Lajme
DOKUMENT| Prindon Sadriu ia lë shumicën e punëve zëvendësit të tij, “Zotëriu i Parë” merret me punë të mëdha
Demokracia
18:16 | 29 Prill 2022

Share:

Deklaratat e analistëve se i ngarkuari me punë të ambasadorit në misionin diplomatik të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu, më shumë qëndron në Prishtinë sesa në Shkup, po dalin të jenë të vërteta.

“Zotëriu i Parë”, ashtu qysh ai preferon të quhet, siç vë në pah një raport i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shumicën e punëve ia delegon zëvendësit të tij, Vlorat Gashi.

Në një raport për tremujorin e punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku të gjithë ambasadorët kanë raportuar për punët e tyre, gjendet edhe raporti i hartuar nga zëvendësi i Sadriut, ku ai në detaje i raporton ministrisë për takimet dhe aktivitetet e Ambasadës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, shkruan Demokracia.com.

Në këtë raport shihet se bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, shumë pak merret me punën për të cilën paguhet, duke ia lënë ato zëvendësit të tij.

Nga ky raport del se në Kosovë ishte arrestuar edhe një ish-ministër maqedonas, gjë që nuk ishte bërë e ditur për publikun kosovar.

Në fillim të këtij viti, ish-ministri maqedonas Damjan Mancevski kishte hyrë në Kosovë nga Serbia në mënyrë ilegale. Për më tepër, bashkëshortja e tij, në kohën kur Kosova kishte masa rigoroze kishte qenë e infektuar edhe me Covid-19.

Sadriu në koordinim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës kishte sqaruar rastin dhe kishte mbajtur të informuar drejtpërdrejt Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Bujar Osmani, si dhe ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Shpresa Jusufin.

“Ish-ministri i Administratës i RMV-së Damjan Mancevski mbrëmë ka kaluar kufirin Serbi-Republikë e Kosovës në pikëkalimin jozyrtar ‘Sarpel’ në rrugën ilegale, që shpie nga territori i Serbisë për në territorin e Republikës se Kosovës. Policia e Kosovës rreth orës 16:35 e ka ndalur dhe më pas e ka dërguar te stacioni më i afërt policor për procedurë të rregullt. Ai ishte në veturë me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Prokurori i rastit më pas ka lëshuar urdhër për deportim dhe rasti ka kaluar në procedurë të rregullt. Bashkëshortja e tij ndërkaq ka rezultuar pozitiv me virusin Covid-19 dhe janë marrë masat e dërgimit të saj në territorin e RMV-se përmes autoambulancës”, thuhet në raportin e siguruar nga Demokracia.com.

Në raport shihet se Sadriu një kohë të madhe të angazhimit të tij ia kushton çështjes së Ukrainës.

Ky është raporti i plotë se çfarë ka punuar Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut e drejtuar nga bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu:

 

 

 

Të ngjashme