Lajme
DOKUMENT| Qeveria mban sot mbledhje, në rend dite edhe marrëveshja për lëvizje të lirë me vendet e Ballkanit
Demokracia
16:53 | 07 Shkurt 2023

Share:

Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të diskutohen dhjetë pika të rendit të ditës.

Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com shihet se në mbledhjen e Qeverisë do të bëhet shqyrtimi i tri Projektligjeve, të cilat rrjedhin nga marrëveshjet në Procesin e Berlinit. Tri marrëveshjet e nënshkruar më 3 nëntor në kuadër të procesit të Berlinit do të shqyrtohen nesër në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore ishin tri marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit.

“Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime  në Ballkanin Perëndimor (MPB). Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (MASHTI). Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të  Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor (MASHTI)”, thuhet në rendin e ditës të siguruar nga Demokracia.com.

Po ashtu në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe kërkesa e ministrisë së Shëndetësisë  për pagesën e specializantëve me vetëfinancim nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2023. Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i kërkesës për pagesën e specializantëve nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Qeveria do të shqyrtojë edhe kërkesën nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për shpronësimi të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projekteve nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës.

Më tej do të shqyrtohet nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Transferim të Personave të Dënuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë. Nismë kjo që do të prezantohet nga Ministria e Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë do të prezantojë edhe shqyrtimin e Nismës për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë./Demokracia.com/

Të ngjashme