratë e karrierës në administratë të mandatave politike, fshin memorien institucionale, rrënon të arriturat në administratë, avancimin në karrierë, cenon sigurinë juridike të zyrtarëve dhe krijon mundësi për hakmarrje politike sa herë ndërrojnë pushtetet.

“Me qëllim të pengimit të pasojave të lartcekura që do sillte ky Projektligj, në emër të Shoqatave Sindikale të Shërbyesve Civil të Institucioneve Qendrore dhe në emër të të gjithë shërbyesve civil, kërkoj nga ju si Grup Punues për hartimin e Projektligjit për Zyrtarët Publik, të takoheni si Grup Punues, të analizoni komentet e dërguara nga të gjithë akterët (Sindikatat, Shoqatat, Kolegji i Drejtorëve të Departamentit Ligjor, Burimet njerëzore, SIGMA, BE, GLPS, IDK etj). Si Grup Punues bartni përgjegjësi profesionale dhe morale për atë që do të ndodhë në shërbimin civil dhe administratën shtetërore, reformën e mirëfilltë apo rrënimin e gjithë asaj që kemi ndërtuar së bashku këto njëzet vite.”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Sefaj tek Grupi Punues.

Qeveria Kurti e ka finalizuar Projektligjin për Zyrtarët Publik, me të cilin synon t’i rregullojë marrëdhëniet e punës së zyrtarit publik në institucionet e vendit.

Demokracia.com kishte publikuar kohë më parë edhe versionin final që ka shkuar tanimë për konsultime, ku shërbimi civil pëson ndryshime të shumta dhe bëhet lehtësisht i ndikueshëm ndaj çdo Qeverie që vjen në pushtet.

Ajo që bie në sy në këtë projektligj është që edhe pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues tani i kanë bërë me emërim dhe mandat të caktuar. Të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët kanë qenë në shërbimin civil para emërimit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, sipas këtij projektligji, sistemohen në një pozitë të lirë të kategorisë profesionale, me kusht që plotëson kriteret për emërim në pozitën në fjalë. Por, përjashtimisht me këtë, të emëruarit në kategorinë e mesme apo të ulët drejtuese, të cilët nuk kanë qenë në shërbim civil, pas përfundimit të mandatit lirohen nga shërbimi civil. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE| Dokument: Qeveria Kurti i kap me ligj edhe zyrtarët publikë, i bën të shantazhueshëm nga çdo qeveri

Të ngjashme