Lajme
DOKUMENT | Rozeta Hajdari me zyrtarët e saj s’di të përgatisë Strategji për Investime, angazhohet një ekspert për 750 euro në ditë
Demokracia
15:32 | 18 Mars 2024

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, ka vlerësuar se nuk ka njerëz të aftë brenda këtij institucioni. Andaj, në vitin e kaluar kishte hapur një tender, ku ftonte në garë ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Investime. Për angazhimin e dy ekspertëve, njërin vendor e tjetrin ndërkombëtar, ministria kishte ndarë hiç më pak se 100 mijë euro. Kontrata pritet të lidhet vetëm me ekspertin e huaj, pasi njëri lot i tenderit ka dështuar, shkruan Demokracia.com.

Christian Timm nga Gjermania është rekomanduar për kontratë nga MINTI për “Angazhimi i një ekspertit ndërkombëtar për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime (Politika Kombëtare për Investime) dhe Planit të Veprimit me Kostim’’. Vlera e kontratës pritet të jetë 74,900.30 euro.

Prokurimi i ministrisë nuk ka pranuar ofertë për ekspertin vendor (lot II) për të cilin ishin rezervuar shumë më pak para, në një vlerë prej rreth 25 mijë eurosh.

Decidivisht, tenderi quhet: “Angazhimi i një ekspertit ndërkombëtar dhe një ekspertit vendor për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime (Politika Kombëtare për Investime) dhe Planit të Veprimit me Kostim’’.

Thirrja është hapur që më 24 nëntor 2023.

Bazuar në dosjen e tenderit të cilën e ka parë Demokracia.com, strategjia duhet të hartohet brenda 100 ditëve të punës dhe sipas saj, eksperti pritet të ketë rreth 750 euro ditën.

Në lotin e parë, ku hyn eksperti ndërkombëtar, kërkohet që të ketë përvojë pune dhe njohuri në hartimin e politikave në fushat përkatëse, si në zhvillimin e sektorit privat, politikat industriale, hartimin e strategjive me metodologjinë EQuIP (Rritja e Cilësisë së Politikave Industriale) dhe përvojë në hulumtime dhe analizën e të dhënave.

“Përvoja e demonstruar në hartimin e planeve të veprimit të strategjisë dhe hartimin e projektit, Menaxhimi i Bazuar në Rezultate dhe ose Monitorimi dhe Vlerësimi dhe ofrimi i suksesshëm i trajnimeve përkatëse është i nevojshëm; Kërkohen të paktën 5 vjet përvojë pune përkatëse me institucionet të ndryshme qeveritare, sektorin privat ose agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit; Kërkohet njohuria e dëshmuar e gjerë e mjedisit ekonomik në Kosovë dhe përvoja e demonstruar me kërkesat e donatorëve kryesorë dhe mekanizmat financiarë që veprojnë në zonë (rajon); Aftësi analitike dhe aftësi për të interpretuar të dhënat dhe informacionin e mbledhur nëpërmjet instrumenteve kërkimore sasiore dhe cilësore”, thuhet ndër të tjera në kriteret e kërkuara lidhur me kapacitet teknike dhe profesionale. /Demokracia.com/

Të ngjashme