Lajme
DOKUMENT| Raporti i komandantit amerikan në Evropë: Marrëveshja Kosovë-Serbi e nevojshme, Ballkani Perëndimor në rrezik
Demokracia
17:41 | 30 Mars 2022

Share:

Komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, Tod D. Wolters, ka thënë se Rusia dhe Kina po përpiqen të nxisin tensione të mëtejshme etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë gjë, Wolters e ka thënë në një raport të detajuar lidhur me situatën aktuale në rajonin tonë, ku flet edhe për rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, Tod D. Wolters, në një raport të paraqitur para Senatit ka thënë se Rusia dhe Kina po e përdorin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor për ta përkeqësuar situatën dhe rritur tensionet që ende janë prezente në këtë rajon.

Këtu, Wolters përmend rolin e Kinës pas fillimit të luftës në Ukrainë, e cila po tenton të duket si “mbrojtëse” nën kushte të dyshimta, gjë e cila ndikon edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i rëndësishëm strategjik si lidhje për konkurrencën strategjike, ku Rusia dhe tani Kina përdorin ndikimin keqdashës për të rënduar tensionet ekzistuese etnike dhe për ta nxitur destabilitetin. Rusia përdor presione sociale dhe politike për të penguar shtrirjen dhe integrimin euroatlantik të këtyre vendeve. Që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë, anëtarët dhe partnerët ballkanikë të NATO-s kanë bashkuar përpjekjet për ndihmë dhe mbështetje. Shfaqja e Kinës si një mbrojtës alternativ për bashkëpunimin ekonomik dhe të mbrojtjes, nën kushte të dyshimta, e prish më tej rajonin. Me katër aleatët tanë më të rinj të NATO-s, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë dhe Shqipërinë, ne kemi zgjeruar marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes në dobi të sigurisë kolektive evropiane në krahun jugor të NATO-s”, thuhet në raportin e Wolters, transmeton Demokracia.com.

Sa i përket Kosovës, gjenerali Wolters ka theksuar se Rusia, Kina dhe disa shtete të tjera nuk e njohin pavarësinë e saj dhe duhet të bëhet më shumë progres në dialogun me Serbinë.

“Pavarësisht se Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, Rusia, Kina dhe disa shtete të tjera nuk kanë arritur ta njohin sovranitetin e saj. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë progres më domethënës drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes palëve, pasi ky sjell zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme. Forca e NATO-s në Kosovë luan rol të rëndësishëm të SHBA-së që të vazhdojë ta forcojë stabilitetin rajonal. KFOR mundëson kushte për një mjedis të sigurt dhe ta favorshëm për arritjen e një zgjidhje politike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. SHBA vazhdon punën e rëndësishme për të ndihmuar në tranzicionin 10 vjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë të kufizuar të mbrojtjes territoriale”, thuhet në raport, transmeton Demokracia.com.

Komandanti amerikan në Evropë përmend edhe rastin e Bosnje e Hercegovinës dhe rrezikun që ekziston për shkak të Republikës Srspka, megjithatë ai shton se SHBA-ja mban lidhje të forta më Forcat e Armatosura të Bosnje e Hercegovinës, raporton Demokracia.com.

“Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të përballet me paqëndrueshmëri politike dhe etnike. Të nxitur nga ndikimi rus, obstruksionistët kërkojnë autonomi më të madhe për entitetin politik të Bosnje-Hercegovinës me shumicë serbe, Republika Srpska, për të dobësuar autoritetet shtetërore dhe për të penguar shtrirjen e mëtejshme me institucionet perëndimore. Politikat nacionaliste dhe narrativat e ndarjeve etnike sfidojnë aftësinë e Bosnjës dhe Hercegovinës për të hartuar një rrugë të stabilitetit të qëndrueshëm dhe anëtarësimit eventual në NATO. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mbajnë lidhje të forta me Forcat e Armatosura të Bosnje-Hercegovinës, duke ndihmuar përparimin e saj drejt objektivave të aftësisë standarde të NATO-s”, ka thënë Wolters në raportin e tij për senatin amerikan.

Sipas Wolters, Komanda Evropiane e SHBA-së është e shqetësuar për motivet e Kinës në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur investimet e dyshimta të Kinës në Serbi, shitjet e armëve dhe stërvitjet e vazhdueshme.

“Kina kërkon të zgjerojë ndikimin në këtë rajon kryesisht përmes mjeteve ekonomike. Investimet e saj fokusohen në transportin, energjinë dhe infrastrukturën e informacionit në shkallë të gjerë. Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara është e shqetësuar për motivet e Kinës, pasi këto iniciativa ekspozojnë shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s ndaj detyrimit dhe ndikojnë negativisht në sigurinë e infrastrukturës kritike. Për më tepër, Kina vazhdon të zgjerojë lidhjet e saj të mbrojtjes dhe sigurisë me Serbinë, veçanërisht nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë, shitjeve të armëve dhe stërvitjeve”, thuhet tutje në këtë raport, transmeton Demokracia.com.

Konflikti Rusi-Ukrainë ka nisur para më shumë se një muaji dhe që prej atëherë janë ngritur shqetësime të shumta lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarët rusë, duke përfshirë këtu edhe presidentin Vladimir Putin që po kërkon ta pushtojë Ukrainën, kanë përmendur disa herë Kosovën dhe raportet me Serbinë.

Kosova i është bashkuar shteteve të tjera që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, por Serbia në anën tjetër, nuk është tërhequr aspak nga të qëndruarit besnike ndaj Putinit, duke rrezikuar kështu edhe marrëdhëniet me perëndimin, pavarësisht thirrjeve të këtyre të fundit për t’iu bashkuar sanksioneve të shteteve evropiane e perëndimore./Demokracia.com/

Të ngjashme