Lajme
DOKUMENT | Pushteti i Kurtit nuk u ndahet Devollëve, tash i heton për aksionet e blera nga Kujtesa
Demokracia
10:53 | 29 Mars 2024

Share:

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka nisur një hetim për blerjen e aksioneve të Kujtesa.net nga ana e Devolli Corporation.

Në vendimin e AKK-së, të cilin e ka parë Demokracia.com, thuhet se hetimi ka nisur për shkak të dyshimeve të bazuara se të njëjtët kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit. (Përqendrimi i ndërmarrjeve krijohet me vendosjen e kontrollit të përhershëm me të cilën fitohet bashkimi i dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura ose pjesëve të këtyre ndërmarrjeve. Janë të ndaluara përqendrimet e ndërmarrjeve që mund të dëmtojnë ndjeshëm konkurrencën, veçanërisht në qoftë se një përqendrim i tillë ka si pasojë forcimin e pozitës dominuese ekzistuese ose krijimin e një pozitë të re dominuese).

Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga ndërmarrjet e lartcekura, që në afat prej 30 ditësh t’i sjellin në zyrat e Autoritetit këto dokumente:

  1. a) Marrëveshja (kontrata) për shitblerjen e aksioneve;
  2. b) Gjendjet e llogarive bankare nga viti 2019 deri më sot, 20.03.2024, në të gjitha bankat brenda dhe jashtë vendit;
  3. c) Statutin e ndërmarrjes dhe dokumentet përcjellëse në ARBK.

“Në rast se palët në procedurë nuk i dorëzojnë komentet dhe dokumentet e kërkuara si në dispozitivin I të këtij konkluzioni apo dorëzojnë dokumente të pasakta apo të rreme, Autoriteti do të konstatojë shkeljen e këtij ligji dhe do t’u shqiptojë palëve në procedurë sanksionin administrativ deri në 1% të qarkullimit të përgjithshëm që ndërmarrjet kanë realizuar në tërë botën në vitin e fundit për të cilin është përmbyllur raporti financiar dhe pastaj do të vazhdojë procedurën hetimore duke i përdorur instrumentet tjera ligjore të përcaktuara me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. IV. Ky konkluzion hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga ana e Komisionit”, thuhet në konkluzionin e AKK-së, përcjell Demokracia.com.

Arsyetimi i plotë i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës:

Arsyetim

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, ka filluar monitorimin e tregut sipas detyrës zyrtare duke u bazuar në të gjeturat nga dokumentacionet, nga shkrimet e botuara në mediat elektronike, rrjete sociale. Andaj, Autoriteti pas mbledhjes së informatave lidhur me dyshimet për transaksionet e realizuara, rrjedhimisht bërjes së aksioneve apo fitimit kontrollit mbi ndërmarrjet tjera në tregun përkatës, për të cilat dyshohet se përmbushin detyrimin për paraqitje të Njoftimit për Përqendrim, bazuar në nenin 11 dhe 13 të Ligjit Nr. 08/L-056 per Mbrojtjen e Konkurrencës (Gazeta zyrtare Nr. 14/7). Lidhur me këtë rast Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës është autorizuar për fillimin e monitorimit të tregut përkatës sipas detyrës zyrtare (ex-o/ficio) në zbatim të nenit 36 paragrafi 1 si dhe paragrafi 3 me nën paragrafin 3.1.

PALËT NË PROCEDURÉ:

Palët në procedurë të zhvilluar nga Autoriteti i Konkurrencës konsiderohen ndërmarjet:

  1. Devolli Corporation Sh.p.k. – Shoqëri me Pergjegjësi të Kufizuar dhe
  2. Kujtesa Net Sh.p.k. – Shoqëri me Pergjegjësi të Kufizuar

PËRSHKRIMI I GJENDJES FAKTIKE:

Autoriteti gjatë shqyrtimit paraprak të hetimit në tregun e telekomunikimeve dhe kabllore në territorin Republikës së Kosovës, në bazë të informatave preliminare që posedon, ekziston dyshimi i bazuar se: ndërmarrjet Devolli Corporation Sh.p.k dhe Kujtesa Net Sh.p.k., kanë realizuar transaksione, përkatësisht Devolli Corporation Sh.P.k ka bërë blerjen e aksioneve të ndërmarjes Kujtesa Net Sh.p.k, e cila vepron në tregun me aktivitetin primar telekomunikimet kabllore.

Autoriteti konsideron se: Transaksionet/blerjet janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit parashikuar sipas nenit 13 dhe 15 të Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Bazuar në nenin 13 paragrafi 1 i Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, parashihet se pjesëmarrësit në përqendrim duhet t’i kërkojnë paraprakisht Autoritetit t’ua lejojë realizimin e përqendrimit të synuar nëse:

1.1. pjesëmarrësit në përqendrim kanë mbi njëzet (20) milionë euro qarkullim të përbashkët në tregun ndërkombëtar dhe njëri pjesëmarrës në përqendrim ka mbi një (1) milion euro qarkullim në tregun e brendshëm; ose

1.2. së paku dy pjesëmarrës në përqendrim kanë mbi tre (3) milionë euro qarkullim në tregun e brendshëm. Autoriteti konsideron se çdo realizim i përqendrimit të ndërmarrjeve nga neni 13 i këtij ligji, pjesëmarrësit e përqendrimit janë të detyruar ta njoftojnë Autoritetin, kur plotësohen kushtet e përcaktuara, gjithashtu neni 12 e përcakton shprehimisht se ndalohen përqendrimet që mund të shtrembërojnë ndjeshëm konkurrencën efektive, veçanërisht nëse përqendrimi i tillë ka si pasojë krijimin ose forcimin e pozitës dominuese, që nënkupton se lëndët e caktuara duhet t’i nënshtrohen paraprakisht vlerësimit nga Autoriteti i Konkurrencës.

Me rastin e vlerësimit për arsyeshmërinë e marrjes së Konkluzionit, Autoriteti merr parasysh të gjitha rethanat e rastit, veçanërisht peshën e dëmit që mund t’u paraqitet pjesëmarrësve të përqendrimit ose palëve të treta, si dhe efekteve të konkurrencës që mund të lindin nga zbatimi i këtij përqendrimi.

Andaj, nga sa u tha më lartë, Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 37 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, vendosi si në dispozitiv të këtij konkluzioni.

Këshilla juridike: Kundër këtij konkluzioni për fillimin e procedurës hetimore nuk është e lejuar ankesa dhe as padia për inicimin e konfliktit administrativ. /Demokracia.com/

Të ngjashme