Lajme
DOKUMENT| Shefi i kabinetit të MPJD mohon se e shfrytëzojnë Zonën VIP pa Gërvallën, Demokracia.com sjell dëshmi edhe për të
Demokracia
14:43 | 04 Qershor 2022

Share:

Sharr Jakupi, shef i kabinetit të kryediplomates Donika Gërvalla – Schwarz, ka reaguar pas raportimit të Demokracia.com lidhur me shfrytëzimin e parave të qytetarëve nga kolegët e tij, që të udhëtojnë përmes zonës VIP në Vjenë.

Njëjtë sikurse Zyra e Informimit e MPJD-së, edhe shefi i kabinetit të Gërvallës ka mohuar se këshilltarët e shfrytëzojnë Zonën VIP kur nuk janë duke e shoqëruar kryediplomatën Gërvalla.

Megjithatë, Demokracia.com në aeroportin e Prishtinës, ka arritur të siguroi e-maile zyrtare sesi punonjësit e MPJD-së kishin rezervuar Zonën VIP edhe për vetë Sharr Jakupin, anise ky nuk e kishte plotësuar as formularin për shfrytëzim të Zonës VIP, MPJD kishte kërkuar nga aeroporti që ta mirëkuptojë.

Shteti i Kosovës ka paguar 1030 euro për dy këshilltarë të ministres Gërvalla, Kristian Dodaj e Benit Haxhosaj, që të kalonin përmes zonës VIP në Vjenë, raporton Demokracia.com. Këtij të fundit, ashtu siç ka raportuar Demokracia.com, i kishin ndërruar planet në momentet e fundit dhe i ishte dashur ta shoqëronte Gërvallën drejt Strasburgut për të aplikuar në Këshillin e Evropës.

Demokracia.com të shtunën ka raportuar ekskluzivisht lidhur me këtë rast, duke publikuar edhe korrespodencën e ambasadës së Kosovës në Austri me kabinetin e Gërvallës, nga e cila ishte kërkuar që të bënte rezervimin e Terminalit VIP në aeroportin e Vjenës më 5 maj 2022, por që vlefshmëri për shfrytëzim njëorësh të zonës VIP kishte më 12 maj, nga ora 21:40 deri në 22:45.

Përveç Jakupit, nuk ka vonuar edhe reagimi i këshilltarit për të cilin raportoi Demokracia.com, Benit Haxhosaj, se i kishin ndryshuar planet, pasi që ishte dashur ta shoqëronte Gërvallën në Strasburg.

Ky i fundit, duke provuar të ironizojë, ka thënë se “disa mendojnë se do të shkojmë edhe në hënë”.

Këshilltari tjetër, Kristian Dodaj, emri i të cilit figuron tek oferta për rezervim në terminalin VIP në Vjenë, e ka pranuar për Demokracia.com se ka udhëtuar përmes zonës VIP, përkundër që nuk ishte duke e shoqëruar ministren Gërvalla.

“Po edhe nëse nuk është një person i kabinetit i shoqëruar, këshilltari e ka të drejtën ta shfrytëzojë zonën VIP dhe nuk është diçka që ndalohet sipas rregullit. Nuk jam në dijeni të kolegut tim qysh është saktësisht e përfshirë dhe qysh janë rregullat (për këshilltarët e jashtëm). Ndërsa, sa i përket pjesës sime është kjo. Zakonisht, zona VIP në shtetet e huaja, nëse nuk je i shoqëruar me ministren/in duhesh me pagu një shumë shtesë, ndërsa për Kosovë është ndryshe. Pra, për Kosovë ajo shumë nuk kërkohet. Dmth në rastin tonë nuk ka shpenzime shtesë, thjesht ka shfrytëzim të zonës që mos me prit, siç janë procedurat e zakonshme. Dmth për Kosovë e di që nuk paguhet shtesë diçka, edhe nëse nuk është ministrja ose ministri bashkë me stafin e kabinetit. Ndërsa, në shtetet e tjera, nëse nuk është ministrja ose ministri duhet me pagu shtesë. Ndërsa, bileta ka qenë e klasit ekonomik. Ne gjithmonë udhëtojmë me bileta të klasit ekonomik”, ka thënë Dodaj. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE| Këshilltarët e Gërvallës e paguajnë trajtimin si VIP me paratë e qytetarëve, MPJD e mohon (DOKUMENTE)

Të ngjashme