Lajme
DOKUMENT| Prindon Sadriut i ka skaduar mandati diplomatik në Maqedoninë e Veriut, dje i shkoi Kurtit si “bisht”
Demokracia
16:53 | 12 Gusht 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti dje ka qenë për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Në këtë vizitë, ai u shoqërua nga diplomati kontrovers Prindon Sadriu, i cili njëherësh është edhe bashkëshort i presidentes Vjosa Osmani.

Prindon Sadriut duket se i pëlqen shumë t’u shkojë pas si ‘’bisht’’ krerëve të institucioneve dhe kjo tashmë është e ditur për publikun. Megjithatë, Sadriu dje e ka shoqëruar kryeministrin Kurti në takimet e tij në Maqedoninë e Veriut si diplomat pa mandat. Nuk dihet arsyeja pse kryeministrin Kurti nuk e ka shoqëruar Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, i cili siç ka mësuar Demokracia.com nga burime brenda ambasadës në Shkup, nuk është zyrtarisht në pushim, por ajo që dihet është se Sadriu është me mandat të përfunduar si diplomat atje.

Demokracia.com posedon evidenca të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku figuron se bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ishte emëruar Ministër në Mision në Maqedoninë e Veriut më 15 korrik 2019 me mandat katërvjeçar, të cilit i ka përfunduar mandati më 15 korrik 2023, përkatësisht muajin e kaluar.

Kjo shihet edhe në përditësimin e të dhënave që ishte bërë më 3 shkurt 2023, kur Sadriu kishte gjithsej 3.6 vjet shërbim diplomatik atje, katër muaj para përfundimit të misionit. Deri tani nuk është marrë ndonjë vendim për vazhdimin e mandatit të tij në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Kurti, që së fundmi po cilësohet nga shumë figura publike si përçarës i shqiptarëve, takoi në Maqedoninë e Veriut kryesisht politikanë që njihen për afërsi me të, mirëpo nuk pat takim edhe me liderin e shqiptarëve në këtë shtet fqinj, Ali Ahmetin. Madje, me vizitën e Kurtit atje ironizoi edhe një prej njerëzve më të afërt të Ahmetit, Artan Grubi, që është edhe zëvendëskryeministër në Maqedoninë e Veriut.

“A mos ka bo vaki najsen?”, komentoi me ironi Grubi.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, i cili në përpjekje e sipër që të bëhej figurë e rëndësishme e shqiptarëve trumbetonte me vite të tëra bashkimin kombëtar, sapo u bë kryeministër i Kosovës po vlerësohet si politikani më përçarës i shqiptarëve.

Pas dështimit spektakolar në zgjedhjet në Shqipëri, ku Kurti si kryeministër i Kosovës ishte përfshirë direkt në fushatë kundër Edi Ramës dhe kishte shkuar edhe për të votuar atje, meqë e posedon shtetësinë shqiptare, ai në masë të madhe i ka përçarë edhe politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës, ku dy prej tyre i ka emëruar si këshilltarë në qeverisjen e tij, ndërkaq çështjen e shqiptarëve të Luginës asnjëherë nuk e ka ngritur në dialogun e Brukselit. Me të njëjtin devocion, Kurti tani po mbjell përçarje edhe në mesin e politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Albin Kurti zyrtarisht u tha se ishte në përurimin e rrugës ‘Adem Demaçi’ në Çair të Shkupit, ku u prit nga kryetari i Çairit, Visar Ganiu, si dhe nga disa figura politike të vendit. Adem Demaçi, asistent i të cilit ishte Kurti gjatë viteve të luftes, përmendet vazhdimisht si ‘udhërrëfyes politik’ prej tij, por sapo kishte ardhur në krye të ekzekutivit, njerëzit e pushtetit të Kurtit kishin kërkuar të hetohej edhe varri i Adem Demaçit, me pretekstin se nuk ishin respektuar procedurat e prokurimit për pagesën e tij, rast që ishte mbyllur më pas.

Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kishte dalë edhe kundër zgjedhjes së Adem Demaçit president.

Se ishin kundër, këtë e kishte konfirmuar në një intervistë të tij edhe vetë Adem Demaçi.

“Këta kanë qenë pengesë dhe nuk kanë propozuar asgjë. Ata që kanë propozu, kanë kërku që unë të jem President. Dhe ata (Vetëvendosje) kanë refuzu dhe e kanë fitu kontestin e u bë qysh deshën ata”, kishte thënë Adem Demaçi. /Demokracia.com/

Të ngjashme