Lajme
DOKUMENT| Qeverisë Kurti i del nga kontrolli shkuarja e zyrtarëve jashtë vendit, iu bie në mend pas dy vjetësh vendimi i Qeverisë Hoti
Demokracia
18:38 | 27 Janar 2023

Share:

Zyrës së kryeministrit Kurti duket se po i del problem me ministrat dhe zyrtarët e tjerë përbrenda përbërjes qeveritare. Nga kjo zyrë kanë kërkuar nga mbarë institucionet e nivelit qendror që të mos dërgojnë kërkesa për aprovim për udhëtime zyrtare, e cila bie në kundërshtim me një vendim të marrë nga ish-qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Në një e-mail të siguruar nga Demokracia.com, në emër të zëvendës-sekretarit të Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, iu është kërkuar mbarë institucioneve që të respektojnë vendimin për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

“Në emër të Zv. SP-së kërkojmë nga ju që, vendimin në bashkëngjitje, ta respektoni dhe të mos sillni kërkesa për aprovim të udhëtimeve zyrtare, që bie në kundërshtim me vendimin në fjalë, si dhe pa aprovim paraprak nga Zv. Sp”, thuhet në e-mail.

“Poashtu, ju lutemi që, assesi të mos aranzhoni ftesa nga institucionet e tjera, pa pëlqimin paraprak të Zyrës së Sekretarit”, vijon më tutje e-mail që i është dërguar institucioneve.

Vendimi në fjalë parasheh ndalimin e organizimit të punëtorive jashtë Republikës së Kosovës nga mbarë ministritë, agjencitë ekzekutive dhe njësive të tjera brenda sistemit ministror të qeverisë, si dhe ndalimin e pjesëmarrjes së zyrtarëve publikë nëpër punëtori të organizuara jashtë vendit.

“Ndalohet organizimi i punëtorive jashtë Republikës së Kosovës nga të gjitha Ministritë, Agjencitë Ekzekutive dhe njësitë era brenda sistemit ministror të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me hartimin, punimin apo diskutimin e dokumenteve qeveritare përfshirë strategjitë, koncept dokumentet, projekt aktet normative, dokumentet planifikuese dhe të gjitha dokumentet e ngjashme”, thuhet në vendimin e marrë më 2020-ën kur kryeministër ishte Hoti.

Ky vendim ishte marrë si masë e përkohshme nga Qeveria Hoti për shkak të pandemisë, mirëpo siç duket kjo i ka shkuar për shtati Qeverisë Kurti ani pse vartësit institucionalë nuk e kanë respektuar.

Me këtë vendim, zyrtarët humbin edhe mundësinë për kompensim të shpenzimeve dhe për mëditje. /Demokracia.com/

Të ngjashme